Mblidhet Këshilli Ndërakademik i Gjuhës
Pas më shumë se 5 vjetësh, Këshilli Ndërkombëtar për Gjuhën duket se ka nisur të funksionojë sërish.
I formuar në vitin 2005, me përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Arteve dhe Kosovës, ky këshill është pasuruar me anëtarë të rinj. Janë gjuhëtarë shqiptarë të Maqedonisë dhe gjuhëtarë arbëresh.
Në takimin e mbajtur për këtë qëllim para tre javësh, duket se Akademia e Shkencave ka marrë në konsideratë sugjerimin e dalë në përfundim të konferencës shkencore “Shqipja në etapën e sotme: Politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, të organizuar në dhjetor të vitit 2010, nga Qendra e Studimeve Albanologjike, për ngritjen e një Këshilli Mbarëkombëtar të Gjuhës.
Në fakt, ishte pikërisht kjo konferencë që ngriti një debat të gjerë mbi gjuhën, rolin e standardit dhe përfshirjen e elementeve gjuhësore të gegërishtes në të. Ky këshill i pasuruar tani do të ketë për detyrë që të mbikëqyrë zbatimin e rregullave të drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit, por edhe që të bëjë një zgjerim deri në ndryshimin e pjesshëm të këtyre rregullave.