E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi një mijë të plagosur në Stamboll, Erdogan kërkon falje

STAMBOLL-Kryeministri Recep Tayip Erdogan ka pranuar se ka patur një teprim me dhunën nga ana e policisë, si dhe ka lajmëruar nisjen e një hetimi për forcat e sigurisë dhe në mënyrë të veçantë për përdorimin me tepri të gazit lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Akuza e Amnesty International është pranuar edhe nga Erdoghan.

“Ka patur një gabim në përdorimin e gazit nga ana e policisë. Kam urdhëruar ministrinë e Brendshme të hetojë”, ka thënë Erdogan.

Ndërsa presidenti Gul ka ndërhyrë gjithashtu për t’i dhënë fund përleshjeve.

Policia turke ka arrestuar më shumë se 900 persona gjatë dy ditëve të protestave anti-qeveritare në Stamboll.

 ''ZAMAN'': ERDOGAN RREZIKON FUNDIN E KARRIERËS
Me ushtrimin e dhunës në protestat e Stambollit, që lindën si shkak i shkatërrimit të 600 pemëve dhe që u kthyen në një lëvizje kombëtare kundër qeverisë, kryeministri Recep Tayyip Erdogan kreu një vetëvrasje politike, shkruan Sule Kulu, analist i gazetës së njohur turke ''Zaman''.
''Kryeministri në pushtet prej 11 vitesh ka bërë atë që opozita nuk po arrinte ta bënte prej kohësh, pasi ka krijuar një opozitë të re të përbërë nga masat popullore madje dhe nga ata të cilët e kishin mbështetur në të kaluarën'', shkruan Kulu.
''Nëse ai nuk i kthehet linjës prodemokratike, atëhere kjo mund të sjellë rrëzimin e tij nga pushteti. Stambolli, vendi i lindjes së tij politike, mund të kthehet në vendin e vdekjes së karrierës së tij'', thekson ai.
Sipas analistit, kryeministri ''iu largua linjës së tij prodemokratike gjatë mandatit të tretë që filloi në qershor 2011''.
Shtypi opozitar turk ka rikujtuar një thënie të tij të 20 viteve më parë, sipas së cilës ''demokracia është si një autobus, nga i cili mund të zbresësh kur të duash''.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›