E Diel, 1 Nëntor 2026

Sandro Mayer: Moisiu aktor i madh italian nga Trieste

TIRANE-A ka vend të diskutohet ende origjina shqiptare e aktorit të madh Aleksandër Moisiu? Shqiptarët janë të sigurt që jo. Por, vlerat i lakmojnë të gjithë. Kështu duket ka ndodhur edhe në rastin e spektaklit të famshëm të RaiUno-s "Ballando con le Stelle", program i ngjashëm me "Dancing with the star" që po zhvillohet për herë të dytë edhe në Shqipëri.

Këtë vit pjesëmarrës në këtë program është edhe aktori Gedeon Burkhard, stërnip i aktorit të madh Aleksandër Moisiu. Përtej elegancës dhe sharmit që përcjell ai në këtë program, në forume të ndryshme, kanë nisur diskutime të zjarrta mbi thënien e gazetarit të njohur italian Sandro Mayer. Në këtë program, nisur nga pjesëmarrja e Burkhard, Mayer e ka cilësuar stërgjyshin e Gedeonit, Aleksandër Moisiun si "aktor të madh italian nga Trieste!".
Nuk dihet pse Gedeon nuk ka replikuar gjatë këtij programi, mbi faktin e pavërtetë të cilit i ka mëshuar Sandro Mayer, por kjo ka ndezur shumë debate në forumet online, ku diskutohet mbi programin "Ballando con le stelle".

Gedeon Burkhard, i cili kërcen në këtë program me balerinën Samanta Togni, është për momentin ndër aktorët më të famshëm në Gjermani, Austri dhe në Itali. Për origjinën e tij shqiptare, veç shënimit të këtij fakti në biografinë e aktorit, një deklaratë e drejtpërdrejtë, është bërë nga ana e tij më 24 maj 2003 në Teatrin Popullor të Vjenës, ndërsa përkujtohej aktori i madh Aleksandër Moisiu e ku, ndër të pranishmit e shumtë në sallë: gjermanë, austriakë e shumë diplomatë të huaj, ishte edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe disa përfaqësues të tjerë shqiptarë. Pikërisht në këtë aktivitet, Gedeon Burkhard ka gjetur rastin të përshëndetet edhe me Presidentin shqiptar, Alfred Moisiu. Gjatë shtrëngimit të duarve me Presidentin Moisiu, Gedeon është shprehur: "Jam i lumtur që m´u dha rasti që të njihem dhe të takohem me të afërmit e mi shqiptarë, tashmë një President".
Djaloshi i guximshëm tek "Oktapodi 7", që zbulon rrënjët e mafias italiane dhe rrëfen të vërtetat në valët e radios së tij "Tam-Tam" apo "Komisari REX" mund t´i sjellë ndërmend lexuesit aktorin karizmatik, i cili po ecën me kujdes në gjurmët e stërgjyshit të tij Moisiu.
Origjina e debatuar
e Moisiut
Mbi origjinën e Aleksandër Moisiut ka pasur shpesh debate e hamendje, por historia ka rezervuar edhe mjaft fakte e dokumente që vërtetojnë edhe thëniet e tij, në favor të origjinës shqiptare. Moisiu vërtet u lind në vitin 1879 në Trieste, por në moshën 4- vjeçare dhe deri sa mbushi 20 vjeç jetoi në Durrës. As pasaporta shqiptare që kërkoi më 1933-shin dhe iu dha nga shteti shqiptar më 1934, nuk ka mjaftuar për disa syresh që ta konsideronin Aleksandër Moisiun si shqiptar, ndërkohë që ai vetë deklaronte se ishte i tillë dhe zotëronte certifikatë shqiptare të lëshuar nga Princ Vidi.
Po ashtu ekziston një certifikate pagëzimi e Aleksandër Moisiut e lëshuar nga zv.metropoliti i Kavajës që hedh dritë në faktet dhe dokumentet për origjinën e aktorit. Janë në të vërtetë dy shkresa zyrtare në Arkivin Qendror të shtetit mbi legalizimin e certifikatës së pagëzimit të Aleksandër Moisiut.
Më konkretisht, në letrën zyrtare të Kishës Ortodokse shkruhet: "Bashkëmbyllun kemi nderin me i dërgue Asaj P.T. Ministrije një cetifikatë të së Hirshmes Zavendësis Mitropolitane të Kavajës, që i përket të ndjerit dramaturg shqiptar Aleksandër Moisi, me lutje që, pasi të legalizohet edhe prej Asaj P.T. Ministrije, t'i dërgohet P.T Ministrisë së Punëve të Jashtme, Drejtorisë Politike, e cila na e ka kërkue me anë të shkresës së saj NR: 279.XIV. P.I. datë 16.07.1938. Me nderime të posaçme, Kryetar i Kishës Orthodhokse Autoqefale Kryepiskop i gjithë Shqipënis Kristofor"...
Po ashtu nj fakt i pakundërshtueshëm është edhe prononcimi i dhënë në një intervistë të vitit 1917, ku Aleksandër Moisiu deklaronte: "Babai im rrjedh nga një familje shqiptare, një pjesë e së cilës ende edhe sot vazhdon të jetojë në Shqipëri. Unë zotëroj një certifikatë qytetare të lëshuar nga qeveria e përkohshme e Pinc Vidit". Në nëntor të vitit 1933, Aleksandër Moisiu i drejtohet legatës shqiptare me një lutje për t'u pajisur me pasaportë shqiptare. Kërkesën ia adresoi Ministrisë së Jashtme. Në këtë letër shkruhej: "Artisti i njohur prej gjaku dhe fisi shqiptar, zoti Aleksandër Moisiu, iu drejtua sot kësaj konsullate me lutje që t'i akordohet sa më parë shtetësia shqiptare, bashkë me zonjën e tij, Johana Tervin Moisiun. Ky artist i përmendur, që nuk ka mohuar kurrë kombësinë shqiptare, dëshiron që t'i njihet shtetësia shqiptare. Ai refuzoi të gjitha shtetësitë e tjera dhe dëshiron të pranohet vetëm si shtetas shqiptar, siç ka qenë familja e tij, e dalë me kohë prej Kavaje".
Në vitin 1934, pas kësaj lutjeje drejtuar shtetit shqiptar, kërkesa e tij për pasaportë shqiptare u aprovua. Aleksandër Moisiu vdiq vetëm një vit më vonë dhe varri i tij gjendet pranë liqenit të Luganos në Zvicër.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›