E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbikëqyrja parlamentare e shërbimeve inteligjente

Arjan Dyrmishi/ Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim

-Hartimi dhe propozimi për miratim i projektligjit për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve është një hap pozitiv në drejtim të përmirësimit të qeverisjes së Sektorit të Sigurisë dhe shërbimeve informative dhe të sigurisë në veçanti. Projektligji mund të përmirësohet në disa drejtime. Së pari ligji duhet të jetë më i qartë përsa i përket funksioneve, mandatit, dhe kompetencave të Nënkomisionit. Nga ana tjetër ka përcaktime evazive të shpeshta cilat mund ta bëjnë të vështirë ose të pamundur ushtrimin e funksioneve të Nënkomisionit prandaj duhet që të rregullohen me klauzola më të sakta. Më poshtë disa vërejtje dhe sugjerime më specifike: 

Kompetencat e Nënkomisionit 

Përcaktimi i kompetencave të Nënkomisionit është një element kyç që projektligji duhet të formulojë sa më qartë. Së pari, aksesi në informacion. Ligji duhet të specifikojë llojet dhe formatin e informacionit, dokumenteve, materialeve, etj., që Nënkomisioni ka kompetencë të ketë akses. Kjo është e vlefshme pasi ka dallim midis aksesit në dokumente origjinale dhe aksesit në informacione, të cilat përpilohen nga shërbimet informative enkas për Nënkomisionin. Ligji duhet të përcaktojë gjithashtu edhe masat apo sanksionet ndaj institucioneve që janë subjekt i mbikëqyrjes nëse ato nuk i përgjigjen kërkesave të Nënkomisionit. Po kështu ligji duhet përcaktojë qartë nëse Nënkomisioni ka të drejtë aksesi për informacione mbi veprimtari operative të cilat janë në zhvillim e sipër. Në nenet 25 dhe 26 përcaktohet se Nënkomisioni nuk mund të përfshijë në raportin vjetor për Kuvendin ‘aktivitete të caktuara të Shërbimit të mbikëqyrur të cilat përbëjnë rendësi të veçantë për sigurinë kombëtare dhe nuk kanë përfunduar ende’. Ky formulim sugjeron se Nënkomisioni i janë dhënë kompetenca të mbikëqyrë veprimtari operative të shërbimeve informative të cilat janë në zhvillim e sipër. Nga ana tjetër ky formulim bie ndesh më formulimin e nenit 20, pika d, cili specifikon se Nënkomisionit mund t’i refuzohet informacioni për ‘veprimet operative të Shërbimeve Informative dhe të Sigurisë, të cilat janë në zhvillim e sipër apo të papërfunduara’ Si një kompetencë kyçe, për veprimtarinë e Nënkomisionit, përcaktimi i aksesit në veprimtari operative të cilat janë në vazhdim e sipër duhet formuluar qartë nëse do të jetë apo jo kompetencë e Nëkomisionit. Së dyti, e drejta për të thirrur persona për dëgjim, dhënie informacioni, apo dëshmie. Ligji duhet të përcaktojë nëse Nënkomisioni ka të drejtë të sanksionojë personat që nuk i përgjigjen kërkesave të Nënkomisionit. Së treti, aksesi në mjedise. Ligji duhet të përcaktojë nëse Nënkomisioni ka të drejtë aksesi në mjedise të shërbimeve informative si dhe kufizimet specifike, nëse ka të tilla. Së katërti, e drejta për të urdhëruar hetime. Ligji të përcaktojë nëse Nënkomisioni ka të drejtë të urdhërojë hetime specifike nga institucione të pavarura (si KLSH, Avokati i Popullit, etj) apo nga segmente të Ekzekutivit si, Inspektori i Përgjithshëm, Drejtorët e Shërbimeve apo dhe Ministra.

SUGJERIME SPECIFIKE

1.Si pjesë e një pushteti të pavarur siç është Parlamenti, Nënkomisioni nuk mund të ketë detyrime raportuese ndaj Ekzekutivit, konkretisht ndaj Kryeministrit, siç specifikohet në nenin 27.  

2.Projektligji duhet të formulojë qartë raportet e Nënkomisionit me Ekzekutivin në tërësi, dhe me Kryeministrin dhe Ministrat në veçanti. 

3.Duhet të rregullohen gjithashtu në mënyrë specifike marrëdhëniet e Nënkomisionit me Presidentin, pasi Presidenti ka kompetenca substanciale në drejtim të kontrollit të shërbimeve informative nëpërmjet emërimeve dhe shkarkimeve të drejtueseve të dy shërbimeve më të mëdha. Për më tepër Presidenti është konsumator kryesor i informacionit nga shërbimet informative dhe mund të adresojë kërkesa të veçantë për informacion në drejtim të tyre.

4.Si një mekanizëm për rritjen e rolit e Nënkomisionit, por edhe për forcuar besimin e ndërsjellë ndërmjet Nënkomisionit dhe shërbimeve informative, ky projektligj mund të parashikojë të drejtën e Nënkomisionit për të dëgjuar kandidatët për drejtues të shërbimeve informative dhe të sigurisë, përpara se ata të dekretohen nga Presidenti.

5.Në nenin 16, përveç Kontrollit të Lartë të Shtetit, mund të përfshihen të gjitha institucionet e pavarura që kanë funksione mbikëqyrëse mbi sektorin e sigurisë dhe shërbimet informative si Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, etj.

6.Formulimi në nenin 20, pika b, se kërkesa e Nënkomisionit për informacion mund të refuzohet në rast se ‘ekspozon  informacion që mund të paragjykojë një ndjekje penale’ duhet të hiqet pasi mund të përdoret në mënyrë abuzive për të penguar veprimtarinë e Nënkomisionit. Kjo për arsye se në asnjë instancë shërbimet informative nuk ndërveprojnë me gjyqësorin. Nëse kjo klauzolë është vendosur duka pasur parasysh ato agjenci të cilat kanë edhe kompetenca për të iniciuar hetime penale, atëherë kjo duhet të specifikohet qartë në ligj.  

7.Formulimi në nenin 20, pika b, se kërkesa e Nënkomisionit për informacion mund të refuzohet në rast se informacioni ‘është siguruar nga një palë e tretë apo një qeveri që i përket një shteti të huaj, ose një agjenci e tyre, e cila nuk jep miratimin për ekspozimin ndaj Nënkomisionit’ duhet të rishikohet në funksion të mandatit dhe kompetencave që do ti lihen Nënkomisionit. E formuluar në këtë mënyrë kjo klauzolë mund të përdoret në mënyrë abuzive për të penguar veprimtarinë e Nënkomisionit. Nëse Nënkomisionit i jepet kompetenca për të pasur akses të plotë në informacion, përfshirë edhe informacionin e shkëmbyer me shërbime të huaja, atëherë shërbimet janë të detyruara të vënë në dispozicion dokumente e kërkuara mbasi të censurojnë pjesë të caktuara të dokumentit të cilat mund të mos jenë të domosdoshme për qëllimin e veprimtarisë specifike të Nënkomisionit. Të të tilla mund të jenë dhëna sensitive si emra individësh, emri i agjencisë që ka dhënë informacionin, vendi i origjinës, etj. Në mënyrë të detajuar aspekte të tilla mund të adresohen në rregulloren e veprimtarisë së Nënkomisionit.

Shënim: Shkrimi është një letër drejtuar kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Leonard Demi, si një kontribut për projektligjin. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›