E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë

19-08-2011 / Nga Eden Babani

Një seminar me vlera të padiskutueshme dhe me mbresa të pashlyeshme

Seminari Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë është veprimtari e lavdërueshme e dy ministrive tona të arsimit, asaj të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Kosovës. Seminari i përvitshëm mbahet në kuadër të LASH-it (Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë) dhe të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues (SHSHMP) “Naim Frashri”, historiku i të cilave daton përpara më se 20 vjetësh. Nisma e asohershme, me synim ruajtjen e identitetit kombëtar të fëmijëve që ndiqnin mësimet përkatësisht në gjuhën e vendit ku jetonin, dhe ngjallja tek ata e ndjenjës kombëtare dhe e dashurisë për vendlindjen, gjeti mbështetje të fuqishme në radhët e emigracionit shqiptar të disa vendeve të Evropës Perëndimore. Ajo u mbështet po aq fuqishëm si prej administratës së Qeverisë Bukoshi, në emigracion, ashtu edhe prej administratave qeverisëse të Kosovës së pasluftës. Vitet e fundit, për mbarëvajtjen e Seminarit, është angazhuar edhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Shqipërisë, çka i jep veprimtarisë ngjyrim mbarëkombëtar. Do ta konsideroja të domosdoshëm për të ardhmen një investim edhe më të madh të organeve përkatëse të Maqedonisë, ku etnia shqiptare ka atribute shtetformuese, ndërsa është fakt i pamohueshëm që fëmijë me shtetësi maqedonase, por me prejardhje shqiptare, ndjekin Shollat Shqipe të Mësimit Plotësues në vendet ku kanë emigruar.
Për vlerat e Seminarit, është e tepërt të zgjatem. Sipas meje, ndërsa Rruga e Kombit ka zgjeruar dha ka çelikosur urat e afrimit fizik mes shqiptarëve të veçuar përdhunshëm dekada e dekada me radhë, veprimtari kësisoj hedhin ura të afrimit shpirtëror, në interes të qasjes drejt çështjes sonë kombëtare ende të pazgjidhur. Po përjetojmë atë stad të zhvillimeve historike, kur, falë Rrugës së Kombit, lëvizja e lirë këtej e andej kufirit zyrtar mes dy shteteve shqiptare është ngritur në nivelin, ndoshta, më të lartë, si nga ana sasiore, ashtu edhe nga ana cilësore. Në kushte të tilla,  cilësisht të reja, veprimtaritë arsimore e kulturore të përbashkëta, përfshi edhe  Seminarin në fjalë, janë shtysë për njësimin shpirtëror mbarëshqiptar. Le të shpresojmë që ato të gjejnë shtrirje më të madhe në fusha të tjera bashkëpunimi, që nga arsimi, kultura, sportet etj., deri tek ekonomia, pse jo, edhe te politikat e jashtme të të dy shteteve.
