Vrasja e kryekomisarit Artan Cuku, Gjykata e Tiranës jep burgim të përjetshëm për dy të pandehurit

Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Bledar Jambellin dhe Kristaq Leçin për vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku, në prill të vitit 2017 në rrugën e “Kosovarëve” në Tiranë.
Vendimi u dha pasi Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet në fillim të muajit qershor dhe kërkoi dënim maksimal për dy të pandehurit.
Motivi i krimit ishte hakmarrja ndaj Cukut, i cili në vitin 2012 e kishte arrestuar Jambellin për një vrasje, për të cilën më pas u shpall i pafajshëm dhe madje u dëmshpërblye nga shteti.
Për të realizuar vrasjen, Jambelli rekrutoi Kristaq Leçin, i cili ndërmjetësoi me Mikel Shallarin, ekzekutorin e krimit. Shallari e qëlloi Cukun me 8 plumba dhe pas arrestimit vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke treguar gjithë skemën kriminale. Ai u dënua me vetëm 10 vite burg për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ndërkohë urdhëruesi i kësaj ngjarjeje, Bledar Jambelli, aktualisht ndodhet në burg në Greqi, ku është arrestuar për një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur në vitin 2022, gjatë së cilës mbetën të plagosur pesë persona.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/