E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi disa nga ato “pikat specifike”

TIRANE - Situata e ballafaqimeve të ashpra midis forcave politike në këtë periudhë paraelektorale po ndikon të ushtojë edhe një kakofoni e dëmshme, që pengon arritjen e standardeve bashkëkohore për realizimin e zgjedhjeve të pritshme të 8 majit. Rrjedhimisht, nëse mosmarrëveshjet apo mungesa e vullnetit politik do të vazhdonte edhe për pak javë, nuk do të dukej çudi që procesi zgjedhor ose të bllokohej, ose të kontestohej. Dhe, në të dyja rastet, kriza komplekse dëshpëruese që e ka ngërthyer vendin qysh prej 20 muajsh do të thellonte më tej përmasat dramatike të saj. Kjo gjendje me sa duket rëndohet intensifikueshëm edhe prej kohës së shkurtër që mbetet deri në datën e dekretuar për zhvillimin e zgjedhjeve, çka ndikon në shprehjen e artikulimeve të ndryshme dhe kundërthënëse për krijimin e kushteve të domosdoshme në realizimin e këtyre zgjedhjeve.
Kështu, për shembull, përfaqësues të forcave përbërëse të koalicionit qeverisës ndonëse deklamojnë në ekrane, se aspirojnë dhe se përpiqen për të arritur në evenimentin e 8 majit standarde demokratike, aty për aty i përvishen me anatema verbale opozitës, e cila kërkon në këtë kuadër ndërmarrjen e masave të nevojshme. Ndërkohë që, edhe Ambasadori i OSBE – së në Shqipëri, detyra kryesore e të cilit është të vëzhgojë dhe të ndikojë për instalimin e standardeve demokratike në proceset elektorale që zhvillohen në shtetin ku është akredituar, të aktivizohet seriozisht për aplikimin këtu të të gjitha rekomandimeve të dhëna nga Organizata që përfaqëson, prej disa muajsh rresht që kur zbriti në Tiranë paraqet të njëjtin qëndrim të mefshtë, të cilin e vetëpërkufizoi javën e kaluar në Lezhë, duke iu drejtuar elektoratit shqiptar: “Ju keni gjithçka për të pasur zgjedhje të lira dhe të drejta...” Të jetë ky qëndrim produkt i mosnjohjes së problemeve që i janë ngarkuar të zgjidhë, apo rezultat i klimatizimit të tij me atmosferën e trazuar shqiptare? Nejse, nuk ia vlen që të shtrojmë në këto radhë hamendje të dyshimta dhe emërtime negative, të cilat gëlojnë në opinionin publik të vendit tonë për disa nga diplomatët e huaj. Gëlojnë sikurse edhe për Ambasadorin Arvizu, qysh kur ky e quajti Kryeministrin shqiptar, pas ngjarjes së dhimbshme tërë revoltim të 21 janarit, si “një burrë shteti”. Edhe kjo mund të ishte një lajthitje, ose mosnjohje e gjendjes reale të administrimit të punëve në Shqipëri. Megjithatë, tema e këtij komenti kërkon përqendrim te situata parazgjedhore. Prandaj, nuk do të ishte aspak e tepërt që ta hedhim vështrimin te citimet më të fundit rreth kësaj situate. Pas theksimeve të vëna nga kancelaritë perëndimore, që prej disa kohësh e kanë bërë të qartë qëndrimin për t’i konsideruar zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri si një test në hapjen e rrugës së integrimit të saj drejt Bashkimit Europian, nga fundi i javës së shkuar ishte Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Ian Kelly, i cili gjatë një deklarate të tij apostrofoi, veç të tjerash, te përqendrimi i vëmendjes së palëve aktualisht në organizimin e zgjedhjeve me standardet më të larta demokratike. Sepse – sipas tij – këto zgjedhje “janë një forum i ligjshëm për diskutimin dhe efektin e ndryshimeve politike”. E pra, gjuha diplomatike më qartë se kaq nuk mund të shprehet. Njëherazi, nuk këshillohet që ajo të antonimojë përmbajtjen e të njëjtave çështje nga shprehjet e homologëve të të njëjtit shtet me autoritet të pazëvendësueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Siç ndodhi me një deklaratë të Arvizu–s, që po javën e kaluar iu drejtua elektoratit shqiptar me idenë, sipas së cilës, tani priten zgjedhjet më të mira të mundshme(?!). Sidoqoftë, pak orë përpara se të shprehej kështu, gjatë një takimi në Fier, ato që u dëgjuan nga goja e tij ishin: “Nuk ka kohë për ndryshime në Kodin Zgjedhor, as në KZAZ...Por, nga ana tjetër mendoj që është e mjaftueshme koha për të trajtuar disa nga pikat specifike të këtij Kodi Zgjedhor”.
Më së paku pjesës së parë të kësaj deklarate mund t’i vihet një pikëpyetje e madhe. Sepse, në një raport të këtyre ditëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (më saktë, të përfaqësuesve të maxhorancës në këtë organ) “argumentohej” zëvendësimi arbitrarisht i anëtarëve të opozitës në të gjitha KZAZ – të me situatën ekstra – ligjore. Por, edhe me një emërtim të tillë të situatës, kurrsesi nuk mund të justifikohet një masë thellësisht antiligjore që mori KQZ – ja; nuk mund të justifikohet kurrsesi një masë e tillë, ngaqë e tërë fryma e Kodit tonë Zgjedhor të shpie te balancimi i forcave politike vendase, të cilat konkurrojnë ndërmjet tyre gjatë proceseve zgjedhore demokratike, për të merituar me votat vetjake, të lira, të barabarta dhe të fshehta të elektoratit shqiptar administrimin e punëve publike brenda juridiksionit të shtetit. Këtë herë, të deklarosh që nuk ka kohë për ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe, në të njëjtën kohë, të shprehesh që pikërisht për këtë arsye nuk duhet respektuar ai, vështirë apo e pamundur që logjika më elementare të të detyrojë, të të shtyjë të gjesh ose të pranosh ndonjë mirëkuptim në këtë drejtim.
