E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhin për skrap kabllon e telefonit të aeroportit, tre në pranga

Durrës

Tre punonjës kanë përfunduar në pranga për vjedhjen e kabllos telefonik të aeroportit “Nënë Tereza” për qëllim shitjeje. Dy elektricistët e aeroportit, Ilir Karaj dhe Kastriot Doda, në bashkëpunim me një nga rojat e sigurisë së objektit, pasi e kanë marrë kabllon e kanë djegur dhe telin e përftuar e kanë tregtuar për skrap në një pikë grumbullimi në Kamzë. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës deklaroi arrestimin në flagrancë të 20-vjeçarit Ilir Karaj nga Fushë-Kruja, të 28-vjeçarit me banim në Valias Kastriot Doda dhe 58-vjeçarit nga fshati Qerek i Krujës, Sami Kallari. Doda dhe Karaj janë elektricistë në Aeroportin e Rinasit. Dy ditë më parë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 22.30 kanë vjedhur 250 metra kabllo telefonik në aeroportin ndërkombëtar të vetëm të vendit. Ndërkohë, 58-vjeçari Kallari është arrestuar për arsye se ka lejuar dy elektricistët të vjedhin kabllon, të cilin ai e kishte detyrë ta ruante. Ndërsa dy elektricistët akuzohen për veprën penale të vjedhjes, ndaj rojës Sami Kallari ka nisur procedimi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›