E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ati Ynë që je në qiell

I lutemi të Plotfuqishmit që Viti 2010 të jetë i mbarë për popullin tonë, të troshitur e të nëpërkëmbur nga ideologjia komuniste dhe, gjatë tranzicionit, e kapluar nga mendësia e saj.Të davaritet ajo hipokrizi mbytëse sipas së cilës ata që, me grushtin në ballë, u munduan të ruanin, me tanke e me qen kufiri, statujat e mizorit e të antikombëtarit E. Hoxha. Dhe që, në rrjedhë të kohës, e lustruan veten si antikomunistë dhe si demokratë të panjollë. Gatuan edhe atë katrahurën bolshevike të ’97-s, të cilën po orvaten ta përsëritin sërish në 2010-n! Të zhduket propaganda e diktaturës, me shkrime, intervista, me shformime e zvetënime të historiografisë për shpëlarjen e trurit të shqiptarëve të thjeshtë, propagandë sipas kujtimeve mashtruese të Nexhmijes dhe të personave të indoktrinuar që i mbajnë ison Zonjës së Zezë. Demokracia flashket nga demagogjia e apologjetëve të një kohe që e çoi popullin  dhe kombin tonë në ditë të zymta. Drejtësia Juaj, o At i shenjtë - para të cilit Kozmosi, që né njohim, është një grimcë, - vonon por nuk harron të ndëshkojë të patenzonët me karakterin e kamufluar të Tartufit. Siç ishin njerëzit e dyfytyrshëm që kërkuan Pajtim Kombëtar, në të cilin mëkatarët të ishin në krye të tryezës së “pajtimit”, pa kërkuar ndjesë për krimet e papërfytyrueshme ndaj viktimave të pafajshme. Pasardhësit e ish-të privilergjuarve mëtonin që të mbijetuarit nga terrori i kuq të zinin bishtin e tavolinës! Kështu mercenari i pafytyrë, për fat të keq person i kombit tonë, madjé edhe akademik, u vu në shërbim të kameleonëve tanë për të bërë atë farë pajtimi, që kuptohet se dështoi me turp. Mungesa e sinqeritetit të këtyre të përdhosurve me mendësinë e trashëguar, solli atë grindje në vazhdim që e mbyti në  fatkeqësi të mëtejshme popullin tonë të vuajtur, pas rrëzimit të diktaturës.O ati Ynë i Madh, bëj që të mos dalin sërish imoralët me skeptrin e moralitetit; përdhunuesit e femrave, si moralizatorë socialë; hipokritët e politikës, si demokratë të përkushtuar; përkujtuesit e diktatorit në Pezë dhe në mediet e majtizmit ekstremist, si kundërvënës të mendësisë diktatoriale; antieuropianistët  e regjur, si “të përkushtuar” për liberalizimin e vizave dhe si ithtarë të zellshëm të aderimit në BE! Mos të na neverisin me hipokrizinë e tyre pronarët e rinj uzurpatorë, si predikatorë të pronës së ligjshme; Aranitçelat, si mbrojtës të të drejtave njerëzore; mbrojtësit e statujave të Stalinit e të Enverit, si demokratë; dezertorët dhe mercenarët, si “liberalë”; komunistët në ADN, si antikomunistë! O Ati ynë që je në qiell, u bëftë dëshira jote, siç ka thënë At Gjergj Fishta që u kërkoi shqiptarëve të punojnë për Atme e Fe, për të ecur në rrugën e Atdheut dhe të Perëndisë, e jo të Satanait që u hyri në bark disa të Paudhëve; dhe  i shtyti në veprime të mbrapshta ata që humbën udhën e Zotit, për pushtet të pamerituar. Ti je mëshirëplot, o Perëndi dhe fali ata që kanë humbur udhën e drejtë se s’dinë ç’bëjnë, por ndëshkoi ata që nuk kanë kërkuar falje për mënxyrat e njëzet e kusur viteve më parë dhe dinë edhe sot se ç’bëjnë. Këtë lutje Jua ka drejtuar edhe Azem Hajdari, kur na digjnin dhe thoshin na dogjët; kur na vrisnin dhe na thoshnin na vratë; kur na prunë flamujt e huaj e na ngritën tre gishtat përpjetë dhe na thanë se punonin për kombin...13 vjet më parë!Paçim hirin Tuaj, o Perëndi, që të udhëtojmë si e meritojmë e të futemi në Europën demokratike, siç e kemi hak, me qeverisjen demokratike në krye. Paçka se ata që po bëjnë obstruksionin në vend të opozitës së ndershme, do të mëtojnë se është édhe kontributi i tyre!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›