E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI: “Familja, burim i së ardhmes”

07-06-2011 / Gazeta 55

Ati i Shenjtë përfundon vizitën baritore në Kroaci me mesazhe jo vetëm për ballkanasit, por edhe për Bashkimin Evropian

Papa përfundoi udhëtimin në Kroaci duke ftuar të krishterët të impenjohen për kulturën e jetës e për një shoqëri për të mirën e njeriut. Papa, gjatë shtegtimit në Kroaci, dha një kontribut jashtëzakonisht pozitiv për familjen.Vizitë baritore, nën shenjën e familjes, të Evropës e të figurës së të Lumit Stepinac. Një ditë pas përfundimit të shtegtimit apostolik në Kroaci, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë atë Federiko Lombardi, flet për çastet kryesore e mesazhet më të spikatura të dy ditëve të Benediktit XVI në trojet kroate: “Mund të themi se shtegtimi u realizua me sukses të plotë, madje i kaloi parashikimet, që mund të kishin ipeshkvijtë kroatë. Ishte një përgjigje shumë e madhe, shumë e përzemërt, e unë do të thosha se Papa u mikprit jo vetëm na ana e Kishës, që ishte e impenjuar në plan të parë, e nga besimtarët vërtet të bindur, por edhe nga i gjithë populli. Ja, mund të them me plot gojën se populli kroat, me rrënjë të dukshme të krishtera, e priti me kënaqësi të thellë Pasardhësin e Shën Pjetrit. Ndjehej fort fryma e lidhjes së fuqishme, të vijueshme, të pashkëputur ndërmjet Selisë së Shenjtë e popullit kroat. Sidomos në çastet kryesore, si takimi me të rinjtë e me familjet – gjatë të cilave në qendër ishte Krishti, në sakramentin e Eukaristisë së adhuruar e të kremtuar. - Kroacia i përket plotësisht historisë së Evropës e prandaj është e natyrshme që një fjalë, të cilën Papa ia drejtonte popullit kroat pak a shumë drejtpërdrejt, por në disa çaste, edhe shumë drejtpërdrejt, bëhej vetvetiu edhe fjalë mbi kulturën evropiane, mbi zhvillimin e bashkësisë së popujve të Evropës, mbi aspektet pozitive, por edhe mbi rreziqet. E sigurisht ishte fjalimi drejtuar botës së kulturës, të shoqërisë në përgjithësi, ai që preku pikat klasike të Magjisterit të Atit të Shenjtë. Edhe temën e ndërgjegjes, e cila bëhet, me sa më duket, gjithnjë më e thellë dhe e vijueshme. Unë mbeta tepër i prekur nga mënyra si foli Papa për Neëman, për shembull... Në këtë fjalim gjeta një përgjigje, që m’u duk shumë origjinale: Papa e lidhi natyrshëm fjalimin me familjet, duke bërë pyetjet: “Cili është vendi? Ku formohet ndërgjegjja e njeriut, ajo ndërgjegje, e cila frymëzohet nga vlerat objektive, ajo ndërgjegje, që është vend i dialogut, në kërkim të së vërtetës e të së mirës?”. E dha edhe përgjigjen: Formohet përmes gjithë historisë së jetës së njeriut, duke nisur që nga mituria, nga mënyra si luan, si interesohet për të hyrë në lidhje, në marrëdhënie me miqtë, që ka rreth vetes. E formimi i ndërgjegjes së njeriut me frymën e së vërtetës e të së mirës, të dialogut pozitiv me të tjerët, është diçka që, pastaj, e shoqëron gjatë gjithë jetës e, posaçërisht, në mjedisin familjar, ku hidhen vërtet bazat më të thella të personalitetit. - Papa dëshiron të propozojë bukurinë, madhështinë, thellësinë e idealit, të vizionit të krishterë mbi familjen, si ndihmë e vërtetë, përmes përshpirtërisë, përmes Sakramentit të martesës, për ta jetuar mirë jetën në familje, me gëzim, me krijimin e jetës së re, me frymë konstruktive, e për të dhënë, kështu, një kontribut pozitiv për realitetin e familjes, që është themelore për jetën e shoqërisë, por që duhet të përballojë edhe shumë probleme e vështirësi, siç e shikojmë, në mënyrë të veçantë, sot në shoqëri. Prandaj, kur Papa, siç bëri në Zagreb, vë në dukje rreziqet e jep edhe këshilla, këtë nuk e bën për të hapur polemika, por me qëllim që të gjithë ta kuptojnë se vizioni i krishterë, i thellë e pozitiv, për familjen e bazuar mbi dashurinë, mbështetur mbi dashurinë e Krishtit, mund të japë një kontribut, i cili shërben për t’i shpëtuar vlerat më të bukura të familjes, për të gjithë shoqërinë. Prej këndej, jo polemikë, por dëshirë për të dhënë një ndihmesë pozitive”.
Kardinali Sherer: Duhen krijuar forma të reja, për t’ua çuar Ungjillin njerëzve/“Në këtë çast të historisë, Kisha është e thirrur të ketë në qendër të vëmendjes ungjillëzimin e ri”: këtë porosi u dha Benedikti XVI pjesëmarrësve në asamblenë plenare të Këshillit Papnor për nxitjen e ungjillëzimit të ri, themeluar vitin e kaluar. Për punimet e dikasterit flet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, shprehet një nga anëtarët e tij më të shquar, kardinali Odilo Pedro Sherer, kryeipeshkëv i San Paolos së Brazilit: “Ishte një punë shumë interesante. U morëm sidomos me përkufizimin e atij misioni, që mund të jetë ungjillëzimi i ri. Të gjithë pyesin veten: po ç’duhet të kuptojmë me këtë term, me këtë ungjillëzim të ri? Si duhet të jetë? Prandaj menduam të sqarojmë mirë konceptet njëherë, e pastaj të kalojmë tek veprimtaria, tek strategjitë. Shkëmbyem mendime edhe për ato, që mund të jenë kompetencat dhe nismat e para të Këshillit Papnor, i cili po e fillon punën, i mbështetur fuqimisht nga vetë Ati i Shenjtë. Krijimi i këtij Këshilli Papnor ishte pikërisht ide e Benediktit XVI, përgjigje për shqetësimin e tij personal, përballë çkrishterizimit të Evropës, e akoma më parë, përballë përhapjes së ndjeshme të laicizmit dhe fenomeneve të tjera negative, me prirjen për t’iu kundërvënë jo vetëm fesë së Kishës, por edhe vetë ekzistencës së Zotit. Ka shumë mundësi që njeriu i sotëm ta ndjejë veten gjithnjë më larg fesë. Atëherë lind vetvetiu pyetja, madje pyetjet: ç’ të bëjmë? Të dorëzohemi para kësaj situate? Por Kisha nuk e ka aspak në mend të dorëzohet, e as që mund të dorëzohet. Nga ana tjetër, nuk është hera e parë që në historinë e njerëzimit vërehen fenomene të tilla, mohime të tilla, largime të tilla. Kishës i është dashur shumë herë të bëjë diçka krejt të ngjashme, të rifillojë me zell të ri ungjillëzimin, atje ku janë vërejtur zbehje të mesazhit të krishterë. Pikërisht ky lexim i historisë shumëshekullore të Kishës, na ndihmon të kuptojmë ç’duhet bërë sot. Kemi diskutuar për të gjitha këto çështje. Pak nga të gjitha”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›