Madje, anomalia interpretative e deklaratës së zotit Arvizu bëhet akoma më e ndjeshme në vazhdimësinë e saj, kur diplomati tregon që e paska gjetur kohën, gjatë së cilës qenka e mundur të trajtohen disa nga “pikat specifike” të Kodit Zgjedhor. Me sa duket, oratori shumë shpejt është orientuar në qëllimin dhe nevojën e ligjërimit për zgjidhjen e ca problemeve që e trazojnë atmosferën tonë. Domethënë, vërtet që nuk ka kohë për të riformuluar tërë Kodin Zgjedhor, i cili s’ka penguar që në Shqipëri, fjala vjen, procesi elektorale i 2009 – s të zhvillohej në mënyrë sa më të drejtë dhe sa më të ndershme, por është injoruar dhe shkelur ky Kod nga maxhoranca jonë parlamentare. Është injoruar dhe shkelur aq sa asnjëherë lideri dhe përfaqësues të tjerë të saj nuk pranuan sinqerisht dhe penguan plotësisht kryerjen e transparencës së administrimit të atyre zgjedhjeve. Pikërisht, prej këtij kundërshtimi të tipizuar nga arroganca monokratike startoi një krizë e thellë dhe e gjithanshme, e cila i shtoi edhe të tjera viktima listës vrastare të kësaj Qeverie. Pra, me termin “pika specifike”, fjalët të çojnë te ndërmarrja e disa masave të pjesshme, por edhe të nevojshme; te disa masa që mund të kenë karakter teknik, por edhe te disa të tjera me karakter parimor, që do të ndihmonin për proklamimin e zgjedhjeve të 8 majit si “një forum i ligjshëm për diskutimin dhe efektin e ndryshimeve politike”. Nëse, ndër masat teknike jo fort të kushtueshme mund të përmendej pajisja e çdo qendre votimi me aparaturën (serverin) për vlefshmërinë e kartave të identitetit apo pasaportave me të cilat paraqiten votuesit, ato që kërkojnë ndërhyrjet e mundshme dhe më të domosdoshmet në këto kushte janë disa, të cilat sigurisht që do të përmbanin formulime ligjore, në respekt dhe zbatim të Kushtetutës, për të siguruar proces të lirë, të drejtë dhe të besueshëm.
Njëra prej tyre është, pa dyshim, rikonceptimi dhe riformimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në tërësinë e tij dhe jo vetëm nëpërmjet ndryshimeve të pjesshme në këtë organ. Zëvendësimi i kryetarit ose i anëtarëve të veçantë të KQZ-së do të krijonte probleme në shkelje të ligjit, sepse ndërprerja e mandatit të tyre nuk mund të bëhej veçse me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një ose disa veprave penale të caktuara. Ndërsa, në rrethanat e sotme kur, pas miratimit të Ligjit nr. 9904, datë 21.04.2008 KQZ – ja nuk vazhdon të listohet në Kushtetutë krahas disa institucioneve të larta shtetërore, si edhe kur përvoja e dy viteve të fundit hodhi dyshime të rënda mbi organizimin dhe shfrytëzimin plotësisht politik në mënyrë dukshëm të njëanshme të tij, trajta më e arsyeshme dhe më e besueshme që do të merrte ky organ mund të qe ushtrimi i funksioneve tërësisht administrative nga persona të zgjedhur si ekspertë të kësaj fushe. Nëse maxhoranca parlamentare do ta vështronte këtë formë si një dështim të vetin dhe, prandaj, do t’i rezistonte miratimit të saj, atëherë mund të shqyrtohej aplikimi i një formule alternative që do të kishte përsëri në bazë të saj përfaqësimin politik. Pra, formulën 3+3+1, që nënkupton një organ me përbërje më të balancuar: 3 anëtarë të KQZ – së të zgjedhur nga maxhoranca, 3 të tjerë nga opozita dhe 1 anëtar i propozuar nga Presidenti i Republikës, i cili përfaqëson unitetin e popullit.
Një tjetër ndryshim, apo plotësim që mund t’i bëhet Kodit Zgjedhor ka të bëjë me sigurimin e mëtejshëm të garancive për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, për mosdevijimin e destinacionit të votave të tyre. Nga përvoja e hidhur gjatë procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 u vërtetua që ankimi i votuesve si e drejtë kushtetuese mbetet gjithsesi e cenuar me funksionimin vetëm të një Kolegji Zgjedhor, që konsiderohet shkallë e dytë e gjykimit. Mirëpo, neni 43 i Ligjit Themelor të shtetit parashikon, se: “Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe”. Me këtë përcaktim shfaqet parimi i rishikimit të vendimeve të gjykatave të shkallëve më të ulëta nga gjykatat e shkallëve më të larta deri te Gjykata e Lartë. Nëse ky proces ndërpritet dhe shkëputet nga hallkat e tjera të domosdoshme, atëherë në çdo rast nuk mund të bëhet fjalë për efektivitet të së drejtës së ankimit dhe kurrsesi për një proces të plotë ligjor dhe të drejtë gjyqësor. Në këtë kuadër, kontestimet e mundshme për të gjitha zgjedhjet, aq më tepër për këto të pritshmet që janë të mbështjella nga një atmosferë shumë e ndezur politike, do të krahasoheshin me atë bishtin e litarit lënë jashtë varrit, i cili ysht të gjallët të kacafyten përherë me njëri–tjetrin derisa të shtrëngojnë një herë e mirë fundin e atij litari.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›