Lotaria kombëtare, opozita përbalt një proces transparent
Ministria e Financave hedh poshtë pretendimet e Ramës
Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj reagoi dje në lidhje me akuzat e bëra nga kryesocialisti, Edi Rama për lotarinë kombëtare.
Sipas Rushajt, kompania konsulente është sugjeruar që dy vjet më parë dhe jo në kohët e fundit siç pretendon opozita. Ai theksoi gjithashtu se Ministria e Financave ka marrë asistence ndërkombëtare për konsulentin, që ka sugjeruar kriteret dhe rregullat e përzgjedhjes së kompanisë, që meriton këtë licencë.
“Kryetari i opozitës Rama, vijoji me këmbëngulje shpifjet dhe akuzat ndaj qeverisë, jo në misionin e legjitim të kryeopozitarit alternative apo dhe denoncues, por në rolin e tij që rëndom e ushtron pa iu dridhur qerpiku, atë të shpifësit dhe shërbëtorit të marrë peng nga klientela e tij. Në mënyrë të përditshme, vetë kreu i opozitës ose tellallët e tij vijojnë presionin ndaj administratës, komisionit të prokurimit, për të akuzuar për një vendim ende të pa marrë, vetëm e vetëm se klienti i tij nuk plotësoi kriteret e pjesëmarrjes në garë. Ne përputhje me ligjin e lojërave të fatit, Këshilli i Ministrave duhet të përcaktonte kriteret për licencimin e lotarisë kombëtare dhe duke qenë se kjo ishte hera e parë që diçka e tillë do të bëhej në këtë formë dhe me garë; në korrik të vitit 2010, Ministria e Financave, i është drejtuar organizatës ‘Lotaritë Shtetërore Europiane’ ku i ka kërkuar ta asistojë me konsulentë që ajo do të ndikonte, për kritere të studiuara që do të mundësonin identifikimin (licencimin) e një operatori që përveç objektivave për të ardhurat në buxhet, do të bënte të mundur dhe aplikimin e masave sociale dhe mbrojtëse, siç është p. sh.:, mbrojtja ndaj të miturve. Po në korrik të vitit 2010, kjo organizate i ka rekomanduar Ministrisë së Financave konsulentin e saj ligjor, i cili ka një ekspertizë në legjislacionin europian dhe që kishte këshilluar me sukses procese të tilla”, u shpreh Rushaj.
Numri dy i financave theksoi se opozita është duke përbaltur një proces tërësisht transparent.
“Duket se opozita nuk është e interesuar as të dëgjojë dhe as të shikojë; me presione të hapura ndaj administratës kërkon me çdo kusht të përbalte dhe të dëmtojë këtë proces, gjë të cilën nuk ka për ta arritur as tani dhe as në 2013 sepse, ky është proces shume transparent dhe në përputhje me ligjet e vendit dhe asnjëherë, askush nuk do mund ta cenojë dhe se siç deri më tani, shqiptarët edhe në 2013-ën do të dinë të dallojnë me votë të gënjeshtrën nga e vërteta, angazhimin për interes publik nga çjerrjet për interesa që s’kanë lidhje me publikun”, deklaroi më tej zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj.