E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku njerëzor, identifikohen linjat

KTHIMI/ Mungesa e dokumenteve të nevojshme për të qëndruar në vendet fqinj kthen çdo ditë në kufi shumë shqiptarë

Deportivët kanë identifikuar deri më tani tre nga linjat më të përdorura për t’u larguar nga Shqipëria

VLORË- Kthehen pasdisa kohësh nga vendet fqinje për shkak të mungesës së dokumenteve dhe në kufi iu duhet të “rrëfejnë” rrugën e “arratisjes”. Deportivët rezultojnë të jenë një ndihmë e madhe për policinë shqiptare për të identifikuar mënyrën se si shtetasit largohen nga vendi dhe shkojnë në shtetet fqinje. Maqedonia dhe Mali i Zi duken si vendet tranzit ideale, ndërsa Italia, si më e pëlqyera për të qëndruar.

Hetimet

Numri i emigrantëve të cilët kthehen nga pikat e kalimit kufitar në port, apo edhe pika të tjera tokësore në qarkun e Vlorës, nuk është i papërfillshëm. Burime nga pika e kalimit kufitar në portin e qytetit bregdetar pohojnë se thuajse çdo ditë ka emigrantë të kthyer nga shteti fqinj, të cilët nuk kanë dokumentet e nevojshme. Një, dy ose edhe tre në ditë është numri i zakonshëm në pikën e kalimit kufitar të portit të Vlorës, ndërkohë që burimet bëjnë me dije se në pikën tokësore të Qafë-Botës ky numër është edhe më i madh. Sipas të dhënave, në këtë pikë kalimi numri i personave të kthyer mund të shkojë deri në 30 ose 50 në ditë të caktuara. Teksa iu duhet të japin një sërë të dhënash, edhe në shtetin e origjinës, deportivët gjithmonë e më tepër po saktësojnë rrugët e trafikut, por edhe po nxjerrin nga harresa personat që i kanë ndihmuar për kalimin drejt shteteve fqinje, si dhe “faturat” që kanë paguar për këtë shërbim. Sipas burimeve, të gjithë shtetasit që vijnë pa dokumentacione, evidentohen në sistemin TIMS, informacione këto që u jepen për verifikim rretheve. Deportivëve u merren deklarime për të parë format dhe rrugët se si janë larguar nga Shqipëria. Po kështu, ata verifikohen mos janë viktima të trafikut, përfshi këtu edhe personat që kanë ushtruar zanatin e lypësit.

Linjat e trafikut

Itineraret e zbuluara janë për pjesën më të madhe Shqipëri- Kakavijë- Gumenicë- Ankona. Po kështu, itinerar tjetër është Maqedoni-Selanik- Gumenicë-Ankona. Ndërkaq, të tjerë persona kanë treguar se për kalimin e tyre është shfrytëzuar linja Shkodër- Mali i Zi- Kroaci-Itali. Ajo që ka bashkuar në një shifër të vetme të dhënat, janë shumat e paguara të cilat variojnë gjithmonë në kufirin 3 mijë deri në 3,5 mijë euro. Burimet nuk bëjnë me dije detaje të tjera për shkak të hetimeve, pasi deportivëve iu kërkohet edhe përshkrimi i personave me të cilët kanë kontaktuar, për të evidentuar rrjetet e një trafiku të tillë. Sipas ligjit në fuqi, ata që rezultojnë të kthyer për të dytën herë, përballen me akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit.

NDIHMA

Teksa iu duhet të japin një sërë të dhënash, edhe në shtetin e origjinës, deportivët gjithmonë e më tepër po saktësojnë rrugët e trafikimit, por edhe nxjerrin nga harresa personat që i kanë ndihmuar për kalimin drejt shteteve fqinje si dhe faturat që kanë paguar për këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›