E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi disa aspekte të edukimit dhe formimit të personalitetit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Autori është ligjërues në Universitetin Shtetëror të Shkupit si dhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës

Tani kur shënojmë 530-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit  -  Skënderbeut, simbolit të krenarisë sonë kombëtare, do të ndriçojmë edhe disa aspekte shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me edukimin, arsimimin dhe formimin e Skënderbeut si personalitet të shquar dhe me ndikim, jovetëm në epokën në të cilën jetoi dhe veproi, por edhe ndikimin e tij të fuqishëm në breznitë pas tij. Me veprën e tij të pavdekshme, ai u bë jo vetëm objekt i studimi i historianëve, diplomatëve, strategëve të luftës, ushtarakëve, sociologëve e politikanëve; por edhe burim i pashterrur frymëzimi për piktorët, kompozitorët, skulptorët, shkrimtarët e poetët si dhe krijuesve të tjerë nga fushat e ndryshme të artit e shkencës.

Për pedagogët, psikologët, sociologët dhe studiuesit e fushave interdisiplinare,  parashtrohet një pyetje shumë me rëndësi: Cilët janë ato faktorë që ndikuan në formimin e personalitetit të tij madhështor? Çfarë edukate mori ai në fëmijëri dhe në rini? Ku dhe si u arsimua? Çfarë roli kishte vetëaktiviteti i tij në formimin dhe zhvillimin e aftësive të tij intelektuale, morale, fizike, shëndetsore dhe mbi të gjitha - Luftarake?

Për t’u përgjigjur në këto pyetje kyçe, duhen bërë studime të shumta dhe qasje shkencore interdisiplinare. Lidhur me edukimin, arsimimin, zhvillimin dhe formimin e personalitetit të tij, na ofrohen të dhëna të pjesshme të autorëve shqiptarë, por edhe nga disa të huaj, të cilët për figurën e tij madhështore flasin me respekt dhe admirim të madh. Historiani ynë i mirënjohur dhe humanisti - Marin Barleti (1450-1512)  në veprën e tij kapitale “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, princit të Epirotëve”, krahas të dhënave dhe burimeve që na jep lidhur me historinë e arsimit shqiptar përgjithsisht, në disa vende na jap të dhëna edhe lidhur me edukimin, arsimimin dhe formimin e personalitetit të Skënderbeut.

Duke studiuar këte vepër nga aspekti historiko-pedagogjik mund të nxjerrim përfundime të rëndësishme lidhur me qëllimin dhe përmbajtjet e edukatës shqiptare të kësaj periudhe,  të cilat kryesisht ishin: adukimi i atdhedashurisë,  edukimi fizik dhe ushtarak të gërshetuar me frymën liridashëse dhe me motive të larta të patriotizmit dhe atdhedashurisë. Ky nuk ishte një edukim i rastit dhe spontan, por përkundrazi, një edukim i organizuar që bazohej në traditat e hershme të edukimit iliro-shqiptar.

Prandaj, në veprën e Barletit “flitet për stërvitje, për kalitje të vazhdueshme të rinjve që të përgatiten si ushtarë të zotë e të aftë, për disiplinë e urtësi, për vigjilencë, për organizimin e veprimeve të shpejta, për të kapur armikun në befasi, për lodra me karakter ushtarak... për gara ushtarake etj. Në bazë të kësaj tradite edukative shqiptare u frymëzua, i edukua edhe heroi ynë legjendar në moshën më të hershme.

            Mirëpo, ky edukim nuk zgjati shumë, sepse Gjergji i vogël, së bashku me vëllezërit e vet u dha peng te sulltani. Në oborrin e sulltanit, sikurse qëllimi, po ashtu edhe përmbajtjet e edukimit ishin krejtësisht ndryshe. Lidhur me këte, Barleti shkruan:  “...Tiranit (sulltanit - N.A.) ia kishte qejfi sidomos Skenderbeun, si për vetë natyrën e tij,  si për moshën, sepse sapo kishte hyrë në vitin e nëntë. Ai nuk e la pa mësues të ndryshëm, se kjo moshë është më e aftë për të mësuar. Kështu, brenda një kohe të shkurtër, mendja e tij, e gatshme për çdo gjë, mësoi gjuhën dhe letërsinë turke, arabe, greke, italike dhe sllave. E, ndërsa bashkë me moshën po i shtoheshin pak nga pak edhe fuqitë, djaloshin e pushtoi vetëm një dëshirë: të mos i shpëtonte asgjë pa provuar në trimërinë luftarake...”. Në këtë mënyrë pra, Gjergji, qysh në moshë të njomë, duke u rritur dhe zhvilluar fizikisht dhe psiqikisht, shumë shpejt filloi të jepte prova të aftësive dhe gatishmërisë trupore “herë me shpatë, herë si kalorës e herë si këmbësor, të bënte   gjithëmonë me guxim diçka më të madhe se mosha e tij...”. Në këtë mënyrë, duke u matur ditë për ditë me moshatarët e vet në gara të ndryshme, i lindi dëshira për afirmim dhe për të fituar simpatinë dhe famën para të gjithëve, e sidomos simpatinë e sulltanit.

