E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/ E ardhmja e Turqisë dhe fati politik i Erdoganit

07-06-2011 / Gazeta 55

Më 12 qershor në Turqi votohet për zgjedhjet parlamentare. Riemërimi për të tretën herë radhazi të kryeministrit të tanishëm Taip Erdogan është i qartë, por ka pritje të madhe për ato që do të jenë përqindjet e fundit të siguruara nga partitë në garë dhe për të ardhmen që mund të kenë në demokracinë turke. Sipas sondazheve të fundit, partia e Erdoganit – Partia për Drejtësi e Zhvillim – mund të sigurojë më shumë se 50% të votave dhe të përfitojë një super maxhorancë me të cilën mund të ndryshojë Kushtetutën në autonomi të plotë. Ka shumë shqetësime lidhur me tendencat e shumta autoritare që një qeveri e tillë mund të marrë, sidomos në dritën e disa tendencave të centralizuara që kryeministri ka treguar të ketë.
Meritat e qeverisë Erdogan - Gjatë tetë viteve të fundit, qeveria Erdogan ka arritur ta transformojë Turqinë ashtu si asnjë nga paraardhësit e tij kishte arritur të bënte. Sot Turqia është ekonomia e dytë globale pas Kinës si normë rritje dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s pas asaj të Shteteve të Bashkuara. Ajo është gjithashtu dhe prodhuesja e dytë më e madhe në botë për xhamin dhe prodhuesja e tretë më e madhe në Europë për aparate televizive. Ndërmarrjet e saj veprojnë tashmë në të gjithë Europën dhe në pjesën më të madhe të Afrikës së Veriut e të Lindjes së Mesme.
Partia në pushtet mund të mbështetet në një konsensus të lidhur në veçanti me një përmirësim të përgjithshëm të kushteve të jetesës së popullsisë, sidomos kur krahasohet me problemet ekonomike të vendeve të Mesdheut, tashmë pjesë e BE-së. Turqia ka normat më të larta të rritjes, deficit të ulët dhe banka të forta. Erdoan ka meritat se ka reduktuar në mënyrë të konsiderueshme fuqinë e pajisjeve ushtarake – për herë të parë në historinë e Turqisë disa gjeneralë që u akuzuan se kishin planifikuar një grusht shteti u arrestuan – dhe se ka forcuar institucionet politike të vendit.
Duke ndjekur nxitjen e një ministri të jashtëm me shumë iniciativë, Ahmet Davotoglu, moto e të cilit është “zero probleme me fqinjët”, Turqia gjithashtu ka vendosur raporte të ngushta diplomatike me pjesë më të madhe të vendeve të Lindjes së Mesme dhe atyre të Afrikës së Veriut – duke përfshirë edhe Iranin, Sirinë e Irakun - duke përfituar kështu pavarësi më të madhe nga aleatët e vet tradicionalë, para të gjithëve Shtetet e Bashkuara. Në veçanti linja e ndaluar anti-izraelite e qeverisë e ka bërë Erdoganin një lloj heroi popullor, duke rritur shumë shkallën e tij të pëlqimit.
Tendencat autoritare të Erdoganit - Megjithatë, metodat e Erdoganit lenë akoma mjaft dyshime, sidomos në mesin e klasave sociale të drejtuara nga Europa. Fushata e tij elektorale ka pasur tone nacionaliste dhe muajt e fundit është fokusuar veçanërisht në agjendën politike pro islamike. Gratë duhet të kenë tre fëmijë, thotë Erdogan. Facebook është një teknologji e keqe sepse lejon publikimin e përmbajtjes së pamoralshme. Fëmijët nën moshën 24 vjeç nuk duhet të hyjnë në lokalet që pihet alkool. Shumë site uebi janë censuruar dhe duke filluar që nga gushti do të hyjë në fuqi një ligj shumë restriktiv për qasjen në Net. Nën sundimin e tij, policia është bërë më e fortë dhe tani dominohet nga minoranca e komunitetit mysliman e udhëhequr nga figura e diskutueshme e imamit Fetullah Gulen. Pasojat kanë qenë veçanërisht të rënda, sidomos për lirinë e shtypit. Më shumë se 50 gazetarë janë në burg për momentin, të akuzuar për komplot kundër shtetit. Gjithashtu, një javë më parë një skandal erotik përfshiu një duzinë politikanësh të partisë të së djathtës konservatore turke, duke e përjashtuar atë nga konkurrenca zgjedhore.
Kushtetuta - Nëse AK fiton më shumë se dy të tretat e maxhorancës në parlament, rreziku se këto tendenca të centralizuara do të bëhen më këmbëngulëse bëhet më konkret. Qëllimi i deklaruar i Erdoganit për mandatin e ardhshëm është të ri shkruajë Kushtetutën, që në thelb është ende ajo e shkruar pas grushtit të shtetit në vitin 1980. Nëse arrin me të vërtetë të marrë mbi 330 vende nga 550 në dispozicion, mund ta ndryshojë pa qenë nevoja të negociojë me ndonjë parti politike. Erdogan ka thënë vazhdimisht se qëllimi i tij është ta transformojë Turqinë në një republikë presidenciale alla franceze, e cila do t’i mundësojë të kandidohet si president edhe për dy mandate të tjera, edhe pas përfundimit të detyrës së tij të tretë si kryeministër.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›