Në Seminar, morën pjesë mbi 120 arsimtarë të ardhur nga vende të ndryshme: Austria, Kanadaja, Finlanda, Suedia, Greqia, Zvicra, Gjermania, Italia, Belgjika, Anglia, Kroacia. Pjesëmarrja e delegacioneve nga Republika e Shqipërisë dhe nga Republika e Kosovës, si dy vende ku arsimi ynë zhvillohet mbi baza shkencore dhe kontrollohet nga shteti, përvijoi kornizën e domosdoshme të zhvillimit të punimeve gjatë ditëve të Seminarit. Programi katërditor ishte i pasur dhe i larmishëm, qoftë për tematikën, qoftë për nivelin shkencor të kumtesave të mbajtura. Gjatë seancave plenare, lexuan kumtesat e tyre personalitete të shkencës dhe të arsimit nga Republika Shqipërisë dhe nga Republika e Kosovës, si: Akademik Vaso Tole: “Trashëgimia kulturore përmes njohjes konkrete të vlerave kombëtare”; Prof. Dr. Drita Statovci: “Veshjet dhe identitetet”; Prof. Dr. Dhimitër Doka e grupi: ”Shqiptarët në hapësirë dhe në kohë”; Prof. Ladi Shahini: “Rrënjët historike perëndimore të arsimit shqiptar”; Dr. Tomi Treska, i Universitetit Europian të Tiranës: “Pasqyrimi i rolit të diasporës në programet e historisë së popullit shqiptar në arsimin parauniversitar (klasa e nëntë dhe e dymbëdhjetë)”; Dr. Florim Isufi: “Kategori gjeografike të Atdheut në funksion të identitetit”; Dr. Ndriçim Mehmeti: “Interpretimi historik dhe veçoritë e tij në programin e diasporës”; si edhe shumë kumtesa të tjera që sollën përvojën e drejtpërdrejtë të mësimdhënësve në kushte të veçanta të vendit ku jetojnë. Me interes të veçantë u ndoq kumtesa e Dr. Katrin Hohman e Universitetit të Dyseldorfit – Gjermani: “Funksioni dhe rëndësia e mësimit të gjuhës dhe të kulturës së origjinës”. Kumtesën e ndoqi puna e diplomës (me të njëjtën temë) e një studenti shqiptar në Universitetin e Dyseldorfit, e cila u shoqërua edhe me grafikët dhe diagramet përkatëse.
*** 
Udhëtimin drejt Kosovës, të cilën Hamit Kokalari me të drejtë e ka emërtuar “Djepi i Shqiptarizmës”, e kam pasur për zemër qysh se, në fillim të shekullit të ri, shkela për herë të parë në atë tokë të bekuar. Ishte dimri i vitit 2001 asohere. Në Kosovën e sapodalë nga lufta, ndihej ende era e barutit. Gjëmat e luftës i hasje ngado, me gjithë se një shtresë e trashë bore ishte shtrirë anekënd maleve dhe rrafshnaltës. Shtëpi të djegura ose të shkatërruara prej bandave paramilitare të Milosheviçit; shtëpi të tjera në ndërtim e sipër, mbi kulmin e të cilave valonte lirshëm flamuri ynë kombëtar; rrugë të dëmtuara prej bombave dhe prej zinxhirëve të tankeve të pushtuesit serb, anash të cilave ishte sajuar me ngut ndonjë pllakë përkujtimore me një emër e dy data dhe, në mungesë të luleve, një fjongo kuqezi... Isha delegat i diasporës shqiptare të Belgjikës në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare në Botë, një kuvend mbarëkombëtar kushtuar asaj që, sa vjen e më shumë, po shqiptohet plot zërin “Çështja Shqiptare”. Më 17 janar, bashkë me delegatët e tjerë të ardhur nga të katër anët e globit, pata rastin fatlum të isha një ndër ata qindra bashkëkombës që shoqëruan përmendoren e Heroit tonë të përbashkët, Skënderbeut, vepër e skulptorit Janaq Paço, prej qafës së Morinës, në Prishtinë. Gëzimi dhe krenaria kishin shpërthyer atë ditë të ftohtë në mënyrë të papërshkruar, anekënd Kosovës. Cikna e janarit dhe era brisk që zbriste prej lartësive, nuk i pengoi njerëzit të linin shtëpitë e të merrnin udhët e rënduara prej borës së ngrirë, që të përcillnin atë ngjarje të pangjarë deri atë ditë. Përgjatë rrugës Prizren – Prishtinë, s’kishte të mbaruar vargu i malësorëve që kishin rënë qyteteve enkas për t’u përshëndetur me Fatosin e Krujës, emrin e të cilit nuk e kishin bjerrë asnjë çast nga kujtesa dhe me emrin e të cilit u patën bërë ballë historikisht hordhive serbe. Në Rahovec, në Suharekë, në Shtime, kudo ku kaloi përmendorja e bronzte e Skënderbeut hipur mbi kalë dhe vargu i pafund i automjeteve që e ndiqnin, njerëzit e pangopur ende me lirinë e sapofituar, patën fatin të përjetonin më gjatë lumturinë e përshëndetjes me Heroin, për shkak të ndalesave të shumta. Në sheshet dhe në rrugët e Prishtinës, nuk kishe ku të hidhje mollën...
