E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbledhja e Qeverisë, Berisha: Ky, viti i bumit turistik – të gjitha masat për një sezon dinjitoz

27-06-2012 / Gazeta 55

Shefi i ekzekutivit kërkoi sot në mbledhjen tradicionale të Këshillit të Ministrave, marrjen e masave nga Ministria e Turizmit, e Shëndetësisë dhe Ministria e Brendshme, për garantimin e një sezioni turistik dinjitoz. Berisha tha se turizmi ka edhe një rëndësi të jashtëzakonshme për njohjen e qytetarëve nga mbarë bota, me vlerat, potencialet, me mikëpritjen dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve


Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e Qeverisë se ky sezon turistik do jetë më dinjitozi i viteve të fundit. Berisha kërkoi gatishmëri të lartë nga institucionet nga pastrimi i ambienteve e deri te garantimi i sigurisë së pushuesve. Kreu i qeverisë theksoi se turizmi ka edhe një rëndësi të jashtëzakonshme për njohjen e vendit nga mbarë bota. “Për Shqipërinë turizmi është një degë kryesore e ekonomisë dhe natyrisht ekonomia është dhe mbetet më e rëndësishmja për një vend të lirë. Por dua të theksoj që për ne shqiptarët që ishim të shkëputur nga rajoni dhe kontinenti për gjysëm shekulli, turizmi ka edhe një rëndësi të jashtëzakonshme për njohjen e qytetarëve nga mbarë bota, me vlerat, potencialet, me mikëpritjen dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve”- tha ai. Sipas kryeministrit, ky sezon veror duhet të jetë më i bukuri dhe më masivi në historinë e vendit. “Unë kam besim që të gjitha mundësitë ekzistojnë. Janë bërë investime kolosale për turizmin. Janë bërë investime në energji për zonat turistike të vendit. Por kërkon nga ne që gjithçka ta vëmë në funksion të një mikëpritje të shkëlqyer të miliona vizitorëve që do të vijnë”- theksoi kryeministri. Shefi i qeverisë ka kërkuar nga tre ministritë, e Turizmit, e Shëndetësisë dhe e Brendshme të marrin të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik. “Ka një vërshim të turistëve në zonat malore. Duhet të sigurohet një transport i sigurtë, si dhe postoblloqe e ekipe të ndihmës së shpejtë me qëllim shërbimin sa më të mirë për turistët”, tha Berisha. Kryeministri, tha se ky sezon ka një fillim të fuqishëm, dhe se ata që kanë patur rastin të vizitojnë bregdetin e kanë gjetur më të mbushur se asnjëherë. “Ka një vërshim të vërtetë drejt zonave malore, si kurrë më parë. Është jazhtëzakonisht e rëndësishme, policia rrugore, drejtoria e rrugëve dhe ministria e punëve publike duhet të përmbushin në kohë çdo detyrim”- theksoi kryeministri. Berisha foli për masat që duhet të marrë ministria e brendshme për sigurimin e rregullit dhe qetësisë në të gjithë vendin, si dhe shtoi se, ministria e shëndetësisë duhet të marrë masat për sigurimin e ndihmës së shpejtë. Duke iu referuar një statistike të huaj, kreu i qeverisë tha se turizmi shqiptar në sezon punëson rreth 170 mijë vetë në të gjithë vendin, dhe kjo sipas tij, përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv. “Edhe Bashkitë dhe Komunat, duhet të punësojnë punëtorë të përkohshëm për pastrimin e territorit. Të bëjmë gjithçka që Shqipëria të paraqitet më e pastër se asnjëherë”- u shpreh Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›