Mblidhet Kuvendi, debate të ashpra për Fazlliç
Tiranë-Çështja Fazllic, mbërritja ‘blic’ në Tiranë dhe largimi i tij nën mbrojtjen e policisë është shndëruar në ‘arenë’ debati në seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Opozita ka reaguar ashpër ndaj mos veprimit të institucioneve për njeriun e akuzuar për afera korruptive dhe mashtrime të shumta, së fundi edhe për lidhjet me kryeministrin.
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, e ka quajtur të papranueshëm mosveprimin e institucioneve gjatë ditës së djeshme, kur Fazllic erdhi e iku, jo vetëm i qetë, por në garancinë e policisë.
“Nuk kuptoj se si u urdhëruan të dështonin institucionet e drejtësisë, tatimeve, policisë dhe se si kryeministri garantoi të bridhte lirisht një pleh, krimineli më në zë në Ballkan. Qeveria e Sali Berishës nuk i vuri një polici Trebickës që t’i siguronte jetën, dje i vuri një komisariat në dispozicion kriminelit, që na shkeli territorin, kushtetutën dhe drejtësinë”- tha ai.
Shqiptarët sot, sipas Braçes duhet ta dinë se Berisha i vret dëshmitarët dhe i mbron kriminelët, shqiptarët duhet të dinë se sot imuniteti i deputetëve, gjykatësve, prokurorëve është një hiç para imunitetit të një krimineli që palosi dje gjithë institucionet.
“Berisha është mbi ta dhe mbi ligjin, ministrat e tij, familjarët, kunetërit janë mbi ligjin, shqiptarët sot janë qytetarë të dorës së tretë dhe kjo ndodhi dje kur një sërë krimesh u provuan publikisht dhe botërisht”- tha ai.
Brace ka kujtuar deklaratën e kunatit të ministrit Basha, i cili pohoi se kompanitë e Fazlliç nuk kishin pasur aktivitet në tre vjet, që do të thotë një pastrim ekzemplarë parash, fakt me të cilin studentët e Ekonomikut njihen që në vitin e parë. “Njeriu që konsumoi këtë krim na sfidoi dhe iku, prokuroria dështoi”- tha më tej ai.
Brace në emër të opozitës, kërkoi nga prokuroria, procedim penal për ata që e penguan të zbatonte udhrin për ndalimin e Fazllic dhe urdhër arresti ndërkombëtar për këtë njeri.
“Uroj që Berisha-Fazllic, familja dhe tabori i ministrave të mos kenë djegur provat si bënë në rastin e Gërdecit”- shtoi Brace, që e cilësoi këtë një çështje te sigurisë kombëtare, pasi krimi ka kapur qeverinë, pasi njeriu me të cilin u mburr kryeministri përfaqëson bandat gjakatare në Ballkan.
Ai ka numëruar më pas me radhë, gjithë emrat me të cilat mediat e huaja kanë lidhur emrin e Fazllic. Vendi sipas tij është në dorën e Serbisë dhe për këtë duhet të përgjigjet kryeministri, pasi ai eshte pergjegjes. Ai ka këkruar sqarime se pse ne sot 95% të energjisë e marrim nga Serbia, 5 firma që vijnë e shtohen duke rritur cmimet e energjisë në kurriz të shqiptarëve.
“Rrugët që ngrihen, bëhen nga firma serbe, mbikalimi në Tiranë, segmenti Levan-Vlorë, by passin e Fierit, Milot-Rrëshen, terminalin e Portit të Durrësit, po ashtu. Shërbimet tregtare ranë në duart e serbëve, që zotëron 45% të sherbimeve tregtare"- tha Brace, duke kujtuar edhe evazionin fiskal dhe kontrabanden e cigareve, qe porte hyrese kane Shkodren.
Ai ka kërkuar nga Presidenti i vendit të marrë në dorë situatën, të dalë nga frika për të kërkuar hesap. “Ne jemi këtu për të udhëhequr shqiptarët kundër bandës së serbëve në mes të Shqipërisë dhe shqiptarëve”- përfundoi ai.
Nishani: Policia jo në dispozicion për Fazllic
Ministri i Brendshëm ka garantuar sot në parlament se nuk është vënë një ekskortë në shërbim të Fazllic. Sipas tij, pjesëmarrja e kompanive të huaja që kanë degët e tyre në Serbi është mëse normale, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë akuzave të socialistit Brace. Zëvendëskryeministri, Genc Pollo deklaroi se i gjithë debati për Fazllic është një skandal i sajuar dhe që do të fashitet shume shpejt. Sipas tij, debati politik, rrezikon te heqe nga vemendja ngjarje qe jane te rendesishme per Shqiperinë.
Majko: Ditë e mjerë për shqiptarët
Një ditë të mjerë për shqiptarët, për vendin, për të majtët e të djathtët. Kështu e ka quajtur deputeti socialist Pandeli Majko mbërritjen e beftë dhe të patrazuar të Damir Fazllic në Tiranë. “Ky horr horri erdhi në vendin tonë, lëvizi i qetë, dha një intervistë dhe u largua. Ministri Nishani duhet të na jepte detaje se si ndodhi, kush e shoqëroi dhe a është angazhuar policia për një gjë të tillë. Por kjo nuk u bë”- tha Majko, duke ironizuar me atë që parafolësi demokrat Paloka tha për Fazllic, që sqaroi se ai bujti tek ne pasi ishte pjesë e një konference.
“Ne degjuam se ai është një njeri i respektuar, që mori pjesë në konferencë, por publikur c’ti themi për këtë njeriun e 'zi' krah të tjerëve(tha duke treguar foto të Fazllic). Këta horra sa kohe do vazhdojmë t’i kemi mbi shpinë, këtë na sqaroni pastaj flasim për dosje e për ligje”- përfundoi ai.