Këtu duhet theksuar se Skënderbeu, qysh me lindjen, nga prindërit dhe të parët e vet trashëgoi dispozita të fuqishme psikofizike, të cilat në rrethanat konkrete, patën një zhvillim të hovshëm, në mënyrë që të dallohet shum larg nga moshatarët e vet. Kështu “me krahët e vet viganë, ai përballonte detyra të vështira ...duronte urinë, etjen, të ftohtët, vapën, pagjumësinë dhe me këto gjëra... u gatit shumë mirë... për çdo fushatë ushtarake. Prandaj, Murati e gradoi së pari me gradën e sanxhakut”. Në bazë të këtyre pak të dhënave të  Barletit, mund të konstatohen disa vlera edukative, të cilat Gjergji i ri i mori në oborrin e sultanit: pos shqipes, të cilën e kishte gjuhëë nëne, mësoi shumë gjuhë të huaja, lexoi vepra letrare, duke fituar një kulturë të gjerë. Mirëpo, ajo çka ishte më me rëndësi, këtu i ushtroi dhe përvehtësoi shkathtësitë luftarake, në sajë të cilave  më vonë do të bëhet i famshëm, si luftëtar trim, udhëheqës dhe strateg luftarak.

Lidhur me edukimin e Skënderbeut në oborrin e sulltanit, disa të dhëna gjejmë edhe në veprën e Fan Nolit “Historia e Skenderbeut” ku në mënyrë kritike vlerësohen ngjarjet historike. Noli shkruan: “Në oborrin e sulltanit, Skënderbeu mori arsimin e princërve të shtëpisë mbretërore. Mësoi, veç turqishtes, arabishten, greqishten, sllavishten dhe italishten. Mësoi mjeshtërinë e luftës, në libra më parë, në fushë pastaj. Sa pa rritur mirë, i lutej sulltanit që t’i jepte leje të merrte pjesë në betejë, po ky s’e linte, duke e gjykuar tepër të vogël. Në përdorjen e shpatës, të arkut, të ushtës dhe në ngarjen e kuajve s kishte shok në pallat...”. Sipas Nolit, Skënderbeu gjuhën sllave dhe italishte i kishte mësuar gysh si i vogël në Shqipëri, nga kancellarët që mbante i ati i tij Gjoni për korespondencat në këto gjuhë.

            Me figura të fuqishme stilistike, Noli bën portretizimin e Skënderbeut, duke vënë në pah vletar e tia morale dhe estetike: “I gjallë, i hijshme, me një trup të derdhur prej statuje, me sy të squar, që nxirrte shkëndija, ishte, pas dëshmimit të njëzëshme të historianëve të vjetër, një ëngjëll bukurie dhe madhështie mashkullore. Çdo vijë e fytyrës, çdo vijë e dorës, çdo fjalë, çdo hap i këtij djali tregonte të birin e mbretit dhe njerinë e veprave të mëdha. Kur lëftonte..., përvishte mëngët për të përdorur më lirisht shpatën e jataganin... Bukuria dhe madhështia trupësore ishin një trashëgim në shtëpinë princore të Kastriotëve” .

            Ky përshkrim i gjallë që i bën Noli pamjes së jashtme të Skënderbeut (bazuar në kronikat e kohës) dëshmon qartë për një edukim dhe zhvillim harmonik fizik, moral intelektual dhe psikomotorik të Skënderbeut, duke përfshirë këtu edhe faktorin e trashëgimit, të dispozitave dhe aftësive që kishte familja e Kastriotëve.

Duke u mbështetur në burime të huaja historiografike, Noli jep përshkrim përkatës të figurës ushtarake të Skënderbeut, e cila kuptohet, është rezultat i arsimimit të vazhdueshëm, ushtrimeve permanente dhe aktivitetit të tij krijues. Ajo që e karakterizonte Skënderbeun në luftë, sipas Nolit, është fakti se ai njëkohësisht ishte edhe strateg edhe ushtar. Skënderbeu merrte pjesë aktive në të gjitha betejat dhe luftimet, duke qëndruar gjithëmonë në ballë të ushtarëve. "Sipas fjalëve të një dashamiri që e kishte shërbyer në të njëjtën ushtri me te, i vetëm ishte më i tmerrshëm për armikun se të gjithë ushtria e tij. Energjia e tij ishte e pakufishme. Nuk i trembej as të nxehtit, as të ftohtit... pesë orë gjumë të përditshëm, në truall të fortë ishin të mjaftueshme për te...”.

