Nga Holanda në Kubë, udhëtimi i dyshes Rama-Veliaj për t’u frymëzuar nga Fideli
Dërgata e Edvinit ka ndaluar për pak kohë në Holandë, ku është mbajtur një festival i madh ylberist, ku janë predikuar edhe të mirat e martesave brenda gjinisë, ndërkohë që pas SHBA-së, ajo do ndalë në Kubë, ku Fidel Ylli mësohet se po bën lobing për një takim me diktatorin Fidel Kastro. Me ekipin është bashkuar edhe sekseri i lejeve të ndërtimit Dritan Agolli, i cili në Tiranë i paska aq të mëdha zullumet, saqë po mendohet që të stabilizohet përfundimisht në ndonjë azil të përtejAtlantikut
TIRANE – Udhëtimi shumëqëllimësh i Edi Ramës dhe Erjon Veliajt drejt SHBA-së po financohet nga një sponsor “i fuqishëm”, ndërsa mësohet se ai ka pasur një destinacion të panjohur fillimi dhe do ketë një fund, që nuk është SHBA-ja. I financuar nga Fidel Ylli, deputeti “i politikës së re” që vjen “përtej së majtës dhe të djathtës”, udhëtimi i Ramës e Veliajt, ka startuar nga Holanda, aty ku dy humbësit zgjodhën për të ngushëlluar veten, në një aktivitet të rëndësishëm të komunitetit ylberist në këtë shtet. Duke marrë shkas nga debati për miratimin e një projektligji të mundshëm për martesat e personave të të njëjtit seks në Shqipëri, përvoja holandeze e prekur nga afër, do të shërbejë për Ramën dhe Veliajn, si trampolinë, jo vetëm që ata të bëhen pjesë e këtij debati publik në Shqipëri, por edhe që ta peshojnë si duhet ligjëratën mbrojtëse, kur në parlament, Fideli të flasë për dobitë e këtij ligji. Bashkë me ta, në udhëtimin e lartpërmendur është edhe Dritan Agolli, një i shumëpërfolur për rolin e tij në lëvrimin e 20 përqindëshave, që Edvini merrte nga akordimi i lejeve të ndërtimit. Siç mësohet, Agolli e ka bërë baltë me shkresat dhe kryebashkiaku po mendon se është një rast i mirë që Tani të rrijë përgjithmonë në SHBA, pasi tani atij mund t’i jepet rasti që edhe të përfitonte një të drejtë azili, meqenëse mund të ketë rast të vertetojë se ka dyshime se në Shqipëri nuk do të ketë mundësi që t’i garantohet një gjyq i drejtë për hyneret e tij korruptive. Qëndrimi në Holandë i dërgatës socialiste ka pasur si qëllim pjesëmarrjen në festivalin ylberist dhe nuk ka zgjatur më shumë sesa ka zgjatur aktiviteti unisex i të lartpërmendurve, por është pasuar më tej me udhëtimin drejt SHBA-ve, ku “Fidel-Travel”, ka mundësuar veç sponsorizimit, edhe disa ditë relaksi (nuk është e qartë nëse faturat e dezintoksikimit janë në të njëjtat llogari, apo ato kanë donatorë të pavarur, ende të panjohur nga gazeta). Ndërkohë, mësohet se Fidel Ylli u ka rezervuar një surprizë Edi Ramës dhe Erjon Veliajt (s’dihet ende nëse pjesën finale të paketës turistike do ta përfitojë edhe Agolli), duke u bërë si “dhuratë” një udhëtim tek një tjetër Fidel, por këtë herë, në ishullin e Kubës. Ylli ka qenë edhe më herët në këtë ishull, para pak vitesh, teksa është paraqitur si një biznesmen i ri i Shqipërisë komuniste, por tashmë, me thellimin e njohjeve me këtë ishull komunist, Fidel Ylli mendon se Rama dhe Veliaj, do të kenë ç’të mësojnë nga Fidel Castro, ndoshta jo aq për revolucionin komunist, sesa për novitetet e kulturës së korrupsionit. Merret me mend se axhenda nuk i ka përvijuar ende detajet finale dhe s’është mësuar akoma, nëse Edi Rama dhe Erjon Veliaj do të kenë ndonjë takim me Fidel Castron, sikurse nuk është konfirmuar as ndonjë takim i mundshëm me pasardhësin Raul Castro. Gjithsesi, Fideli ka atje njohje jo aq të reja e ndoshta argëtime që do të mund t’ia heqin dyshes Rama-Veliaj stresin e humbjes katastrofike në zgjedhjet e 28 qershorit.
...