E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi marrëveshjen Prishtinë-Beograd

ARIAN STAROVA

Pas arritjes së marrëveshjes së fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, po përjetojmë një acarim të debatit politik ndërshqiptar në mediat e Kosovës, i cili po del më me ashpërsi edhe në sheshet publike të Prishtinës. Gjithçka lidhet me përplasjen e mendimeve rreth marrëveshjes për pranimin e idesë së përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe veprimtaritë ndërkombëtare të rajonit me emrin Kosova, pra, pa përdorur togfjalëshin Republika e Kosovës. Krahas këtij debati, po zhvillohet edhe një tjetër i ngjashëm në mediat serbe, gjithnjë në lidhje me marrëveshjen e fundit, fryt të dialogut Prishtinë-Beograd. Duke qenë për shumë vite i interesuar dhe i përfshirë në ndjekjen e zhvillimeve rajonale për shkak të veprimtarisë sime politike shtetërore dhe joshtetërore, do të doja të sjell në vëmendje të publikut mbarëshqiptar disa arsyetime që mund të vlenin për mënyrën se si duhen gjykuar ngjarjet për të cilat po debatohet.
Para së gjithash, përpara se të arrihej kjo marrëveshje, Kosova nuk përfaqësohej në nismat e shumta të rajonit tonë të Ballkanit. Ka qenë Shqipëria që është përpjekur, përmes pengesash të ndryshme, ta bënte këtë gjë shumë herë, por gjithsesi, përfaqësimi i Kosovës mbetej problem sepse kundërshtohej përherë nga Serbia. Tani që u arrit kjo marrëveshje, Kosova do të përfaqësohet në të gjitha këto nisma duke dhënë ndihmesën e saj me mendimin dhe mbështetjen e vet si shtet i pavarur. Do të doja ti theksoja fjalët si shtet i pavarur, sepse rolin dhe mendimet e Kosovës në këto veprimtari ndërkombëtare nuk ka për ti përcaktuar askush përveç vetë elitës politike të Kosovës. Dhe besoj se ky rol i ri i Kosovës në zhvillimet rajonale nuk mund të mos quhet forcim i shtetit të saj, ose forcim i realitetit të Republikës së Kosovës.
Nga ky këndvështrim, ajo çka është arritur me këtë marrëveshje është shumë më e madhe sesa e ashtuquajtura fusnotë (që, meqë është rasti nuk po e kuptoj përse nuk quhet futnot ose edhe më mirë në shqip, poshtëshënim), e cila kërkon që Kosova të përfaqësohet në takimet ndërkombëtare rajonale vetëm me emrin Kosovë, pa përdorur fjalën Republikë përpara saj. Sa më shumë revoltohemi ndaj poshtëshënimit, aq më shumë barazojmë pa dashur realitetin e pavarësisë me verbalitetin e një poshtëshënimi.
Që Kosova është shtet i pavarur, këtë nuk e përcakton poshtëshënimi, por vullneti tashmë i shprehur i shqiptarëve të Kosovës dhe numri i njohjeve ndërkombëtare që përparon me shpejtësi duke iu afruar qindëshit. Kur ky numër të shkojë aq sa duhet, kur Kosova të përparojë edhe më në rrugën e suksesshme të konsolidimit të institucioneve të saj demokratike si shtet i pavarur, atëherë do ti vijë fundi edhe Rezolutës 1244, sepse ajo do të jetë e kapërcyer nga zhvillimet reale dhe do të duhet të zëvendësohet me një tjetër që do të sanksionojë përfundimisht pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Argumentet kryesore vazhdojnë të qëndrojnë ato të mësipërmet, por, natyrisht, pas tyre duhet të ndjekim dhe respektojmë edhe mendimin e aktorëve kryesorë të pavarësisë shqiptare të Kosovës.
Së dyti, duke qëndruar në të njëjtën temë diskutimi, nuk mund të mos shtrohen të paktën dy pyetje. Si është e mundur që ndërkombëtarët, të cilët ndërhynë në emër të lirisë dhe të drejtave njerëzore në mars të vitit 1999 në Kosovës, të jenë sot kundër saj?! Si është e mundur që aktorë të rëndësishëm të mbështetjes së zhvillimeve në Kosovë, si SHBA dhe BE, të jenë kundër Kosovës?! Këto ditë, sekretarja amerikane e Shtetit, znj. Klinton dhe komisionerja ndërkombëtare e BE-së, Baronesha Ashton, e vlerësuan shumë marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Komente shumë të mira u botuan edhe në New York Times-in e datës 24 shkurt.
Së treti, a nuk duhet gjithashtu të pyesim përsëri. A është e mundur që ata që ideuan, udhëhoqën dhe bënë luftën në radhët e UÇK-së, të cilët nuk ngurruan të sakrifikojnë as edhe jetën, të jenë sot kundër pavarësisë së Kosovës?! Kanë qenë po këta politikanë dhe shumë të tjerë aktorët kryesorë të vendimit politik të Kuvendit të Kosovës për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe ata nuk mund të dalin kundër vetvetes dhe brezave të panumërt që ushqyen ndjenjat e pavarësisë së Kosovë dhe u munduan për të në përpjekje thuajse shekullore.
Prandaj, duke respektuar pambarimisht të drejtën e gjithkujt për të miratuar apo kundërshtuar veprime apo mendime të caktuara, çka po ndodh tani në media dhe në veprimtarinë politike në Kosovë, do të guxoja të bëja thirrje që të përpiqemi për të bashkërenduar më mirë energjitë mbarëshqiptare dhe ndërkombëtare për të mbështetur forcimin e realitetit të Republikës së Kosovës. Kështu do të jepej ndihmesë edhe për forcimin e mëtejshëm të paqes, qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit afatgjatë në rajonin tonë të Ballkanit.
*Zv.ministër i Mbrojtjes

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›