E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë, Berisha: Evakuim total të zonave të përmbytura në Shkodër

Kryeministri Berisha u ndan detyrat ministrave të kabinetit të tij dhe kërkon ngritjen e një Komiteti ndërqeveritar për udhëheqjen e procesit të evakuimit tërësor të banorëve nga zonat e përmbytura. Kreu i qeverisë siguroi banorët se ekzekutivi ka marrë të gjitha masat për sistemin e tyre në kushte plotësisht komode.Update-Zona e përmbytur e nën Shkodrës duhet të evakuohet me çdo kusht. Ky ishte apeli i kryeministrit Sali Berisha, për zonat e përmbytura në qarkun e Shkodrës, të cilat ende vazhdojnë të jenë të rrezikuara në mënyrë permanente nga reshjet e pandalshme të shiut dhe hapja e tuneleve të shkarkimit të HEC-eve. Kryeministri Sali Berisha thërriti sot në orët e para të mëngjesit kabinetin qeveritar në një mbledhje të jashtëzakonshme pikërisht për situatën e krijuar në qarkun e Shkodrës si rezultat i përmbytjeve nga reshjet dhe shkarkimi i Hidrocentraleve. Berisha urdhëroi krijimin e Komitetit të Emergjencës Civile, i cili do të koordinojë me autorietet vendore të gjithë procesin e evakuimit nga kjo zonë. “Nuk është kurrë në natyrën time të lëshoj nota pesimiste, por nuk mund të mos paralajmëroj situatën. Kemi 12 ditë shi pa ndërprerje. Detyra jonë është që të parandalojmë katastrofën. Kjo zonë duhet të evakuohet”, deklaroi kryeministri Berisha. Sipas tij, prurjet krahasuar me dje janë dyfishuar. “Nuk janë shumë të larta, por janë dyfishuar dhe duhet të përgatitemi për të gjitha situatat. Sigurimi i jetës së njerëzve është kryesore”, theksoi kryeministri Berisha. Më tej ai i bëri thirrje të gjithë komunave të Shkodrës të solidarizohen të ndihmojnë me mundësitë e tyre. Kreu i qeverisë shtoi se qytetarëve të evakuar do tu sigurohen kushtet e jetesës më optimalet e mundshme. Berisha bëri thirrje për një rishqyrtim të situatës dhe të gjendjes në tërësi të argjinaturave, ndërsa informoi se ministria e Energjetikës dhe KESH ka mbledhur ekspertët më të mirë për këtë çështje. “Kërkoj ekspertizë ndërkombëtare dhe ju garantoj se ka ndjekje të përorëshme të situatës. Manovrimi i situatës, ka qenë për të ulur maksimalisht rrezikun e mbingarkimit të liqenit dhe digave dhe të zvogëlojnë në maksimum përmbytjet”, u shpreh kryeministri. Shefi i ekzekutivit i kërkoi Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami hartimin e planit të evakuimit total të gjithë zonës. “Shtabi i Përgjithshëm të kompletojë me shpejtësi planin e evakuimit total të njerëzëve dhe gjësë së gjallë”, tha Berisha. Në këtë drejtim, kryeministri i kërkoi edhe ministrit të Bujqësisë Genc Ruli që të gjitha bordet e kullimit të përqëndrohen në zonën e Shkodrës, Kurbinit dhe Vjosës. “Të vijnë nga të gjitha rrethet ku nuk ka një rrezik eminent”, theksoi Berisha. Berisha tha në fjalën e tij se ndodhemi para një situate emergjente reale. Berisha pohoi se më problematik për momentin është Liqeni Komanit, pasi derdhjet bëjnë që niveli i tij të rritet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që kapaciteti i tij është shumë i vogël. Ai shtoi se prurjet e mëdha rritën nivelin e liqeneve, ndërkohë që prurjet në Drin janë rritur me 100 herë. Sipas kryeministrit, në Lezhë këneta u