E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi debatin real dhe verbal kushtetues

Debati më i fundit politik lidhur me “krizën kushtetuese” nxori edhe njëherë në pah problemet ende të mëdha të kuptimit dhe zbatimit të Kushtetutës në Shqipëri. Burimi i debatit mbetet në dukje parimor: më 6 qershor ka skaduar mandati i kryetarit aktual të Gjykatës Kushtetuese (mandati i tij si anëtar vijon edhe 6 vjet të tjera), dhe pas asaj date nuk kemi një emër të ri në krye të gjykatës. Disa deputetë të maxhorancës nga foltorja e Kuvendit dhe në emër të partisë kryesore qeverisëse, akuzuan presidentin për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Logjika dhe sjellja e tyre ishte tërësisht politike; ata nuk shprehën mendimin se mund të ketë vend të dyshuar për shkelje kushtetuese, por thanë verdiktin se shkelja është e rëndë, madje më e rënda në historinë e pluralizmit. Nëse merren seriozisht këto deklarata, atëherë të gjithë prisnim që deputetët dhe partitë e përgjegjshme pas tyre, në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, të ndërmerrnin nismë për shkarkim parlamentar të presidentit. Kjo nuk ndodhi, jo vetëm se shkelja e pretenduar nuk është e provuar, por edhe se është praktikisht e pamundur. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: përse atëherë nisi ky debat, cila është kriza reale, dhe si do të jetë epilogu? Sipas Kushtetutës dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i gjykatës duhet zëvendësuar pas 3 vjetësh, pasi nuk parashikohet nominalisht vijimi i ushtrimit të funksionit, si në rastin e institucioneve të tjera. Aktualisht, gjykata ka vetëm 5 anëtarë me mandate (nga 6 që kërkohen për të marrë vendime) sepse disa gjyqtarë të propozuar si zëvendësues nga presidenti, janë refuzuar nga parlamenti. Propozimet e presidentit janë bërë në muajin maj (përpara se të skadojë mandati i kryetarit), Kuvendi i ka rrëzuar ato me votim në korrik (një muaj pas skadimit të mandatit të kryetarit). Vetë Presidenca mund të ishte treguar më profesionale në menaxhimin në kohë të kësaj situate, p.sh me një shqetësim publik në maj, ose me takime zyrtare me palët politike parlamentare. Por, mbetet e qartë se nëse deputetët dhe partitë parlamentare do të kishin pasur shqetësim real thyerjen e Kushtetutës dhe plotësimin e vendit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë ato minimalisht do të duhej të ishin shprehur mbi dekretet e presidentit brenda 10-20 ditëve, pra, deri në 6 qershor 2010, gjë që nuk e bënë. Nëse maxhoranca do ta kishte seriozisht shqetësimin për Gjykatën Kushtetuese, mund ta shprehte atë në maj, në qershor, në korrik, dhe jo pas shpërndarjes së parlamentit për pushimet sezonale.
Nga një analizë profesionale është e qartë se sulmi politik ka disa drejtime. Së pari, nis një fushatë denigruese ndaj presidentit për shkak të qëndrimeve të tij kritike për ligjin e SHISH-it. Së dyti, vijon fushata denigruese dhe presioni politik mbi vetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për shkak të vendimeve të tyre për antikushtetutshmërinë e disa ligjeve. Së treti, tërheq vëmendjen e opinionit publik nga probleme të tjera më shqetësuese dhe së fundi, në aspekt afatgjatë, i jep një mesazh refuzimi mundësisë së rikthimit të presidentit në partinë që e ka kandiduar për atë post. Kjo e fundit bëhet e dukshme sidomos pasi 2-3 deputetë të njohur për lidhje me presidentin, votuan kundër ndryshimeve në ligjin e SHISH-it, pra krijuan “minorancën bllokuese” bashkë me LSI-në dhe PR-në. Natyrisht, këto synime mund të jenë të justifikuara politikisht, por juridikisht janë të dëmshme, moralisht janë të gabuara dhe në aspekt afatgjatë, janë bazë për kriza të reja politike. është luks i tepruar që maxhoranca të mbajë ndezur një konflikt me presidentin, pasi ka konflikt