Mbipopullohet Pediatria, probleme me shtretërit
Dyndje e pacientëve të vegjël në pediatri për shkak të temperaturave të ulëta. Mjekët rekomandojnë si parandalues efikas të virozave gjatë stinës së dimrit, vaksinat anti-grip.
TIRANE- Pediatria e QSUT-së duket se është pavijoni më i mbipopulluar. Me uljen e temperaturave, fluksi i pacientëve të vegjël që i janë drejtuar ndihmës së specializuar të mjekëve është rritur ndjeshëm. Madje në këto ditë ka pasur aq shumë urgjenca, saqë në këtë pavijon është e vështirë të gjesh një krevat të lirë. Sipas mjekëve kjo ka ndodhur për shkak të ndryshimit të menjëhershëm të kohës, të cilit të vegjlit nuk kanë mundur t'i rezistojnë dot. "Ndryshimi i temperaturave gjatë kësaj jave, ka bërë që të shtohet edhe numri i fëmijëve të cilët nuk kanë mundur t'u bëjnë dot ballë, - shpjegojnë mjekët specialistë. - Kjo sepse, organizmi i tyre nuk është i përgatitur të përballojë ndryshime kaq të shpeshta dhe kaq të mëdha të temperaturave". Kryesisht të vegjlit që janë të moshës nga 0-6 vjeç, vijnë me temperaturë të lartë, të vjella dhe diarre. "Shenja këto karakteristike të virozave të stinës së dimrit, - shpjegojnë më tej mjekët pediatër që presin çdo ditë fëmijët. - Nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, pasi këto lloj virozash janë karakteristike për çdo stinë të ftohtë". Por ata nuk harrojnë t'i këshillojnë prindërit që të mos neglizhojnë asnjë prej shenjave që mund të shfaqin të vegjlit e tyre, pasi ato mund të bëhen shkak për sëmundje të tjera. "Shpeshherë na vijnë fëmijë që kanë qenë tri-katër ditë me temperaturë të lartë. Prindërit duhet të kërkojnë ndihmën e mjekut sapo konstatojnë se fëmija i tyre ka temperaturë dhe jo të presin që ajo t'u zbresë vetë", - këshillojnë ata duke këmbëngulur që për çdo rast duhet t'i drejtohen mjekut specialist, dhe jo farmacistit. Por ndërkohë, specialistët thonë se duhet të bëhet kujdes dhe me moshat e treta, pasi dhe ato janë të ndjeshme nga virozat gripale.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)