Këto pra, ishin kushtet në të cilat kalitej trupi i fuqishëm e i qëndrueshëm i tij. Krahas kësaj kalitej edhe karakteri i tij i fortë, qëndrueshmëria, heroizmi, sakrificia. Ndër të gjitha cilësotë pozitive morale të tij, duhet dalluar kujdesi i vazhdueshëm i tij ndaj ushtarëve dhe ndjenja e drejtësisë. Taktika e tij luftarake ishte: godit e vrapo, me qëllim që armiku të futet në grackë dhe të shpartallohet më lehtë. Megjithëse tërë jetën e vet e kaloi në fushëbeteja, ai vetëm njëhërë ishte plagosur në shpatull. Besohej se ishte i paprekshëm. Ai kishte një guxim provokues luftarak ndaj armikut.

Historiani i madh austriak, Jozef fon Hamer, në vëllimin e parë të veprës së tij  madhështore “Historia e Parandorisë Osmane”, “Skënderbeu, bashkëkohës i madh i Huniadit dhe rival në famën e betejës, ngritet përpara syve tonë si trim i luftës çlirimtare duke e lidhur shikimin tonë me kohën e sundimit të Muratit të II ... dhe Mehmetit të II. Gjergj Kastrioti, i biri më i ri i Gjon Kastriotit sundimtarit të Emathisë, së bashku me tre vëllezërit iu dha sulltanit si peng t’i shërbejë në saraje dhe në Portë. Kararakterizohej me cilësi fizike e shpirtërore... dhe i edukuar si mysliman...  Me guximin e tij që tregoi në shumë dyluftime dhe në sfidat e luftës fitoi mëshirën e lartë të sulltanit dhe emrin Iskender-beg...

Ky historian i shquar shkruan gjërësisht mbi veprat heroike të Skenderbeut, trimërinë, guximin, aftësitë luftarake, kthimin e tij në Sgqipëri, rezistencën ndaj sulltanëve etj.

Në zhvillimin dhe formimin e personalitetit historik të Skënderbeut ndikim më të fuqishëm pati edukata në familje. Familja e Kastriotëve ishte shumë bujare dhe me një traditë sjelljesh e raportesh ku kultivohej nderi, trimëria e krenaria.

Poeti ynë i mirënjohur – Naim Frashëri, megjithëse në formë poetike, në “ Historinë e Skenderbeut “  jep një pasqyrë tË qartë ndikimin edukativ në këtë familje :

“ Mbretëresha . . . ishte shumë punëtore edhe e urtë dhe e zgjuar  ;

për çdo punë i vinte dore, ish e mirë dhe e lëvduar “ [1]

Edhe porosia  adukative e Gjonit ndaj bijve ishte e fuqishme: ai i porosit djemtë që tërë jetën të mësojnë, të jenë të urtë e të mirë, ti duan njerëzit,  ti ndihmojnë,  por mbi të gjitha ta duan gjuhën shqipe mëmëdheun dhe Sqipërinë :

“ . . . nat e dit ’të këndoni,  çdo q’u duhet ta dini;

gjithë gjuhët ti mësoni,  por shqipen mos e lini “ [2]

Edukimi familijar ngjalli te Skënderbeu jovetëm dashuri të pashuar  ndaj familjes,  vedlindjes,  gjuhës shqipe dhe ndaj mbarë popullit. Kjo edukatë pati ndikim të fusishëm në formimin e personalitetit të tij.

Lidhur me  edukimin e Skenderbeut sami Frashëri shkruan: “ Meqë ishtë jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm fitoi simpatinë dhe dashurinë e padishahut, i cili e quajti Skender . . . Qe edukuar bashkë me princin Sulltan Mehmet Hanin e II . . .  Ishte aq i fortë dhe trim saqë kur dilte në dyluftim . . .  asnjëherë nuk  humte. “ [3]

Më në fund,  lidhur me personalitetin e fuqishëm e madhështor të Skenderbeut mund të konstatojmë se ai është  rezultat jovetëm i aftësive dhe dispozitive të trashëguara nga familja mbretërore e Kastriotëve,  por edhe i një edukimi të fuqishëm familjar,  por edhe institucional në oboriin e sulltanit.

Ështja e edukimit dhe formimit të personalitetit të tij është dhe gjithëmon do të jetë objekt studimi dhe interesimi i pedagogëve, psikologëve, sociologëve dhe studiusve të fushave të tjera. Jeta  dhe vepra e tij heroike  poashtu do të ketë ndikim të fuqishëm edukativ te gjeneratat e reja dhe do të shërbejë si frymësim dhe sfudë për edukimin e brezit të rij për vepra madhështore.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›