politik me opozitën dhe konflikt institucional me një sërë institucionesh të tjera kushtetuese dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Duke e marrë të veçuar debatin rreth kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, shihet qartë se parlamenti i kushtëzoi presidentit detyrimin për të emëruar një kryetar gjykate nga katër në funksion, deri më 5 qershor, nga të cilët natyrisht jo të gjithë kanë aftësinë, përvojën dhe kualifikimin e nevojshëm për të qenë kryetarë të Gjykatës Kushtetuese. Siç njoftoi presidenti, kryetari aktual e refuzoi rikandidimin, dy anëtarë të tjerë u kontaktuan dhe nuk rezultoi në një zgjidhje. Në këto rrethana, procedura mbeti e ngrirë derisa të zgjidhen anëtarët e tjerë, në mënyrë që zgjedhja e presidentit për kryetar të jetë zgjedhje reale, midis shumë anëtarëve, jo e kushtëzuar midis 1-2 emrave që kanë mandat, dhe që nuk e refuzojnë kandidimin për kryetar. Ligji organik parashikon të drejtën e pushimit sezonal për Gjykatën Kushtetuese (nuk ka vendim dhe veprim ligjor gjatë muajit gusht), ndaj me nisjen e sezonit të ri parlamentar, do të duhet që kjo çështje të marrë zgjidhje përfundimtare. Zgjidhja mund të jetë e shpejtë (presidenti propozon disa emra për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, një prej tyre edhe për kryetar gjykate dhe parlamenti i miraton), problematike (parlamenti refuzon përsëri shumicën e dekreteve, ose edhe vetë dekretin mbi kryetarin e ri të gjykatës) ose përshkallëzuese (parlamenti ndjek procedurat e reja të saj 2-mujore, të hetimit dhe votimit kundër të dekreteve mbi të njëjtën logjikë dhe vlerësim politik, siç ka bërë deri tani). Në variantin më të mirë, kriza merr zgjidhje në tetor, në variantin më të keq, kriza bëhet më e thellë dhe zëvendëson edhe krizën politike të kutive të votimit, midis maxhorancës dhe opozitës. Natyrisht që ka palë shumë të interesuara edhe për këtë skenar, pavarësisht deklaratave dhe merakut publik mbi Kushtetutën dhe kushtetutshmërinë në vend. Në tërë këtë histori njëjavore, zhvillimi më negativ për mua nuk janë deklaratat politike ndaj presidentit, por fakti se si më 2003 dhe 2007 edhe më 2010 disa gjyqtarë me integritet në Gjykatën Kushtetuese refuzojnë të marrin përgjegjësinë e drejtimit të kësaj gjykate. Arsyeja është e thjeshtë: ata nuk janë të gatshëm të paguajnë një çmim të lartë personal vetëm për shkak të detyrës, siç janë sulmet e vazhdueshme verbale të maxhorancave të radhës kundër kryetarëve të kësaj gjykate. Sa herë merret një vendim nga gjykata për një ligj antikushtetues, shigjetat e sulmeve denigruese të partive të interesuara dhe mediave të tyre drejtohen nga gjykata dhe kryesisht nga kryetari i saj. Partitë dhe deputetët, mediat politike dhe zëdhënësit zyrtarë të palëve politike, e trajtojnë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese si një nëpunës të thjeshtë fshati; e denigrojnë atë, familjen, karrierën profesionale, dhe gjithçka që ai përfaqëson. Kështu ka ndodhur me tre kryetarët e mëparshëm të kësaj gjykate, kështu po ndodh edhe me kryetarin aktual, i cili edhe pse ish-zv/ministër i kësaj maxhorance, “gabim” të vetëm ka votimin si profesionist kundër ligjit të lustracionit dhe atij të marrëveshjes kufitare me Greqinë. Pra, debati njëjavor i kësaj vere të nxehtë po nxjerr në pah një krizë të thellë jo midis institucionesh, por një krizë besimi dhe kulture midis konceptit të shtetit të së drejtës, ndarjes e balancës së pushteteve, si dhe interesave politike të partive, të cilat vijojnë të jenë dominuese mbi sistemin dhe parimet kushtetuese në Shqipëri. Kjo, faktikisht është kriza reale, të cilës vijojnë t’i shmangen vetë institucionet e përfshira, partitë, deputetët, media dhe institucionet ndërkombëtare në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›