Dita e të Vrarëve në Kufi, 35 vjet nga vrasja e 17-vjeçarit Pëllumb Pëllumbi

Me homazhe dhe kurora me lule, në Shkodër u përkujtua Dita e të Vrarëve në Kufi në nderim të viktimave që u pushkatuan nga regjimi komunist gjatë tentativave për të kaluar kufirin.
Në këtë 35-vjetor, vëmendja u përqendrua te historia tragjike e Pëllumb Pëllumbit, një djalosh vetëm 17 vjeç, i cili më 16 qershor 1990 tentoi të kalonte kufirin për një jetë më të mirë, por u qëllua për vdekje nga forcat kufitare të regjimit.
“Ëndrra e tij për liri u ndal me plumb. Ishte vetëm një fëmijë,” u shpreh e motra, Lula Pëllumbi, teksa nuk i fshehu emocionet. “Të rinjtë e Shkodrës e morën kufomën e vëllait tim në krahët e tyre, me parullat e para antikomuniste ‘Poshtë komunizmi’ e shumë të tjera,” tha znj. Pëllumbi.
Pjesë e ceremonisë përkujtimore ishin përfaqësues të Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë, të cilët sollën në vëmendje dhimbjen, teksa kërkojnë akoma të vërtetën dhe eshtrat e të afërmve të zhdukur.
“Apeli im është për qeverinë, për të gjitha ato që i dimë… Në Kuç, radiostacioni, ka njerëz që janë vrarë atje, sepse ka qenë vend i rrethuar, që nuk iu gjinden eshtrat,” tha Zenel Drangu, kryetari i Shoqatës.
Vrasja e Vat Beqit, më 19 maj 1990, gjatë arratisjes nga Velipoja, është një tjetër ngjarje e rëndë që prodhoi diktatura. Ai së bashku me vëllain Gjek Beqi tentuan të kalonin kufirin me një kamerdare, por u diktuan nga një motoskaf i forcave kufitare.
“Ne morëm guximin. Tani familja nuk internohet. Ne e shkojmë jetën e lirë. Kjo ka ndodhur më 18 maj 1990. Vëllain ma kanë vrarë në vend, 25 vjeç. Unë jam plagosur,” tregoi Gjek Beqi.
Pas këtyre ngjarjeve, qyteti i Shkodrës do të përfshihej nga demonstrata të fuqishme të të rinjve që kërkonin fundin e regjimit komunist, një moment historik që i parapriu ndryshimeve të mëdha në Shqipëri.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/