E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbikëqyrja elektronike, PD-PS debate në komisione

14/12/2011  Mazhoranca miratoi dje projektin e Ministrisë së Drejtësisë. Opozita e abstenon

Siguria miraton draftin për vendosjen e byzylykëve për të dënuarit me arrest shtëpie

Opozita e ka kontestuar dje projektligjin për mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve me arrest shtëpie. Ligji, i cili u miratua me vetëm votat e mazhorancës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ka në thelb të tij identifikimin e vendndodhjes së një personi ndaj të cilit ka një vendim gjyqësor penal për kufizimin e lëvizjes së tij. Por përfaqësuesit e opozitës, duke e abstenuar nismën e Ministrisë së Drejtësisë, hodhën dyshime për mënyrën e aplikimit të tij në terren. “Ligji është shumë i mirë, por i paaplikueshëm për Shqipërinë, sepse mjetet logjistike dhe lëvizëse të policisë aktualisht nuk e garantojnë mbikëqyrjen personave. Ka një kosto të madhe në rast aplikimi, pasi duhen bërë investime shtesë në Policinë e Shtetit, gjykata dhe burgje për të bërë të mundur garantimin e sigurisë, dhe kjo gjë mund të kthehet më pas në bumerang për vetë sigurinë e qytetarëve”, - u shpreh deputeti i PS-së në komision, Ilir Gjoni. Por nga ana e tij, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, duke folur për pajisjen në formën e byzylykut, theksoi se kjo pajisje do të vendoset në trupin e të dënuarit, dhe një aparat dixhital GPS, që transmeton vendndodhjen e tij. “Kjo pajisje do të jetë e lidhur me një sallë operative, nga ku do të mbikëqyret nga policia 24 orë dhe nga Drejtoria e Burgjeve”, - tha deputeti i PD-së Dashnor Sula, i cili është dhe relator i draftit. Efekti financiar nga realizimi i këtij projekti, që kushton rreth 250 mijë euro, për vitin 2013 vetëm për 300 të mbikëqyrur do t’i sjellë buxhetit të shtetit 84 milionë lekë kursime.

Argumentimi i PS-së

Deputeti i PS-së Paulin Stërkaj theksoi dje se ligji për mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve me arrest shtëpie është i pazbatueshëm në terren. “Në nenin 18 të ligjit përcaktohet limiti kohor prej 30 minutash në rast se personi i dënuar futet në zonë të ndaluar, atëherë njoftohet policia për të bërë të mundur kapjen e tij. Për shembull, për një të dënuar me arrest shtëpie në Theth, atij i duhen vetëm 15 minuta për të kaluar në territorin e Malit të Zi. Duke qenë se është një zonë malore dhe infrastruktura rrugore lë shumë për të dëshiruar, aktualisht forcave të rendit u duhen rreth 2 orë për të vajtur deri tek shtëpia e këtij personi. Që do të thotë se do jetë shumë vonë dhe shumë i vështirë ndalimi i të arratisurit. Dhe zona si Thethi ka plot Shqipëria, kështu që në letër ky mbetet një ligj i mirë, por në terren ai nuk mund të zbatohet”, - tha Stërkaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›