E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telenovela Edi Rama&Co

Debati i brendshëm në Partinë Socialiste duket se ka kaluar normalen duke përfshirë si median, ashtu dhe
opinionin publik se çfarë do të ndodhë me pesë deputetët e kësaj partie, që kanë shpallur tashmë linjën ndryshe ndaj kryetarit të PS, Edi Rama.
Që në krye të herës le të themi se cilido të jetë vendimi i forumeve të Partisë Socialiste për vendimet dhe veprimet e pesë deputetëve socialistë, Edi Rama, në çdo rast e rrethanë, do të bënte gabim me përjashtimin e tyre nga partia. Madje kjo do të ishte po aq e vërtetë edhe nëse këtë vendim do ta merrnin vetë strukturat e kësaj partie, ashtu sikurse ndodhi në kongresin e 2003, kur Metën dhe një grup të madh të PS “i përjashtuan” me votë nga strukturat drejtuese.
Por edhe pesë deputetët kundërshtarë të Ramës, janë prej kohësh duke luajtur sylla-mbylla (lojë fëmijësh) me partinë ku aderojnë.
Herë dalin, herë fshihen, herë thonë do hyjmë në parlament, herë thonë se duan të hapen kutitë. Herë thonë se duan mandatin e deputetit, herë thonë se zbatojnë vendimet e forumeve të partisë.
Të pestë, nuk janë të qartë, nëse duhet të hyjnë në parlament apo jo. E thonë këtë nga mëngjesi në darkë me deklarata, por parlamenti aty është, po pret. Dhe këta përfaqësues të nderuar të tempullit të ligjit, nuk shkojnë në Parlament. Arsyet se pse, nuk janë kaq të thjeshta, dhe duket se deputetët kanë marrë përsipër një nismë, që nuk po i shkojnë dot deri në fund.
Pesë deputetët e Partisë Socialiste, në asnjë rast nuk janë shprehur qartë dhe prerë nëse do të donin të hapeshin kutitë dhe të numëroheshin votat apo jo (të paktën, të pestë në një zë). Frika se me ndonjë rrëzim të mundshëm të rezultatit të kutive, do të rrëzohej dhe kauza e tyre politike për largimin e Ramës nga partia, i bën paksa dyshues. Sepse, nëse pretendimet e Ramës për manipulim të votave, do të vërtetoheshin nga hapja e kutive, koha do t’i jepte të drejtë kryetarit aktual të Partisë Socialiste, dhe do të vendoste përpara një lloj përgjegjësie morale deputetët e vjetër të PS. Ndoshta këta ligjvënës, besojnë më shumë në ndryshimin e rezultatit pas hapjes së kutive, sesa të kundërtën.
Ana tjetër e medaljes, është presioni psikologjik që ushtrohet ndaj maxhorancës së deputetëve të PS.
Secili prej tyre, del çdo ditë në një organ mediatik dhe deklaron gjithmonë: do të hyjmë në kuvend: e filloi Blushi, e vijoi Islami, më pas Malaj, mandej Harasani e në fund Marko Bello. Duket se mesazhet në fakt i shkojnë më shumë për shtat Berishës sesa zyrtarëve të PS: Të thuash përditë se do të hyj në parlament, dhe asnjëherë të mos e ndërmarrësh këtë hap, do të thotë se nuk je i qartë në kauzën që mbron. Por Berisha ndihet më i qetë kur në distancë, pesë deputetë të Partisë Socialiste i thonë përditë: zotëri, ne për reformat e mëdha do të hyjmë në parlament, (edhe pse numri i tyre nuk i plotëson sërish mandatet që kërkohen për miratimin e ligjeve më të rëndësishme në vend). Pra vetvetiu kuptohet: zoti Berisha, mos i hap kutitë se ne jemi këtu, do të hyjmë në parlament.
Por loja kukamfshehti, ndoshta nuk mund të vazhdojë shumë gjatë. Pesë deputetët ose do të zbatojnë definitivisht kërkesën e strukturave të PS duke zbatuar edhe rregullat e brendshme të kësaj partie, ose duhet të shkojnë, në mënyrën më ligjore të mundshme në parlament, dhe aty të bëjnë opozitën e vërtetë.
Por ndërsa pesë deputetët janë duke bërë përditë gabimet e tyre, po aq po gabon edhe kryetari i PS Edi Rama. Në fund të fundit, nuk e vendos Edi Rama i vetëm, nëse “do të ketë pasoja” apo jo për deputetët që hyjnë në parlament. Edi Rama mund të flasë për frymën politike të kësaj partie, por nuk është ai garanti i statutit të kësaj partie. Edi Rama duket se është tepër i irrituar kur thotë se pasojat do të bien mbi deputetët. Lideri aktual i Partisë Socialiste, do të bënte mirë që në krye të herës të hynte në parlament. Të legjitimonte deputetët që përfaqësojnë Partinë Socialiste. Të merreshin mandatet. Të regjistrohej grupi parlamentar. Kështu s’do të mund të largohej nga grupi as Shpëtim Idrizi, sepse ndryshimet e grupit bëhen vetëm njëherë në gjashtë muaj. E pas kësaj, të mund të merrte postin e nënkryetarit të kuvendit, i cili i takon opozitës. Të merrte katër komisione të rëndësishme parlamentare në kryesimin e tyre. E pasi të kishte legjitimuar aty forcën e vet politike, mund të parashtronte kërkesat e tij në kuvend, dhe më së shumti, atë më kryesoren, të hapjes së kutive. Dhe kishte kohë të merrte vendime politike në forumet e veta pa fund.
Por në këtë luftë ekstraparlamentare që po zhvillojnë të dy palët, asnjëri nuk del i fituar. Rama kërcënon, grupi i të pestëve kërcënon. Rama i bën presion Berishës për hapjen e kutive, grupi i të pestëve ia lehtëson barrën kryeministrit për të mos i hapur kutitë, se ata janë aty, dhe nga dita në ditë, do të hyjnë në parlament.
E pra, duket se këtë radhë telenovelën na e ka shfaqur në ekran vetë zoti Rama që nuk hyri në Parlament.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›