Po na vjen hasmi n’konak
Pikërisht kur Kosova po shënon një rekord të ri në mosnjohjen e saj ndërkombëtare, kundërshtarët e saj, po nxjerrin atunë e fundit për ta shkatërruar atë një herë e mirë. “çinovnikët” e pushtetit në Serbi, ka kohë që janë ulur përballë një delegacioni të Kosovës për të biseduar për siç thuhet çështje teknike, por pavarësisht prej kësaj “vozhdi” në Beograd, e thotë hapur se Serbia më në fund do të guxojë të flasë dhe të kërkojë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, që në fakt është ndarje e saj.
Çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë gjithmonë ka qenë njëra prej temave më të dhimbshme, më emocionale, për një kohë më e kërkuara dhe më e dënueshmja. Askush sot e tani, nuk e di me saktësi se sa njerëz janë dergjur e janë vrarë, pikërisht pse kanë guxuar të shpresojnë se Kosova dhe Shqipëria do të duhej të bëheshin bashkë një ditë. Në fakt bashkimi me Shqipërinë, gjithmonë është parë si rruga e vetme që do të garantonte ekzistencën e Kosovës përballë hegjemonizmit shekullor serb. Por me luftën e fundit, e posaçërisht me pavarësimin e Kosovës, kjo tezë dhe kjo dëshirë, kishte marrë një dimension krejt tjetër. Ka pasur një kohë që ka qarkulluar një storje se si disa patriotë pak si të vonuar nga Kosova, e kishin takuar shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, për t’i kërkuar atij që të rrotullonte gurë e dru për bashkimin kombëtar. Por sipas kësaj storjeje, shkrimtari i madh u kishte thënë atyre: “A e keni pyetur ju Shqipërinë, nëse edhe ajo e do një gjë të tillë”, ndërkaq patriotët e vonuar ishin kthyer me bisht ndër shalë.
Nuk e besoj ta ketë akuzuar dikush Kadarenë se ai kishte qenë kundër bashkimit kombëtar, por shkrimtari i madh dinte më shumë sesa luftëtarët e patriotët, se cili mund të ishte interesi kombtar sot. Pakkush ka dyshuar se Serbia nuk do ta kërkonte ndarjen e Kosovës edhe publikisht dhe në të gjitha portat e mundshme, por për shumë njerëz ka qenë disi e pabesueshme, që kjo të bëhëj nën firmën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Është e mundur që shkrimtari i madh ta ketë ndier këtë dhe prandaj mund t’i ketë kthyer mbrapsht nismëtarët e vonuar të bashkimit kombëtar. Dhe pikërisht kjo qasje e tij, është parë si njëri prej mëkateve më të mëdha të tij dhe ai nga disa kundërshtarë të tij, vetëm sa nuk është gozhduar në kryqin e Jezuit.
Pavarësisht ndryshimit të politikave në Ballkan dhe qasjes së botës ndaj shqiptarëvë dhe dy shteteve të tyre, numri i atyre që kanë mbetur të palëkundur në kursin e bashkimit kombëtar, ka mbetur i madh, ose të paktën deklarativisht i madh. Dhe, kjo mund të jetë në të drejtën e zotit dhe të robit, por edhe për të shkuar në Kinë duhet bërë hapin e parë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, nënkupton jo vetëm një hap të parë por një million të tillë, që nuk ka gjasë t’i bëjë as Tirana e as Prishtina. Dhe ky bashkim është më i largët se kurrë, kur vjen nga kundërshtarët më të mëdhenj të tij.
Serbia dhe “vozhdi” i saj, e kanë humbur të drejtën për ta pasë nën këmbë Kosovën, dhe prandaj duan ta kënë gjysmën e saj. Prandaj, e kanë zbuluar edhe një mundësi të fundit, kjo ndoshta edhe me shpresë se shqiptarët për nga natyra u pëlqen ta hanë karremin. Ata gjithmonë kanë qenë hileqarë bash si sot, kur për çështje teknike bisedojnë me Prishtinën, ndërkaq për tokën e Kosovës do të donin të bisedonin me Tiranën. Gjithmonë në botën shqiptare është thënë se patriotizmi është strehë për horrat, ose strehë e fundit e tyre. Dhe, nuk përjashtohet mundësia, siç ka pasur disa shenja edhe këto ditë, se do të ketë grupe që do të “hyllen” në luftën e bashkimit, pa pyetur për çmimin. Ai që në botën mediale konsiderohet si “ideologu” i qeverisë, duke e komentuar propozimin e presidentit serb, kishte thënë se ai mund të ishte gjenocid më i madh sesa i paraardhësit të tij rahmetli. Menqur dhe paqt.
Por, pavarësisht kësaj qeveria në Prishtinë po vazhdon të flasë për çështje teknike me “çinovnikët” e Serbvisë, ndërkohë që bossat e tyre, po bëhën gati t’ia hanë kokën Kosovës. Këtë herë duke u përpjekur ta bëjnë më ndihmën e Tiranës. Ajo duhet të rrijë në shtëpinë e saj, sepse vendi ka zot. Kjo do të duhej të ishte edhe përgjigjja e Tiranës, dhe jo floskula se ndarja mund të jetë destabilizuese për Ballkanin.