shndërrua në det, megjithatë ai theksoi se shkarkimet nuk kanë qenë kërcënuese. Berisha theksoi se dalja e detit rëndoi situatën . “Në Kurbin situata është tepër e rrezikshme. Në Tale u shkatërruan pritat e betonit nga dalja e detit”, shtoi kryeministri. Berisha vlerësoi punën e Policisë së Shtetit dhe Xhenio-s në menaxhimin e situatës. Ndërkohë, Komiteti Ndërqeveritar i Emergjencës Civile do kryesohet nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Sipas kërkesës së kryeministrit, të gjitha ministritë duhet të raportojnë për masat dhe detyrat që kanë realizuar në ndihmë të kësaj situate tek ky Komitet.Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave:“Mbledhja e parë e qeverisë i përkushtohet tërësisht situatës së krijuar në vend. Unë vendosa që në këtë mbledhje të trajtoj vetëm situatën e rëndë, të krijuar në qarqet e Shkodrës dhe të Kurbinit. Për mëse 13 ditë me radhë, në Shqipëri, veçanërisht në verilindje, ka pasur reshje të pandërprera, të fuqishme, të alternuara ndonjëherë edhe me reshje dëbore. Këto reshje kanë bërë që, në momente të caktuara, prurjet në lumin Drin, të krahasuara me verën e këtij viti, të rriten me 100 herë. Në verë prurjet kanë zbritur në 15 metër kub në sekondë, në këtë periudhë, ato arritën në më shumë se 1500 metër kub në sekondë. Por nga këto reshje rritje edhe më të mëdha, që  shkojnë në 150 herë, kanë njohur lumenjtë Mat, Valbonë, Curraj, Sharrë dhe degët e tyre. Këto prurje të mëdha bënë që nivelet e liqeneve të rriten me shpejtësi. Në këtë kontekst, më madhori ndër të gjithë, natyrisht, është liqeni i Fierzës, por më problematik për momentin është ai i Komanit. Derdhjet e mëdha në liqenin e Komanit bënë që niveli i tij të rritet me shpejtësi të madhe. Fatkeqësisht, kapaciteti i këtij liqeni midis nivelit minimal eficent të funksionimit të turbinave dhe nivelit maksimal të pranueshëm të rritjes së tij është fare i vogël, gjithsej 6 metra apo realisht më pak, sepse në nivelin 176 kërcënon në mënyrën më serioze turbinat e Fierzës.Kësaj situate, që imponoi menjëherë fillimin e shkarkimeve, iu shtua edhe një problem tjetër shumë madhor, një dalje e fuqishme e detit. Dalja e detit krijoi një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme në rrethin e Kurbinit. Në Tale shpartalloi, sikur të mos ekzistonte, pritat e betonit dhe përplasi me dhjetëra metra, në mos qindra, bunkerë, shtylla tensioni dhe çdo gjë. Në Lezhë përpiu kënetën, e zhduku dhe e shndërroi në det. Fryu jashtë mase Bunën dhe kontribuoi ndjeshëm në rritjen me shpejtësi të përmbytjes, sepse dua t’ju informoj se shkarkimet nga ana e Korporatës Elektroenergjetike deri tani, as edhe një ditë të vetme, nuk kanë qenë kërcënuese për nivelin e argjinaturave pritëse të komunës së Dajçit. Gjithmonë është qëndruar një metër e gjysmë, një metër, 50 centin nën nivelin maksimal që kjo argjinaturë pret. Natyrisht, rrjedhjet e ndryshme, rritja e madhe e Gjadrit, Kirit dhe fryrja e detit që të gjitha kanë bërë që deri tani të jenë të përmbytura  mbi 1200 hektarë tokë, kanë bërë që, nga lajmet e fundit që kam, fryrja e liqenit të ketë filluar të ekspansojë edhe në komunën e Rrethinave.Jemi para një situate emergjence reale. Dua t’ju informoj se kjo situatë është ndjekur