E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e parë e KE, zgjidhen zv.presidentët e FSHF

TIRANE- Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka zhvilluar mbledhjen e parë që pas Asamblesë Zgjedhore të 9 marsit. Kjo mbledhje ka qenë më shumë me karakter ceremoninal, gjithsesi në të është vendosur për dy zëvendës presidentët e Federatës. Komiteti nuk ka ndryshuar asgjë në krahasim me 4 vjeçarin e fundit, duke lënë sërish Bujar Kasmin dhe Lutfi Nurin si zëvendësit e Dukës. Përpara mbledhjes flitej si një kandidaturë e fuqishme për zëvendës president edhe ajo e Pjerin Fushajt, vëllait të presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së përbëhet nga 7 anëtarë që ishin edhe në 4-vjeçarin e kaluar, si edhe 4 anëtarë të rinj, që janë Pjerin Fushaj, Abdyl Kuriu, Artan Hajdari dhe Alfred Zijai.
Ndërkohë, në mbledhjen e ardhshme pritet të vendoset më hollësisht përsa u përket posteve në administratën e FSHF-së. Presidenti Duka premtoi një reformim të saj përpara zgjedhjeve, megjithatë ndryshimet pritet të jenë jo shumë të mëdha. Ndryshimet kryesore lidhen me sektorin e arbitrave, duke parë problemet e mëdha me gjykimin javë pas jave.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›