Spekulime rreth vdekjes së kallëzuesit shqiptar
BERLIN- Hetimet për vdekjen e një “kallëzuesi” në Shqipëri duket se janë pranë fundit, por me shumë pak shpresa për të zbuluar dyshimet dhe spekulimet që rrethojnë këtë ngjarje. “Kallëzuesi” Kosta Trebicka zbuloi prova të korrupsionit publik në eksportimin e municioneve të epokës komuniste. Akuzat e tij u shoqëruan me arrestime në Shqipëri dhe ngritjen e akuzave ndaj punonjësve të kompanisë të shitjes së armëve në SHBA, por kjo vetëm pasi shpërthimi në fabrikën e municionit në zonën e Gërdecit vrau 26 njerëz, përfshirë edhe fëmijë.
Zoti Trebicka, 48- vjeç, dëshmitar në hetimet e shpërthimit, një tragjedi kombëtare në Shqipëri, u gjet i vdekur muajin e kaluar në një rrugë fshati pranë makinës së tij. Hetimi për çështjen e tij ka qenë gjithçka vetëm rutinë. Mijëra njerëz iu bashkuan protestës së opozitës duke kërkuar një hetim të drejtë. Një ekspert makinash nga policia e shtetit të Virginias, Kevin J. Teter, u thërrit që të ndihmonte në hetim dhe u kthye në një emër familjar në Shqipëri. Burimet e mediave në Shqipëri thonë se Teter ka përcaktuar në raportin e tij për prokurorinë lokale se zoti Trebicka ka vdekur në një aksident me makinë, një gjetje që është vënë seriozisht në pikëpyetje nga media lokale. Nëse vdekja e zotit Trebicka ishte si rezultat i një aksidenti apo e diçkaje edhe më të ligë, reagimi publik ka treguar se sa pak besim kanë njerëzit e këtij shteti të vogël e të varfër evropian, tek autoritetet e tyre pasi kanë jetuar dekada të tëra nën regjimin stalinist, të ndjekur nga vite me korrupsion të përditshëm. Shpërthimi vdekjeprurës dhe hetimi i korruptuar, dhe vdekja tragjike e dëshmitarit kryesor, ngrenë pyetje për aleatët si Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë mbështetur fuqimisht kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Edhe Bashkimi Europian, ka punuar për të ngritur institucione e shoqëri civile në Shqipëri në mënyrë që të arrihet anëtarësimi.
Marjana Papa, drejtoreshë ekzekutive e “Transparency International Albania”, një OJQ kundër korrupsionit thotë se problemi i korrupsionit nuk duhet nënvleftësuar asnjëherë. “Nuk është thjesht korrupsioni i njerëzve të thjeshtë që japin ryshfete, është një sistem”,- thotë ajo. Edhe pse qeveria ka rritur presionin për të ndjekur penalisht disa raste korrupsioni, problemi ka vazhduar, dhe pjesa më e madhee ndihmës për reforma ka ardhur nga jashtë vendit, veçanërisht nga Bashkimi Europian. Por krahasuar me anarkinë e fundit të viteve 1990, pas rrëzimit të firmave piramidale që vodhën mijëra shqiptarë nga kursimet e jetës së tyre, shteti tashmë është shumë më shumë i qendrueshëm. BE-ja ka punuar shumë me qeverinë në ligje për reformën në polici, prokurimet publike dhe sistemin gjyqësor. “E përgjithshmja është se ka pasur progres, por shumë më shumë progres nevojitet në të ardhmen”,- tha Helmut Lohan, drejtuesi i delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri. Por vdekja e zotit Trebicka ka dëmtuar besimin e lëkundur në sistemin gjyqësor. “Njerëzit janë nervozë për shkak të kësaj, dhe kjo po dëmton të gjitha çështjet e tjera pasi njerëzit refuzojnë të dëshmojnë”,- tha një anëtar i sistemit gjyqësor, i cili e ka të ndaluar të flasë me emër. “Çfarëdo të ketë ndodhur, unë nuk e di, por ka shenja që njerëzit po bëhen gjithnjë e më shumë hezitues të dëshmojnë. Dhe për shkak se gjyqet dhe hetimet në Shqipëri janë shumë të dobëta, ky është një problem serioz”,- thotë ai.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, tha se zoti Trebicka “nuk ka paraqitur kurrë asnjë shqetësim tek prokuroria në lidhje me sigurinë e jetës së tij në lidhje me këtë çështje”. Kjo përgjigje është bërë me letër. Tre njerëz mbeten ende në arrest për hetimin e tregtimit të municioneve dhe shpërthimin në pikën e demontimit. Ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është “zhveshur” nga imuniteti por ende nuk është akuzuar për ndonjë krim.
“Si mund të lini një dëshmitar kaq të rëndësishëm pa e mbrojtur, pa e ndjekur?”,- thotë Eduard Shalsi, zv/ kryebashkiak i Tiranës. Ai e njihte zotin Trebicka dhe e kishte takuar atë vetëm dy ditë përpara vdekjes. “Ne kemi një detyrim për njeriun që kishte kurajën të dilte përpara”,- thotë ai. Zoti Trebicka i kishte thënë shokëve të tij dhe gazetarëve se ai kishte frikë për sigurinë pasi kishte kallëzuar operacionin. Trebicka i siguroi NY Times dhe hetuesve amerikanë të gjitha provat për “AEY inc”, kompaninë amerikane që bleu municione kineze duke u fshehur origjinën që t’i shesë më pas në Afganistan. Prokurorët federalë në Miami kanë ngritur akuza për shitje ilegale të municioneve kineze tek ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata punësuan zotin Trebicka, një biznesmen lokal, që të bënte ripaketimin. Ai tha se kishte dyshuar që paratë nga shitja e armatimeve ishin transferuar për llogari të zyrtarëve shqiptarë, përfshirë këtu edhe zotin Mediu dhe drejtorin e agjencisë shtetërore të shitjes së armëve në Shqipëri, Ylli Pinari.
Zoti Trebicka tha se pasi ai ngriti shqetësimet e tij tek ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ai humbi kontratën. Ai regjistroi një bisedë telefonike me presidentin e AEY, Efraim Diveroli, në të cilën Diveroli tha se korrupsioni ka shkuar deri tek kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe djali i tij. Mediat lokale raportuan se një ish- truprojë e zotit Berisha, tashmë në Ministrinë e Brendshme, luajti një rol kryesor në hetimin e çështjes. Telefonatat dhe e-mailet drejt zëdhënësit të kryeministrit nuk morën përgjigje. Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme tha se hetimet po bëhen nga prokuroria lokale dhe nuk pranoi të thoshte asnjë detaj tjetër. Ai pohoi se nga fundi i javës duhet të dalë edhe raporti përfundimtar. Pas vdekjes së zotit Trebicka, autoritetet shqiptare kërkuan ndihmë teknike nëpërmjet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Sipas rreshterit Les Tyler, supervizori i Teter në policinë e Virginias, ai nuk do të bëjë asnjë koment për çështjen. Por rreshteri konfirmoi pjesëmarrjen duke thënë “Ai ndihmoi në hetimin e çështjes dhe rishikoi atë që ishte hetuar më parë. Me sa kuptoj unë, shërbimet tona janë komplete në këtë çështje”. Disa gazeta shqiptare kanë publikuar raportin që thotë se makina ka zënë poshtë zotin Trebicka duke i shkaktuar vdekjen. “Njerëzit nuk besonin qeverinë në kohën e Enver Hoxhës,- tha Elsa Ballauri, e cila drejton një OJF. Ajo iu referua epokës së diktatorit stalinist dhe tha “është normale që të mos besojnë”.