E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mbledhja e qeverisë, Kushi: Miratuam kredinë studentore, mbështetje për tarifat e studimit dhe kostot e jetesës

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, ka bërë me dije se në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë (19 korrik) është miratuar vendimi për kredinë studentore.

Në komunikimin për mediat, Kushi sqaroi se kjo kredi do të jetë mbështetje për të gjithë studentët për të financuar kostot e studimeve të tyre, ndërsa do të jepet pa kolateral fizik. Kushi theksoi se kosto e studimeve nënkupton edhe tarifat e studimit, por edhe kostot e jetesës që do të përllogaritet sipas rrogës bazë në vend.

“Morëm një vendim që përbën një lajm të mirë për të gjithë studentët. Është fjala për skemën e kreditimit studentor e cila do të jetë një mbështetje për të gjithë studentët për të financuar koston e studimeve të tyre dhe do të rrisë më shumë aksesin e të rinjve e të rejave në arsimin e lartë. Kredia studentore. Çdo student që ka shtetësi dhe vendbanim në Shqipëri dhe ndjek studimet në një Universitet ka të drejtë të aplikojë për kredi studentore për të financuar studimet e tij. Kosto e studimeve nënkuptojmë edhe tarifat e studimit dhe kostot e jetesës dhe për kostot e jetesës do të përllogaritet paga minimale”, tha Kushi.

Ministrja sqaroi se do të financohet vetëm një program studimi, Bachelor ose Master, ndërsa shpjegoi edhe kriteret e përcaktuara për ta fituar atë. 

“Do të financohet vetëm një program studimi që të zgjerojmë sa më shumë numrin e aplikuesve, pra një student mund të aplikojë o për bachelor, o për master. Institucioni që do jetë përgjegjës edhe për të negociuar me bankat e nivelit ët dytë dhe për të gjithë procesin do të jetë Agjencia Kombëtare për Financimin e Arsimit të Lartë. Kredia studentore do të jetë pa kolateral fizik, do të jepet me dy këste, pasi të kemi marrë konfirmimin nga Universiteti që studenti frekuenton rregullisht procesin mësimor”, u shpreh Ministrja.

Afatet e shlyerjes janë të përcaktuara për çdo nivel, ku për studentët e Bachelor detyrimi i shlyerjes nis 3 vite pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa për ata të Master nis 2 vite pas nënshkrimit të kontratës.

“Për shlyerjen e kredisë afatet do të jenë të përcaktuara qartë për çdo nivel. Për studentë e Bachelor detyrimi për të shlyer kredinë fillon 3 vite pas nënshkrimit të kontratës, për studentët e masterit 2 vite, ndërsa për ata që ndjekin studimet e integruara të nivelit të dytë, detyrimi për shlyerjen e kredisë fillon pas 5 vitesh. Studentë përfitues do të jenë ata që nuk kanë përfituar më parë bursa apo përjashtim nga tarifat. Sa i takon kritereve të renditjes, si do të shpallen fituesit, do ketë disa kritere që vlerësohen si prioritare. E para është shuma, programi i studimit që ndjek sepse programet në listë e programeve prioritare janë një avantazh për të marrë kredi. Ka edhe kritere të tjera, rezultatet e studentëve”, sqaroi Kushi.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›