Pezullohet dhënia me qera e konviktit të Gjuhëve të Huaja. Kule: Më sulmuan në media për këtë shkak
Qeveria ka vendosur të pezullojë dhënien me qera të godinës së konviktit të Gjuhëve të Huaja. Duket se vendimi është marrë pas presionit të medias, që e quajti një skandal të vërtetë dhënien me qera për një universitet privat. Qeveria nuk kishte pranuar ta jepte këtë godinë për Universitetin e Tiranës, që e kishte kërkuar prej kohësh. Nga ana tjetër Bashkia e Tiranës nisi procedurat për ta dhënë me koncesion tek një njeri, i cili me mediat e tij i kishte shërbyer Bashës gjatë fushatës zgjedhore.
Gjithçka po zhvillohej në fshehtësi të plotë, por kur gjërat dolën në media, atëherë mediat në pronësi të pronarit të universitetit privat nisën të sulmojnë rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, duke zbuluar shkelje të tij, bazuar në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Vetë rektori Dhori Kule tha se reagimi negativ tregon se janë në rrugë të mbarë. Ai u shpreh se sulmet ndaj tij në media janë bërë për këtë qëllim. Por Kule nuk komentoi faktin se ato sulme janë raporte të KLSH. Ne na lindi e drejta dhe jemi në të drejtën tonë të ligjshme të kërkojmë një objekt publik që të përdoret për interesat publike. Reagimi negativ tregon që jemi në rrugë të mbarë, tha Kule.
Gjatë konferencës për shtyp, Kule iu referua edhe reagimit të 28 pedagogëve të gjuhës angleze që kundërshtojnë vendimin për transferimin në fakultete të tjera.
Pas kërkesave që fakultetet, në emër të dekanëve kanë bërë për të pasur pedagogët e Gjuhës Angleze dhe vetëadministrimin e gjuhës angleze dhe gjuhëve të tjera, në kompetencat e përgjegjësive të tyre, Këshilli i Administrimit ka marrë vendimin që një pjesë e stafit Akademik të gjuhës angleze të bëjnë jetën akademike pranë fakulteteve përkatëse”, tha Kule.
Pedagoget e gjuhës angleze thonë se janë diplomuar e specializuar si të tillë për të punuar pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe jo të transferohen në fakultete ku gjuha angleze është lënë inferiore.