E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbingarkesa në kopshtet e Korçës, po shqyrtohet riorganizimi i shpërndarjes së të vegjëlve

Në qendrën e qytetit të Korçës disa prej kopshteve publike po përballen me një mbingarkesë të numrit të fëmijëve, duke tejkaluar kapacitetet që ato mund të përballojnë.

Kjo situatë ka sjellë vështirësi në ofrimin e një kujdesi dhe edukimi cilësor për më të vegjlit, si dhe një ngarkesë të lartë për edukatoret dhe stafin ndihmës.

“Një numër shumë i madh i fëmijëve të regjistruar në kopsht dhe çerdhe të qytetit dhe numër shumë i vogël në periferi të qytetit, ndonëse është dhe pjesa më e madhe e popullsisë. Kemi dhe ardhjen e fëmijëve nga zonat rurale në kopshtet e qytetit, gjë që dhe kjo nuk është shumë normale pasi në ato zona ka problematikë të uljes së numrit të fëmijëve që frekuentojnë institucionet e parashkollorit”, tha Rudina Lako, këshilltare për Arsimin Parashkollor.

Në këtë kuadër, bëhet e domosdoshme një riorganizim i sistemit të shpërndarjes së fëmijëve nëpër kopshtet e qytetit, për të siguruar një ndarje më të drejtë dhe efikase.

“Po bëjmë përpjekje që regjistrimi të behët në bazë ligjore sipas zonës së banimit”, nënvizoi Lako.

Këto hapa do të ndihmonin jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së edukimit parashkollor, por edhe në garantimin e një ambienti të sigurt dhe të përshtatshëm për zhvillimin e fëmijëve.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›