E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja, Rama: Shumë i mbresuar pozitivisht nga puna përgatitore

sdaAshtu siç kishte njoftuar ditë më parë kryeministri i zgjedhur, Edi Rama zhvilloi dje në Vlorë mbledhjen e parë me ministrat e rinj të kabinetit. Të parët që kanë mbërritur në hotelin ku do zhvillohej mbledhja ishin ministrat e propozuar nga lëvizja Socialiste për Integrim me të cilët Rama ka pirë edhe kafen e parë publike pak minuta para nisjes së mbledhjes. Ky ishte takimi i parë i Ramës me ministrat e LSI-së, pasi në takimin që kryeministri i zgjedhur zhvilloi me ministrat në Tiranë pak ditë pas bërjes publike të tyre, ministrat e LSI-së munguan. Mbledhja e kabinetit të ri qeveritar u zhvillua pa praninë e media ndërkohë që mësohet se ditën e djeshme u diskutua mbi programin e 300 ditëve të para të hartuar nga grupi i punës PS-LSI. Ndërkohë pas përfundimit të mbledhjes ishte vetë Rama i cili në një njoftim në rrjetin social shkruante: Shume i mbresuar pozitivisht nga puna përgatitore, paraqitja e planeve te ministrave dhe diskutimi i ideve ne grup. Këtë shkrin Rama e shoqëronte edhe me një foto nga mbledhja e zhvilluar dje në Vlorë.

Basha: Rama takim privat në Vlorë për të ndarë tortën e pushtetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi në rrjetin social Facebook mbledhjen e parë të qeverisë së re. Sipas tij, kjo mbledhje është një takim privat i Ramës, për ndarjen e tortës së pushtetit ndërsa shton se Rama po u fsheh shqiptarëve planet e errëta të qeverisë së tij. Edi Rama bëri sot (dje) një takim privat, me qeverinë e tij private, në një ndërtesë private, dhe gjithçka që u bisedua atje mbeti private. Kryeministri i ardhshëm ka mbyllur dyert për mediat, edhe pse kur ka lajmëruar këtë mbledhje qeverie në rrjetin social ka folur për përgjegjshmëri e transparencë. Por ne e dimë se ka arsye të forta për z.Rama për të mbyllur dyert. E para sepse ky është stili i tij i qeverisjes. E ka treguar për vite të tëra në Bashkinë e Tiranës. E dyta, sepse këto nuk janë mbledhje kabineti, por janë organizime okulte për të detajuar planet e z.Rama dhe mazhorancës se re në copëtimin dhe pushtimin e administratës publike. Dhe e treta, ku më mirë se buzë detit, në një hotel luksoz, larg syve të botës, mund të vendoset për ndarjen e tortës së pushtetit, për caktimin e linjave të përfitimit për z.Rama dhe aleatët e tij, shkruante Basha në rrjetin social Facebook.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›