çdo kohë nga ministrat dhe ministritë e linjës, autoritetet vendore, të cilat dua t’i përshëndes shumë përzemërsisht, Policia e Shtetit, bordet e kullimit, ushtria, xhenio, shëndetësia, arsimi. Natën e vitit të ri është bërë një përballje e fuqishme me detin, në Tale. Kjo gatishmëri dhe ky përkushtim ka shpëtuar nga përmbytjet së paku mijëra hektarë tokë, në mos dhjetëra mijëra. Veçanërisht fryrja e detit, në rast se nuk do të ishte përkushtimi i autoriteteve të Kurbinit për t’iu përgjigjur në mënyrën më aktive dhe agresive situatës, të ndalet veçse pak metra pa përmbytur hidrovoret, çka do të krijonte një katastrofë së paku për 7 mijë hektarë kripëzimi, jo vetëm përmbytje, por edhe kripëzim. Në atë zonë një numër i caktuar familjesh panë katet e para të përmbyten me ujë. Me shpejtësi u morën të gjitha masat. Jashtëzakonisht aktive ka qenë xhenio dhe Policia e Shtetit. Me dhjetëra mjete të ushtrisë, ekspertë, qindra ushtarë, policë dhe vullnetarë u angazhuan me ndjekjen e situatës dhe u arrit që ajo të menaxhohej. E theksova dje, e theksoj sërish sot se përmbytjet kanë gjunjëzuar fuqitë më të mëdha të botës dhe ky është realiteti i tyre.Dje, situata në rrafshin e ditës ka qenë kjo që raportova, por potencialisht katastrofa qëndronte dhe qëndron si shpatë e Demokleut. Sepse, së pari, zona e përmbytur nuk mund kurrë të asistohet sikur të ishte jashtë përmbytjes. Ka fëmijë, të sëmurë, gra e të moshuar dhe një farë hezitimi i ligjshëm për të pranuar evakuimin. Situata ka ndryshuar dhe unë dua t’i përshëndes banorët e Dajçit. Deri tani nga 950 familje të kërcënuara, 430 janë evakuuar. Shfrytëzoj rastin nga mbledhja e qeverisë t’u bëj thirrje të marrin të gjitha përgjegjësitë dhe të jenë në lartësinë e përgjegjësisë për t’u evakuuar, sepse është jashtëzakonisht e rëndë për vendin qoftë edhe një jetë e vetme e humbur.  Qeveria është e vendosur t’u japë atyre të gjithë ndihmën, por ata vetë duhet të pranojnë të marrin vendimet e duhura. Nuk duhet të rrinë nën kërcënim as edhe një orë të vetme. Trimëri është të gjesh rrugën për t’u përballur me mençuri me këtë situatë dhe ky është largimi, shmangia e katastrofës.Në këtë kontekst, sot do të krijojmë Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile, i cili do të koordinojë me autoritetet vendore të gjithë procesin e evakuimit nga kjo zonë. Nuk është kurrë në natyrën time të lëshoj nota pesimiste, por nuk mund të mos paralajmëroj situatën. Kemi 12 ditë që bie shi pandërprerë. Prognoza thotë edhe 10 ditë të tjera. Ata që kanë jetuar në ato zona e dinë që, në këtë moment që flasim, janë me mijëra burime, të shterura tërësisht gjatë verës, që tani shndërrohen në burime të fuqishme dhe ushqejnë lumenjtë dhe do të vazhdojnë t’i ushqejnë edhe për një apo dy muaj të tjerë shumë më tepër. Toka është si sfungjeri, thith dhe pastaj e rikthen të tërën. Detyra jonë është të parandalojmë katastrofën. Kjo është në detyrimin tonë më madhor. Kjo zonë duhet të evakuohet. Sot, krahasuar me dje, janë dyfishuar prurjet. Ndonëse nuk janë të larta, por janë dyfishuar dhe duhet të përgatitemi për të gjitha situatat. Kursimi i jetës së njerëzve dhe të gjësë së gjallë pas njerëzve.  