E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana pa drita, OSSH:Nga Mbingarkesa

Nga Ermelinda Hoxhaj
Zona të tëra të kryeqytetit janë zhytur në terr. OSSH thotë se shkak për këtë është mbingarkesa e rrjetit dhe defektet e shkaktuara nga stuhia. Banorët ankohen se ndërprerjet kanë filluar dhe më parë. 

TIRANE-Zona të tëra të kryeqytetit janë zhytur në terr. Shkak për këtë janë bërë problemet e shumta që erdhën nga stuhia dhe shirat e rrëmbyeshëm në fundjavë. Më problematike kanë qenë: zona pranë Shkollës së Baletit, rruga "Mihal Grameno", Shkoza, Kombinati, si dhe zona tek "Fresku", të cilën e merr Qesaraka dhe Komuna e Dajtit. Energjia elektrike në zonën e Qesarakës në periferi të Tiranës, sipas banorëve nuk po mungon vetëm për shkak të defekteve nga stuhia. Ka shumë kohë që kjo zonë është lënë në mëshirë të fatit, duke i ndërprerë energjinë për shumë orë, jo vetëm këto javë por edhe më parë. Ditën e djeshme, në errësirë e kanë kaluar të gjithë banorët e rrugës "Mihal Grameno", por sipas specialistëve të OSSH-së, kjo zonë kishte pësuar defekte dhe grupet e punës po ndryshonin filtrat. Ndërkohë një problem tjetër sipas specialistëve, që energjia shkëputej shpeshherë në këtë zonë, është edhe mbingarkesa në rrjet.
Ankesat
Në zonën e Dajtit, të Laprakës dhe në Kombinat, stuhia ka nxjerrë jashtë loje fidrat e energjisë elektrike e për pasojë, zona të tëra të Tiranës janë zhytur në errësirë. Në zonën e Qesarakës, në periferi të Tiranës, për shkak të rrëzimit të shtyllave të energjisë elektrike është ndërprerë furnizimi.
Banorët nga lagje të ndryshme të kryeqytetit kanë shprehur ankesat e tyre në lidhje me mungesën e energjisë elektrike. Por më problematike ka qenë zona e Qesarakës, ku energjia elektrike ka munguar gjithë ditës së shtunë deri dje pasdite, rreth orës 15:30. Por edhe pse erdhi në këtë orë, përsëri kishte shkëputje të herëpashershme, duke shkaktuar dhe irritim tek banorët. "Ne kemi gati një vit që po vuajmë mungesën e energjisë elektrike. Edhe pse qeveria trumbeton që nuk ka ndërprerje, ne kemi pasur gjatë gjithë kohës shkëputje të dritave. Të shtunën dritat kanë ikur duke nisur nga ora 08:00, për të ardhur aty nga ora 15, por pastaj kanë ikur sërish nga ora 16:10. Dhe vetëm të dielën pasdite kanë ardhur rreth orës 15 e 30, por edhe pas kësaj vetëm me shkëputje. Pra i bie që pothuajse dy ditë kemi qenë pa drita, dhe tani që erdhën nuk jemi të sigurt, pasi edhe gjatë natës ato ikin sërish", - tregojnë banorët e kësaj zone. Ndërkohë që kjo përbën problem edhe për ndërtuesit e pallateve, pasi sipas tyre kanë rënë shitjet e apartamenteve për shkak të mungesës së dritave në këtë zonë. "Që në momentin që në këtë zonë kanë fituar të majtët, energjia ka munguar gjatë gjithë kohës. Në këtë zonë, energji ka vetëm shtëpia e Presidentit dhe askush tjetër", -tregojnë banorët. Ndërkohë që ankesa të tilla dëgjon edhe nga banorët pranë Shkollës së Baletit; këtu energjia ikën çdo 20 minuta, duke shkaktuar probleme edhe në pajisjet elektroshtëpiake.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›