Atë ditë të paharruar, e kujtoj sa herë udhëtoj drejt Kosovës. Në ato kujtime, isha kredhur edhe herën më të fundit, ndërsa autobusi i vënë në dispozicion nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Shqipërisë rrëshqiste nëpër asfaltin dyst të Autostradës së Kombit. “Çfarë mrekullie!”, nuk u përmbajt bashkudhëtari bri meje, Prof. Ladi Shahini, tek po i afroheshim Repsit. Ndonëse puna e kishte çuar në shumë vende të botës, Profesori, Drejtor i Drejtorisë së Politikave Arsimore në Institutin e Zhvillimit të Arsimit, udhëtonte për herë të parë për në Kosovë, ndaj edhe biseda jonë u përqendrua sa tek autostrada e parametrave të nivelit botëror, aq edhe te këndvështrimet e ndryshme prej nga është parë ndërtimi i saj. S’na u duk aspak i dëmtuar mjedisi mes grykave të Fanit, nëpër të cilin kalonim atë ditë gushti me diell, siç i është dukur dikujt që ka “vajtuar” për prishjen e mjedisit dhe që s’di përse e ka gjykuar rrugën luks të tepruar për Shqipërinë, madje të panevojshme (!). Përkundrazi, për cilindo që e përshkon për herë të parë Rrugën e Kombit, është befasues gjarpërimi i saj mbi ura të larta që hidhen prej një shpati, në tjetrin. Shpatet e atyre grykave janë përgjithësisht të zhveshura dhe shkëmbore, ndërsa mjedisi pyjor në lartësi dhe lugina e gjelbëruar, të pacenuara. Tuneli 5800 metra i gjatë është një mrekulli më vete, qysh në hyrje, në Thirrë, deri në dalje, në Kalimash. Ai nuk u lë gjë mangët tuneleve të Zvicrës e të Austrisë. Sa për koston e lartë, që kukuvajkat antikombëtare e kanë bërë refren të vajit të tyre, them se kjo urë gjigande e lidhjeve të ndërsjella të shqiptarëve do të justifikonte veten përballë çdo çmimi, madje edhe përballë një mali me para.
Udhëtimi kaloi i këndshëm, herë duke biseduar për Seminarin dhe për problemet e arsimit, herë për autostradën, herë duke ndjekur tregimet e inxhinierit gjeolog Ismail Tafilaku, i cili i kishte shkelur me këmbë ato vise, deri në Gjegjan. Inxhinieri, tashmë vullnetar i arsimit në emigracion, dhe e shoqja, Flutura, që të dy pjesëtarë të delegacionit të ardhur prej Greqie, ishin rehatuar pas nesh, por ai, pjesën më të madhe të rrugës, deri në pikën kufitare të Morinës, e përshkoi i përkulur mbi kryet tona, duke na e mbajtur gjallë bisedën.
Tridhjetë minuta përpara se të hynim në Prishtinë, mikpritësit na njoftuan se dreka na priste e shtruar në Hotel Emerald, gjashtë kilometra prej qendrës së kryeqytetit, në rrugën Prishtinë – Shkup, ku edhe bujtëm ditët e Seminarit.
Pasi u rehatuam në dhomat e hotelit me pesë yje, pasdite, rreth orës pesë, filloi seanca e parë. Në sallën e mbledhjeve, përshëndetjet me njëri-tjetrin dhe përqafimet me të njohurit, vërshuan lumë. Vërshuan, po ashtu, edhe njohjet e reja...
***
Siç thashë, programi i Seminarit ishte tepër i larmishëm. Organizatorët kishin menduar për gjithçka dhe me hollësi: që nga seancat e përbashkëta, deri te diskutimet me tematikë të ndryshme; që te darka e natës së parë, deri te kushtet e bujtjes në Hotel; që nga promovimet e librave me interes për arsimin në diasporë ose të librave artistikë, deri tek ekskursionet jashtë Prishtinës.