Ndaj ju bëj thirrje komunave të Shkodrës dhe të gjithë komunave të Kurbinit, të Krujës dhe kudo të solidarizohen, të ndihmojnë me mundësitë e tyre, sidomos për bagëtitë, se shteti do të ndërhyjë edhe tek bagëtitë, ndërsa për sa u përket qytetarëve ne do t’i strehojmë në hotele, konvaleshenca, konvikte në kushte optimale.  Komiteti duhet të përqendrohet kryesisht tek këto dy rrethe, në Shkodër dhe në Kurbin, por duhet të mbajmë një studim të shpejtë dhe një qëndrim agresiv edhe ndaj Vjosës. Ndaj është e domosdoshme një rishqyrtim i situatës së gjendjes tërësore të argjinaturave, veçanërisht në derdhjen e saj. është lumë shumë i rrezikshëm në atë pjesë dhe është zonë thellësisht e banuar. Para tre vjetësh, aty bëmë një evakuim tërësor, por tani duhet të shkojmë të shohim sërish. Shirat e vazhdueshëm bëjnë që prurjet, edhe pasi ndërpritet shiu, të rriten.Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dhe KESH-i kanë mbledhur ekspertët më të mirë dhe mund të kërkojë edhe ekspertizë ndërkombëtare. Ju garantoj se ka ndjekje të përorëshme të situatës. Deri tani manovrimi ka qenë i tillë që është përpjekur të ulë maksimalisht rrezikun e mbingarkimit të liqeneve dhe digave dhe të zvogëlojë në maksimum përmbytjen. Natyrisht, një përpjekje e tillë është e domosdoshme. Në momente të caktuara forcë madhore janë digat dhe liqenet. Sot, përveçse në Fierzë, ku kemi një metër ujë më shumë, jemi në kuotat optimale të rregulloreve. Edhe ai metër lartësi në Fierzë do të ulet, por kjo, sërish, nuk mund të na qetësojë. Këto janë mundësitë tona, por kontrolli i prurjeve nuk është mundësia jonë. Ndaj duhet me çdo kusht të evakuohet nën Shkodra, Dajçi, duhet të konsiderohet Velipoja, Ana Malit, tani edhe Rrethinat, pasi edhe aty është fryrë liqeni dhe ka filluar të dalë.Secila nga ministritë do të paraqesë para Komitetit, i cili do të kryesohet nga ministri i Brendshëm, planin e ndërhyrjes emergjente për zonën. Një rol të veçantë kanë Forcat e Armatosura, të cilat unë dua t’i përgëzoj për efiçencën që kanë dëshmuar gjatë gjithë këtyre ditëve. Zoti Imami, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura duhet të kompletojë me shpejtësi planin e evakuimit total të njerëzve dhe gjësë së gjallë dhe rrugët e evakuimit.Zoti Ruli, bordet e kullimit nga mbarë Shqipëria do të përqendrohen me të gjitha mjetet në zonën Shkodër - Kurbin - Vjosë. Ato duhet të vijnë nga të gjitha rrethet, ku nuk ka një rrezik eminent. Policia dhe Emergjenca Civile ka qenë në gatishmëri të plotë e totale në të gjitha momentet e kësaj situate dhe do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me autoritetet vendore, por roli i saj tashmë është i shumëfishtë. Ndaj do të përcaktohen të gjitha detyrat e reja, nga marrja në mbrojtje të plotë të linjave të hidrovoreve e deri tek ndihma për evakuimet dhe funksione të tjera.Përqendrim i veçantë duhet në pritat e detit. Aty, ku kemi mundësi dhe aty, ku situata është me delikate edhe evakuim mund të behet, sepse atë natë ato familje i ka shpëtuar Zoti. Mund të jemi sërish para dallgëve të tilla. Ndaj edhe aty mund të bëhet një evakuim i përkohshëm, sa të qetësohet në tërësi situata. Sikundër digat e ndërtuara dhe është bërë një punë shumë e madhe,  rreth 1 kilometër, qoftë ajo në Lezhë, në Tale apo Fushë Kuqe, të