Erjon Bogdani e do një gol: Kënaqësi t‘u shënosh danezëve
Pak nga pak atmosfera po ndizet. Tani jemi në zemrën e pragndeshjes me Danimarkën, e cila do të zbresë të mërkurën në mbrëmje në "Qemal Stafa" për t‘u ndeshur me Shqipërinë e Josip Kuzhesë. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një ndeshje vendimtare (të paktën për ne, pasi kemi dalë prej kohësh jashtë objektivave që i kishim vënë vetes në fillim të edicionit), kjo sfidë i karikon vetvetiu futbollistët kuqezinj. Përballë do të jetë një emër i madh si Danimarka, i cili jo vetëm ka shkruar emrin në analet e historisë së futbollit europian, pra tashmë është edhe kryesuesi i Grupit 1 të eliminatoreve të Botërorit 2010, ku bëjmë pjesë edhe ne. Për Shqipërinë është më shumë një ndeshje prestigji, ku shumë kuqezinj do të mund ta përdornin si një pjacë të mirë për të dalë në pah. Një mundësi të tillë e ka edhe Erjon Bogdani, sulmuesi i cili ka shënuar një herë tjetër në portën e danezëve. Bomberi shqiptar i Kievos ka realizuar nga një gol në dy ndeshjet e fundit, ku ai është aktivizuar, me Portugalinë (zyrtare) dhe Qipron (miqësore). Së bashku me 2 gola të shënuar në këto eliminatore (ndaj Maltës e Portugalisë), ai është edhe golashënuesi më i Shqipërisë, i ndjekur nga Klodian Duro e Armend Dallku, të dy këta me nga një gol, të realizuar pikërisht në fitoren kundër Maltës. "E rëndësishme është që të lozim si ekip mirë dhe shpresoj që edhe në qoftë se e bën ndonjë tjetër golin dhe fitojmë, kjo gjë më gëzon mua dhe të gjithë shqiptarët", nënvizon Bogdani, sulmuesi i Kombëtares. Për momentin mbetet i vetmi shqiptar në futbollin aktiv, i cili u ka shënuar një herë danezëve. Këtë tabu e ka thyer pikërisht në ndeshjet eliminatore të Kampionatit Botëror 2006, kur Shqipëria mundej me rezultatin 3-1 në Kopenhagën më 8 qershor 2005. Por shqiptari i parë që ka dërguar në rrjetën e portës së Kombëtares së Danimarkës është një emër i madh i futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për Panajot Panos, i cili i ka shënuar Danimarkës në fitoren 1-0 të Shqipërisë në vitin 1964. Megjithatë Bogdani nuk beson se e ka përfunduar misionin e tij me atë gol të 2005-ës. Madje rrëfen se e dëshiron shumë një tjetër gol, këtë të mërkurë, me të cilin do të mund të kënaqte jo vetëm egon e tij, por edhe të gjithë tifozët kuqezinj të pranishëm në stadiumin "Qemal Stafa". "Do të ishte diçka e bukur nëse unë do të shënoja përsëri edhe në këtë ndeshje, pohon bomberi i Kombëtares. Megjithatë më shumë rëndësi ka të luajmë një futboll të bukur përpara tifozëve tanë. Jemi të qetë përpara kësaj sfide", shton më tej 32-vjeçari, i cili në 51 ndeshje me fanellën kuqezi ka realizuar 11 gola. Në ndeshjen e parë, të humbur 3-0 me Danimarkën më 1 prill 2009, në këto eliminatore, Bogdani nuk u aktivizua. "Është një ndeshje e vështirë me Danimarkën. Është një ekip shumë i fortë dhe është në krye të grupit. Megjithatë ne para publikut tonë luajmë shumë mirë", tha Bogdani, i cili shpreson se do të luajë para një "Qemal Stafa" tërësisht të mbushur.