Rastësia është e çuditshme. Çfarë s’pret njeriu prej saj. Ajo të sjell çaste të bukura, por edhe bezdi. Të sjell të pritshmen, po aq sa befasinë. Të puq me të mirin, njësoj si të të puqte me të ligun... Për fat të mirë, gjatë katër ditëve të Seminarit, mua m’u qep e mbara. Më mbushi me çaste të bukura që vështirë të harrohen, nuk më ndolli asnjë çast bezdie. Gjeta të pritshmen, po aq sa befasinë e këndshme. Më puqi me engjëj, duke më shmangur djallin.
Darkën e mirëseardhjes e shtroi Kryetari i Prishtinës, zoti Isa Mustafa, njëherësh edhe Kryetar i LDK-së. Përshëndetja e tij na ngrohu zemrat në ato ditë të mbushura me episode të trishta në veri të Kosovës, bash në Mitrovicën tonë shqiptare, ndër të parat që është përballur me shovinizmin e egër serb dhe e fundit që po përjeton ende të njëjtën egërsi. Na ngrohu zemrat, pasi nënteksti i asaj darke gazmore nuk donte me thënë thjesht një darkë mirëseardhjeje, njohjeje ose afrimi mes delegatëve nga diaspora. Ajo donte me thënë vlerësim pa mëdyshje i Seminarit, pra i marrëdhënieve arsimore e kulturore ndërshqiptare, si në ditë të qeta, ashtu edhe në ditë të turbullta provokimesh, ishte, si të them, jehonë e takimit mes dy kryeministrave, Berisha e Thaçi, në Dhërmi. Nëntekstin e saj, personalisht, e lexova si një paralajmërim se provokimet serbe do të gjejnë tash e tutje reagimin mbarëshqiptar, përtej kufijve shtetërore dhe pa dallim ngjyrimesh politike. Në këtë kontekst historiko-politik, do ta konsideroja, gjithashtu, vizitën dhe përshëndetjen e zotit Ramë Buja, Ministër i Arsimit i Shkencës dhe i Teknologjisë i Republikës së Kosovës, në një nga seancat plenare të ditës së tretë.
Tryeza jonë ishte e begatë jo vetëm për menynë. Atë e begatuan sidomos ata që rastësia i puqi bash aty. Të parët në atë tryezë, u rehatuam ne, delegacioni i Belgjikës: Kryetari ynë, Dr. Agim Syla, fotografi i kudondodhur, Asllan Krasniqi, mësuesi i pasionuar i muzikës, Shani Basha, dhe unë, gazetari. Na mungonte mësuesja e përkushtuar, Silvana Gjebreja, atë mbrëmje me dhimbje koke. Prof. Ladi Shahini, na u afrua sa na pa. Pas tij, çifti simpatik Tafilaku, Ismaili dhe Flutura, të cilët u ndoqën prej Alma Zekollarit, Marinela Naqos, Anila Kilës dhe Valbona Hustunës, një pjesë e delegacionit nga Greqia.
Gjatë darkës, përveç të tjerave u promovua libri i autorit Dritan Gashi (Gjermani) “Këngë të paharruara shqiptare”, një përmbledhje tekstesh të bukura, klasifikuar sipas brendisë së këngëve ose sipas kohës kur janë kënduar. Libri u shpërnda falas. Emocione të papërmbajtura u zbrazën bashkë me gotat e verës, ndërsa secili, duke shfletuar librin, haste në vargjet e këngëve të zemrës. “Ti, moj bukuroshe...”, u këndua në kor dhe u shoqërua me rrahje ritmike shuplakash prej të pranishmëve në darkë, përfshi edhe personelin e restorantit.