përforcohen edhe më shumë. Sidomos të përforcohet ajo e Lezhës dhe e Tales, sepse ishin ngjitur me hidrovorin dhe mbytja e tyre mbyt të gjithë zonën.Ministria e Shëndetësisë duhet të përgatisë planin e ndihmës emergjence, duhet të studiojë të gjitha mënyra e ofrimit të saj, por veçanërisht planin e  sanifikimit të të gjithë zonës pas përmbytjes, sepse aty çdo ditë krijohet një situatë shumë e rëndë. Pavarësisht se deri tani nuk ka gjë të gjallë të mbytur, ka me mijëra gjallesa të mbytura në atë zonë dhe krijohet një situatë e rrezikshme.Ministria e Punëve Publike të bëjë çdo gjë për kontrollin e ujësjellësve dhe kanalizimeve. Drejtoritë e Rrugëve të jetë të gjitha në gatishmëri të plotë, sepse në një anë kemi ujërat, në anën tjetër mund të kemi borë dhe duhet të garantohet kalimi në akset rrugore.Ministria e Arsimit ta ndjekë në mënyrë të përditshme situatën dhe, sipas kushteve e  rrethanave, shkollat, vetëkuptohet, shtyhen.Ministria e Kulturës duhet të bëjë një përkujdesje të madhe për të gjithë trashëgiminë kulturore.Kjo situatë do të kapërcehet, por është e rëndësishme ta kapërcejmë pa humbje jetësh njerëzore dhe me dëme sa më minimale. I bëj serish një thirrje biznesit, i cili na ka ndihmuar shumë këto ditë, që të vazhdojë solidaritetin në këto zona. Për shembull, dje, një kompani në Ishull të Lezhës, së bashku me ushtrinë, po ndërtonte digën.U bëj thirrje mediave që të raportojnë me vërtetësi. është në interesin e tyre më të mirë, por edhe në interesin e vendit. Absolutisht, mediat janë të pazëvendësueshme dhe dobi në raportimet e tyre, por mendoj se duhet të bëjnë çmos për një raportim sa më të saktë. Në këtë kontekst, pranë Komitetit të Emergjencës Ndërministrore dhe Emergjencës Civile duhet të funksionojë pa pushim zyra e Marrëdhënieve me Publikun, e cila do të informojë mediat për të gjithë situatën. Këtu nuk ka absolutisht, asgjë për t’u mbajtur e fshehtë. Përkundrazi, dëshira jonë është që gjithçka të bëhet transparente për publikun dhe nuk kemi mjet tjetër veç mediave. Zoti ministër, është e domosdoshme që mediave t’u jepet çdo e dhënë për digat, për prurjet, për uljet, për ngritjet, për shkarkimet, nivelet  dhe për çdo gjë. Këtu nuk ka asnjë qëllim tjetër përveçse transparencës së plotë, përgjegjësi të madhe të përbashkët, si të qeverisë, të shoqërisë, të mediave dhe kjo situatë të kapërcehet.Unë jam optimist se kjo situatë do të kapërcehet me humbjet me minimale. Qeveria do t’i garantojë fermerët e Dajçit, të Anës Malit dhe kudo që ndodhen se do të jetë pranë tyre dhe me ta, do t’i kompensoje dhe nuk ka vend për dëshpërim, psikozë dhe asgjë tjetër të tillë.Po mbyll duke falënderuar të gjithë banorët e zonave të përmbytura për përpjekjet e tyre kundër përmbytjes dhe bashkëpunimin në rritje që kemi pasur. është shumë pozitiv fakti që ata po pranojnë gjithnjë e me shumë të evakuohet. Dua të përgëzoj të gjithë autoritetet vendore që janë në mënyrë të pandërprere pranë të përmbyturve, apo merren me problemet e tyre, forcat e rendit, ushtrinë, KESH-in, shëndetësinë dhe arsimin, të gjithë ata që, me një përkushtim të madh gjatë këtyre ditëve, kanë bërë që kjo situatë të menaxhohet me eficencë”....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›