Ushtria si strehë për militantët
Shkak që të ulesha dhe të shkruaja këto rreshta lidhur më problematikën që kanë në tërësi Forcat e. Armatosura të Republikës së Shqipërisë, u bë një intervistë e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Arian Starova, i cili, përveç dëshirës që të ishte prezent në media, është përpjekur që të bëjë avokatin mbrojtës dhe të shmangë realitetin mbi gjendjen dhe ecurinë reale në FA.
Në çdo intervistë që japin nëpër gazeta dhe televizione, përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, nuk harrojnë të përmendin me mburrje dhe egoizëm faktin se Ushtria jonë është tashmë anëtare e NATO-s dhe janë arritur standardet e saj.
Ky lloj egoizmi është duke u kthyer në një të keqe të madhe për mbarëvajtjen e FA-së, në mënyrë të veçantë përsa i përket legjislacionit, strukturimit, kompletimit, pajisjes dhe stërvitjes së këtyre forcave konform standardeve të NATO-s.
Më shumë sesa për krijimin dhe mbajtjen e një FA-je dinjitoze dhe sipas standardeve të NATO-s, Ministria e Mbrojtjes është kujdesur për të sajuar struktura ineficiente, ku punësohen militantët partiakë gjithfarëllojësh.
Mjafton fakti të përmend këtu strukturën e aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila është e mbushur me drejtori të përgjithshme, drejtorë, zëvendësdrejtorë dhe shefa degësh, të cilët dublojnë veprimtarinë e Shtabit të Përgjithshëm.
Nga ana tjetër, strukturat ushtarake në varësi të ministrit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm qëndrojnë prej kohësh nën terrorin e shkurtimeve dhe largimeve nga Ushtria, pasi nuk ka fonde për ti mbajtur ata.
Do të ishte mirë që zëvendësministri Starova të jepte kontributin e tij në përsosjen e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm dhe plotësimin e organikave konform standardeve që aplikohen në ushtritë homologe të vendeve anëtare të NATO-s.
Në fakt, ministri dhe tre zëvendësministrat politikë në Ministrinë e Mbrojtjes kanë ndikuar ndjeshëm në fryrjen e organikave më militantët partiakë, të cilët i kanë pagat më të larta së të gjeneralëve e kolonelëve të Ushtrisë, madje disa herë më të larta se ato të ushtarëve profesionistë për të cilët ka sot nevojë Forca e Armatosur.
Nëse vërtet do të donit të krijonit një forcë ushtarake profesioniste dhe moderne, për të cilën mburreni sot, krasiteni aparatin e Ministrisë sepse ky aparat ekziston vetëm sepse janë aty Forcat e Armatosura, që duhet të jetë apolitik, të përbëhet nga ushtarakë profesionistë e gjeneralë të aftë.
Lërini ushtarakët e lartë që ti drejtojnë FA sipas Kushtetutës dhe jashtë ndikimeve politike.
Për tju kujtuar se deri tani nuk e keni bërë këtë, mjafton të sjell në vëmendjen tuaj faktin se ushtria profesioniste nuk mund të bëhet me ushtarë (qytetarë) të moshës mbi 50 vjeç, siç është rasti i një kuzhinieri që keni dërguar në Afganistan dhe që është përfolur si lidhje e afërt e një drejtuesi të lartë në SHPFA.
Forcat e Armatosura, pavarësisht arritjeve, vuajnë sot politizimin e tejskajshëm të tyre nga udhëheqja aktuale e Ministrisë së Mbrojtjes. Nxjerrja në rezervë e gjeneralëve, jashtë dispozitave ligjore ekzistuese, gradimet e bëra kryekëput me subjektivizëm, por edhe emërimet jashtë çdo kriteri profesional, tregojnë se në çdo qelizë të Shtabit të Përgjithshëm është ulur këmbëkryq militantizmi partiak.
Mundësia që kanë autoritetet drejtuese të Ministrisë dhe Shtabit për tu shprehur nëpër media apo përpara opinionit publik, nuk u jep atyre të drejtën që të abuzojnë me faktin se ne jemi tashmë anëtar të NATO-s.
Se çfarë kanë thënë autoritetet e NATO-s për problematikën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në kuadër të plotësimit të detyrimeve të vëna prej saj, mjafton ti referohemi raportit të konferencës së katërt Shqipëri-NATO, mbajtur në qershor të vitit 2011 në Tiranë.
Vërejtjet e bëra në këtë raport dhe gjendja aktuale e FA në pikëpamje të kompletimit dhe modernizimit të tyre, tregon së ju nuk po punoni për të përmbushur standardet e NATO-s, përkundrazi.
Cilat standarde keni plotësuar, a mund të na thoni?
A keni ju sot ndonjë statistikë se sa janë dëmet që i janë shkaktuar shtetit për shkak të politikave tuaja aspak të drejta me personelin dhe ndryshimin e herëpashershëm të strukturave dhe organikave në FA?
Nëse i keni këto, nxirrni përgjegjësinë dhe mos vijoni të mbroni apo të justifikoni veprimet tuaja, që pa dyshim, kanë sjellë pasoja jo të vogla dhe harxhime kolosale nga buxheti i shtetit.
Nuk kam dëshirë të merrem me WikiLeaks-in, pasi është folur gjatë për të dhënat e shfaqura prej tij, por një gjë duhet ta pranojmë të gjithë: se në to ka akuza të rënda për korrupsion në FA. Kur ju intereson informacioni i Ambasadës Amerikane, e konsideroni të drejtë dhe i referoheni atij nga mëngjesi në darkë, ndërsa kur nuk ju intereson ai, e konsideroni pa vlerë.
E vlerësoj të suksesshëm demontimin industrial të municioneve si një gjë të mirë që ndikon në rritjen e sigurisë së zonave ku ato kanë qenë të depozituara, por për çudi, si mund të ndodhë që edhe këto ditët e fundit ai që duhet në krye të kësaj pune në Uzinën e Gramshit, është pikërisht kryetari i PD-së së Gramshit.
Puna nuk bëhet me partiakë, sepse mos e dhëntë Zoti, mund të ndodhë edhe atje ndonjë Gërdec tjetër.
Së fundi, dëshiroj që të sjell në vëmendjen tuaj edhe faktin se në përzgjedhjen e personelit ushtarak me të cilin përfaqësohemi në NATO, duhet të përcaktoni kritere rigoroze morale dhe profesionale dhe të mos ndodhë që nëpër këto misione të caktohen kuadro që kanë probleme më Drejtësinë shqiptare.
*Deputet i PS, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare
