E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Leskaj: Skandali Fazlliç implikon Berishën

PS dorëzon kërkesën për mocion me debat, ku kryeministrit i kërkohet të zbardhë misteret që fshihen pas miqësisë së tij me biznesmenin Damir Fazlliç

TIRANË- Partia Socialiste ka bërë zyrtare nismën e saj për të thirrur në një mocion me debat kryeministrin Sali Berisha për çështjen “Fazlliç”. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj ka dorëzuar dje në kryesinë e Kuvendit kërkesën përkatëse, shoqëruar me listën e pyetjeve, ku kryeministrit i kërkohet të zbardh misteret që fshihen pas miqësisë së tij të shprehur edhe publikisht me biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç, ndërsa nëpërmjet medias i ka kërkuar prokurorisë të nisë hetimet për këtë çështje. Duke shpresuar në “mirëkuptimin” e drejtuesve të Kuvendit për të pranuar këtë kërkesë, numri një i deputetëve socialistë nuk ka nguruar të deklarojë për mediat se skandali “Fazlliç” implikon dhe kryeministrin dhe një sërë drejtuesit të tjerë të lartë qeveritar. “Grupi i PS ka depozituar sot kërkesën për mocion me debat duke besuar se Kryeministri dhe kryesia Kuvendit do ta marrin parasysh këtë kërkesë dhe nuk do të sajojnë “gabime” teknikenë miratimin e kërkesës si ka ndodhur herë të tjera, rasti më i fundit ishte ai i Gërdecit”, - tha Leskaj. Sipas Partisë Socialiste kjo çështje tregon edhe një herë kapjen e shtetit, duke dhënë një shfaqje të keqe në sytë dhe vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë, duke cenuar njëkohësisht dhe sigurinë kombëtare. Në këtë linjë, kryetarja e grupit socialist, ka evidentuar faktin se të gjitha deklaratat e kryeministrit për suksese në luftën kundër korrupsionit dhe aferave të paligjshme janë vetëm demagogji dhe aspak realiste.

“Kryeministri ne seancën e kaluar, pranoi publikisht ne parlament se e ka mikFazlliçin, është mirë që këto lidhje “miqësore” t’i bëjë transparente. Çështja Fazlliç është një kokteil eksploziv elementesh qe dëmtojnë dhe cenojnë direkt themelet e demokracisë shqiptare. Përfshirja e Fazlliç në kompaninë BG&R dhe lidhjet me PD toksikojnë staturën e kësaj partie. Infiltrimi i Fazllic në afera korruptive përmes firmave të tij fantazmë dhe përfshirja e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe të afërmve të tyre të çon në kapjen e shtetit”, - theksoi Leskaj. Ndërkohë socialistët i janë rikthyer edhe një herë shantazhit që Berisha i bëri deputetëve opozitarë nëpërmjet dosjeve dhe filmimeve që sipas tij i implikojnë ata në afera të pista, duke deklaruar se kjo e bën edhe më shumë fajtor kryeministrin, i cili në këtë rast pranon se mban të fshehta raste krimesh për të cilat ka dijeni. “Kryeministri kërcënoi opozitën, me dosje mafioze duke harruar që kjo e implikon më keq atë për krime që i di dhe nuk i denoncon, ai nuk mund të mbajë peng politikën shqiptare me presion dosjesh”, - tha Leskaj. Grupi Parlamentar Socialist i ka bërë thirrje njëkohësisht Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë menjëherë hetimet për çështjen Fazlliç dhe ta shpallë atë person në hetim.

----------------------------------------------------“Mjaft”, peticion për largimin e Bashës

TIRANË- Përfshirja e ministrit të Jashtëm pa imunitet Lulëzim Basha në skandalin “Fazlliç” ka detyruar lëvizjen MJAFT që të ndermarrë një nismë popullore për të kërkuar dorëheqjen e tij. Nëpërmjet një peticioni drejtuar Parlamentit Shqiptar, presidentit Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha kjo lëvizje fton qytetarët që të mbështesin nismën për të detyruar Bashën që të japë dorëheqjen nga posti i Ministrit. Në peticionin e tyre, ata argumentojnë se është e papranueshme që një person i akuzuar për vjedhjen e taksapaguesve shqiptar si nëpërmjet kontratës së rrugës Durrës-Kukës, ashtu edhe nëpërmjet favorizimit politik të kryerjes së transaksioneve të paligjshme nga Damir Fazlliç, nuk meriton të përfaqësojë shqiptarët tek ndërkombëtarët. “Qytetarët e këtij vendi nuk mundën ta pranojnë më politikisht, si kreun e diplomacisë, një person të dyshuar për krime e të hetuar po për krime, nga organet më të larta të drejtësisë në Shqipëri. Qëndrimi i mëtejshëm i tij në qeveri, dëmton shumë rëndë Shqipërinë në perpjekjet e saj integruese, por dëmton njëkohësisht edhe përpjekjet e Kosovës në procesin e njohjes ndërkombëtare të Pavarësisë së saj”, - thuhet në peticionin e shpërndarë dje edhe për mediat. Sipas nismëtarëve të këtij peticioni Basha rezulton të jetë një prej bashkëpunëtorëve kryesorë të Fazlliç në Shqipëri, prandaj dhe përbën një figurë turpëruese për gjithë diplomacinë shqiptare. “Duke marrë shkas nga sa më sipër, ne, qytetarët eShqipërisë të përfaqësuar nga ky peticion iinicuar nga Lëvizja “Mjaft”, kërkojmë: Dorëheqjen e menjëhershme të Lulzim Bashës nga posti i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Ssipërisë dhe vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve ndaj tij, por njëkohësisht transparencë maksimale të këtyre hetimeve”, - thuhet në Peticion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›