***
Pushimet për kafe mes seancave plenare ishin çaste të bisedave lënë përgjysmë mes të njohurish në Seminaret e viteve të shkuara ose i njohjeve të reja. Ripërtëritja e kujtimeve ose shkëmbimi i adresave postare a elektronike, i numrave të telefonave, pse jo, edhe i librave mes autorësh të ndryshëm, vulosi dëshirën e secilit për të mos i humbur në të ardhmen lidhjet me shoku-shokun. Për mua, ishte kënaqësi njohja me shkrimtarin Adem Demolli, një ndër organizatorët e Seminarit. Kurse shkëmbimi i librave me autorë të ndryshëm, ishte rast i papërsëritshëm për pasurimin e bibliotekës sime me libra të rinj e me vlera të padiskutueshme. Përmend librin “Këngë të paharruara shqiptare” të të riut Driton Gashit (Gjermani), monografinë e Ramadan Reshitaj (Suedi) “Shkolla shqipe në Suedi”, librin me rrëfime të jetuara të Abdurrahim Ashikut (Greqi), monografinë e Çerkim Bytyçit (Gjermani) “Urë Atdheu” etj.
***
Të paharruara do të më mbeten në kujtesë ekskursionet e organizuara pasditeve me dy autobusë të vënë në dispozicion prej mikpritësve.
Novobërda, një kala mesjetare në komunën me të njëjtin emër dhe pranë kufirit me Bujanovcin, është ndërtuar në lartësi përmbi 1100 m mbi nivelin e detit. Për fat të keq, në kala nuk është vënë dorë për mirëmbajtjen e saj gjatë regjimit pushtues jugosllav, ndonëse ajo duhet të ketë vlera historike e ndërtimore me mjaft interes. Aq e lënë pas dore vazhdon të jetë ajo, sa “ciceroni”, një mësues historie në qendër të qytezës, na këshilloi të mos ngjiteshim lart, pasi ishte rrezik të rrëshqisnin pjesë të  mureve të kalasë. Kryetari i Komunës së Novobërdës, zoti Bajrush Ymeri, ka premtuar se, së shpejti, do të fillojë restaurimi i vlerave të saj. Komuna, na shpjegoi më tej ai, është e banuar në shumicë prej serbësh. Megjithatë dhe megjithëse pas lufte ajo është administruar në mënyrë alternative prej të zgjedhurve të dy etnive kryesore, serbëve dhe shqiptarëve, tri komunitetet që e popullojnë, serbët, shqiptarët dhe romët, jetojnë pa probleme dhe në harmoni me njëri-tjetrin.
Përballë kalasë, thuajse në të njëjtën lartësi, ndodhet miniera që mban, gjithashtu, emrin e komunës. Për shfrytëzimin e saj, në kohën e pushtimit, punonin mbi 800 punëtorë. Minerali, i cili përmban edhe sasi ari, transportohej me teleferikë të fuqishëm poshtë në luginë dhe, prej andej, evadohej me kamionë në drejtim të Serbisë. Bajrush Ymeri mendon se, tashmë, duhet ndërruar emri sllav i minierës, ndoshta edhe i komunës që drejton. Emri shqiptar “Artan”, ndoshta me prejardhje ilire, do të ishte më i përshtatshëm sesa Novobërdë, për shkak se ndodhet në vise shqiptare dhe për shkak të arit që përmbajnë ato lartësi.
Një “fotografi e familjes” nën kala, e shkrepur nga dhjetëra aparate, do t’i jepte fund ekskursionit, njëherësh edhe ditës së gjatë të punës.
Pasdarkja na mblodhi në sallën e madhe të mbledhjeve plenare. Kënduam të gjithë bashkë, shoqëruar prej këngëtarit të njohur kosovar, Osman Shehu, dhe prej tingujve të kitarës së tij. Befasi për mua do të ishte talenti muzikor i kryeredaktorit të revistës “Mësuesi” (Tiranë), Andon Andoni. Kitara e tij kaloi dorë më dorë, sa te ai vetë, te Prof. Dr. Ibrahim Gashi ose te mësuesi i muzikës Shani Basha, pjesëtar i delegacionit tonë, nga Belgjika. Zëri i bukur i Dr. Tomi Treskës, i Universitetit Europian të Tiranës, spikati, sidomos, te këngët korçare, ndërsa “xhiblat” e Andonit me ngritje-ulje të zërit, i dhanë mbrëmjes larmi e gjallëri.
