Mbi efektin tinëzar të pornografisë

Amis nuk e sulmon pornografinë në bazë të parimeve morale apo religjioze, por shprehet i shqetësuar për shkak se, siç thotë, e sheh efektin tinëzar të saj jo vetëm ndaj vetë natyrës së marrëdhënieve seksuale, por edhe në natyrën njerëzore përgjithësisht.
Në një intervistë me gazetarin e ‘Slate Magazine’, Jacob Weisberg, Amis sqaron se prania e përgjithshme e materialeve eksplicite vetëm sa e thellon hendekun ndërmjet seksit dhe dashurisë, kështu që, si rezultat, edhe “stili i gjithë këtij operacioni ka ndryshuar përgjithmonë”.
“Sikurse të gjithë meshkujt, as unë nuk ndiej ndonjë refuzim të madh [ndaj pornografisë], por mendoj se pasojat e saj janë të pamatshme, të thella dhe të rrezikshme. Problematike është qasja në materiale pornografike.
Supozohet se çdo fëmijë ka qasje në pornografi – madje, sapo të fillojë të ecë. E, ky është një sulm i madh ndaj çiltërsisë së tyre”, sqaron Amis.
“Në shoqëri po ndodhë njëlloj disociacioni i seksit dhe dashurisë, dhe kjo gjë sa vjen e thellohet. Pornografia duhet të lirohet nga kuptimi i seksit. Në kozmosin pornografik nuk duhet të ekzistojë kuptimi”, përfundon ai.
Përveç qëndrimeve të shprehura për pornografinë, në intervistë Amis flet edhe për romanin e tij të fundit, “Lionel Asbo: State of England”, për qëndrimet e tij ndaj kandidatit republikan për president të SHBA’ve, Mitt Romney, por edhe për jetën e mikut të tij të afërm, gazetarit dhe shkrimtarit, Christopher Hitchens.