Mbledhja, lojtarët duan rrogat e prapambetura
Tirana/ Futbollistët kërkojnë shpjegime nga drejtuesit për pagesat.
Pa u paguar që nga muaji gusht, bardhebluve u soset durimi.
Nuk paguhen prej më shumë se tre muajsh, ndaj te Tirana kanë nisur pakënaqësitë e para. Një fakt i tillë është vërejtur dje para seancës stërvitore, ku lojtarët i kanë kërkuar shpjegime trajnerit dhe njëkohësisht shefit të klubit, Alban Tafaj. Lojtarët i kanë komunikuar këtij të fundit se sikundër klubi është gjithnjë kërkues ndaj tyre në fushën e lojës, edhe ata dëshirojnë që drejtuesit të bëjnë me ta të njëjtën gjë për sa i përket pjesës financiare. Sipas futbollistëve, të cilët nuk kanë dashur që të shprehen në vetë të parë, klubi nuk i ka paguar që nga muaji gusht. “Nga momenti që kam ardhur këtu kam marrë vetëm një gjysmë rroge dhe asgjë tjetër”, thotë njëri nga bardheblutë para se të futej në mbledhjen me Alban Tafajin, gati t렠 improvizuar dhe të palajmëruar më parë. Ndërkohë nga burime të sigurta të “Panorama Sport”, mësohet se drejtuesit e klubit kanë bërë disa pagesa në fillim të muajit shtator, por këto vetëm për një pjesë të lojtarëve, ose më mirë për të ashtuquajturit titullarë të ekipit, ndërsa të tjerët kanë të paktën tri rroga pa u paguar. Klubi ka një buxhet rrogash prej gati 70 milionë lekësh të vjetër në muaj (më i paguari në bazë të kontratave është Gilman Lika, i cili përfiton rreth 9 milionë lekë në muaj). Por siç bëhet e ditur, ndonëse fondi i pagave është miratuar nga Këshilli Bashkiak, nuk është vënë ende në dispozicion të klubit për pagesat. Madje te Tirana, drejtuesit janë duke menduar që të prekin fondin prej 800 milionë lekësh të miratuar në mars nga Bashkia në formë shtese kapitali. Në fakt, asokohe u tha se Bashkia nuk do nxirrte asnjë kacidhe nga paratë e taksapaguesve të kryeqytetit për rrogat e futbollistëve, por shtesa në kapitalin e shoqërisë KF Tirana sh.a do bëhej vetëm për të mbuluar një pjesë të investimeve në infrastrukturën e klubit. Vetëm disa muaj më pas, duket se destinacioni i atyre parave të miratuara nga Këshilli Bashkiak nuk do jetë vetëm infrastruktura, por edhe pagat e lojtarëve. Sakaq, te drejtuesit e klubit ekziston edhe frika se kjo problematikë e mungesës së rrogave mund të ndikojë edhe te lojtarët në impenjimin e tyre në fushën e lojës në dy javët e mbetura të fazës së parë.
Tafaji: Po,kemi probleme financiare
Problematikën e rrogave të prapambetura të lojtarëve e ka konfirmuar edhe trajneri i skuadrës, Alban Tafaji. Menjëherë pas mbledhjes, para se të fillonte seancën stërvitore, ai ka konfirmuar për “Panorama Sport” problematikën në fjalë, duke mbështetur në një farë mënyre ankesën e bardhebluve. “Kanë të drejtë pasi, ashtu siç u kërkoj unë llogari dhe dua që ata të japin maksimumin në fushë, kanë të drejtë edhe ata që të kërkojnë nga klubi korrektësi në pagesa. Në këtë këndvështrim, them se edhe si drejtues klubi do të mundohemi ta zgjidhim sa më shpejt këtë problem”, ka thekuar fillimisht Tafaji. Ndërkaq ai ka shpjeguar se klubi do të përdorë paratë që ka fituar Tirana nga pjesëmarrja në Ligën e Europës. “Mendoj se zgjidhja më e mirë dhe e shpejtë është përdorimi i parave të ardhura në Federatën Shqiptare të Futbollit ndaj klubit tonë për pjesëmarrjen në Ligën e Europës”.
Rrëshqet Partizani, barazon me Naftëtarin
Partizani nuk ka shkuar më shumë se një barazim në ndeshjen e javës së 12-të në kryeqytet ndaj Naftëtarit të vendit të fundit në renditje. Nga një gol për të dyja skuadrat në startin e secilës pjesë loje, me kuçovarët që kanë shënuar të parët dhe me Sulçen që ka barazuar shifrat në 1-1, janë mbyllur 90 minutat e “Qemal Stafës”. Ndoshta Partizani e kishte marrë lehtë kundërshtarin e radhës, por fusha tregoi të kundërtën. Edhe pse “demat e kuq” dominuan në tërësi lojën, përsëri u mungoi forca goditëse. Rastin më të pastër për golin e fitores e ka pasur Braho që në mënyrë fatale gaboi me portën bosh.
LEONARD KARAJ