Një detyrim familjar dhe largimi i parakohshëm prej Seminarit, më hoqi të nesërmen mundësinë e vizitës në “Shpellën e Mermerit”, në Gadime, siç më kanë thënë, një mrekulli e natyrës
***
Ma ka ënda ta përsëris: Seminari është veprimtari e lavdërueshme e dy ministrive tona të Arsimit. I sivjetshmi, nën drejtimin e dy specialistëve të përkushtuar, Nuhi Gashi (Prishtinë) dhe Besnik Rama (Tiranë) do të mbahet mend qoftë për organizimin e përkryer, qoftë për tematikën e larmishme, qoftë për përpikërinë e zbatimit të programit, qoftë për shfrytëzimin e mundësive që japin teknikat elektronike në shoqërimin e kumtesave me foto, grafikë a diagrame, qoftë për hapësirat mikpritëse që iu krijuan delegatëve. Por, nëse çka u kumtua e u diskutua gjatë ditëve të Seminarit do të mbetej në mjediset e Hotelit Emerald, i gjithë mundi dhe përkushtimi i delegatëve do të shkonte dëm. Tashmë, arsimtarët e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues do të presin, me të drejtë, pasqyrimin e përvojave të shkëmbyera për hartimin e programeve dhe të teksteve të njësuara për të gjitha shkollat që funksionojnë në Diasporën Shqiptare. Është detyrë e ministrive përkatëse të gjejnë dhe të vënë në dispozicion fondet e nevojshme, pse jo, të mendojnë edhe për shpërblimin, sado simbolik, të arsimtarëve, deri sot, vullnetarë. Me një llogari të thjeshtë, duke mbajtur parasysh numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në emigracion, del se mijëra fëmijë, po të ishin në vendlindje, do të uleshin në klasat e përkatëse si qindra-mijëra të tjerë, duke shtuar numrin e mësuesve me pagesë. Në kushtet e emigracionit, ata presin përkujdesjen e vendeve nga kanë emigruar, që të mos e humbasin gjuhën dhe që të ruajnë identitetin kombëtar. Dhe të mos harrojmë se brezi i tyre është pasuria më e madhe që do të trashëgojë kombi ynë në të ardhmen.
Në Seminar, u vërejt edhe ndonjë mangësi e vogël që, sipas meje, nuk duhet anashkaluar. Do të ishte e domosdoshme, fjala vjen, që kumtesat e lexuara të ishin shumëfishuar paraprakisht dhe të ishin vënë në dispozicion të pjesëmarrësve. Kjo do ta shtonte në një masë të madhe përvetësimin e ideve të lektorëve prej auditorit  dhe do të nxiste pyetje e diskutime me vlerë.
Nuk më rrihet pa vënë në dukje edhe ndonjë pakujdesi gjuhësore në rastet e paraqitjes së lëndës së përmbledhur në ekranet ballore. Në cilin paragraf të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është gjetur “rregulli” i shkrimit me shenjën e fraksionit, për të treguar njëherësh të dyja gjinitë, mashkulloren dhe femëroren? Më se një herë ranë në sy gabime drejtshkrimore të tilla si mësuesi/ja ose mësuesit/et etj. në vend të mësuesi e mësuesja, mësuesit e mësueset etj. Për fat të keq, kjo dukuri gjuhësore e gabuar po merr përmasa përherë e më të mëdha në shkrime të ndryshme, kinse ata që e përdorin, sjellin risi prej gjuhëve të huaja, ku, në kontekste të caktuara, edhe mund të jenë të pranueshme. Në një Seminar me arsimtarë të kualifikuar nga ana profesionale, gabime të tilla do të ishin të papranueshme.
Gjithsesi, pavarësisht ndonjë vërejtjeje, vlerat e Seminarit të sivjetshëm mbeten të lavdërueshme, kurse mbresat të pashlyeshme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›