Beckham pershendet SHBA

Ish-kapiteni i Anglisë, David Beckham do të largohet nga Los Angeles Galaxy, pas finales së titullit në Major League Soçer amerikane, që skuadra kaliforniane do të luajë muajin e ardhshëm përballë Houston Dynamo-s.
Megjithatë, mesfushori 37-vjeçar nuk ka ndërmend që ta braktisë futbollin. Përkundrazi ai do të vazhdojë të luajë. Në nëj deklaratë për shtyp, Beckham nënvijëzonte: “Kam përjetuar një aventurë të jashtëzakonshme te Los Angeles Galaxy, megjithatë dua edhe një sfidë të fundit, përpara se ta mbyll karrierën”.
Ky është viti i gjashtë që ylli anglez luante në kampionatin amerikan, ku u transferua në vitin 2007, për një kontratë 5-vjeçare me rrogë të përgjithshme 32,5 milionë dollarë. Në janar ai rinovoi kontratën pas fitimit të titullit me klubin, megjithatë ka vendosur që pas 1 dhjetorit të largohet.
“Ky nuk do të jetë fundi i marrëdhënies time me MLS-në, pasi synoj që në të ardhmen të jem pjesë e strukturës së pronarëve, ndoshta te Galaxy”.
Për të ardhmen e Beckham ka disa hipoteza. Për ish-yllin e Manchester United, Real Madrid e Milan përflitet për një transferim në A-Leaguen australiane, ashtu si Del Piero. Interesim ka shfaqur skuadra e Melbourne Heart, por një mundësi është edhe kalimi në Kinë, si ambasador i futbollit në vendin në zhvillim.
Në fund, për ish-kapitenin e Anglisë, që numëron 115 ndeshje me Kombëtaren, nuk përjashtohet as mundësia e rikthimit romantik në Premier League-n angleze, ku destinacioni mbetet ende për t’u përcaktuar.