FRD hap degën në Elbasan. Oketa: Mazhoranca ka humbur identitetin dhe besimin e qytetarëve
Fryma e Re Demokratike hodhi një tjetër hap drejt konkretizimit të projektit të saj politik duke hapur degën e saj në Elbasan. Qindra qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme mirëpritën Frymën e Re Demokratike dhe shprehën mbështetjen e tyre për këtë alternativë bashkëkohore.
Aktiviteti u organizua në teatrin Skampa, ku u përshëndet nga Kryetari i Grupit Nismëtar të FRD-së, z.Gazmend Oketa.
Ne mblidhemi për ti dhënë qytetarëve të Elbasanit një alternativë të re dhe moderne, e cila do të përfaqësojë të gjithë ata që nuk pajtohen me politikën aktuale të mazhorancës, që ka humbur krejtësisht identitetin dhe besimin e qytetarëve, ashtu dhe të opozitës, e cila ofron gjysmën tjetër simetrike të tablosë politike në vend, deklaroi Oketa.
Duke bërë një retrospektivë në vitet e tranzicionit, Oketa u shpreh, se fatëkeqësisht Shqipëria gjendet dhe sot në një tranzicion të lodhshëm e të pafund, në kërkim të ndërtimit të shtetit demokratik, në një moment ku ëndrra e të rinjve dhe studentëve të sotëm, është identike me atë tonën, 22 vjet më parë.
Ne duam një politikë ndryshe, ne duam një politikë ku premtimet që do të jepen, të mbahen, u shpreh në fjalën e saj Ksenja Karaj, studente në Universitetin Aleksandër Xhuvani.
Serxho Brelashi, i sapodiplomuar në Francë, deklaroi se Fryma e Re Demokratike lindi si nevojë për mirëfunksionimin e demokracisë në vend. Arti Kovaçi, koordinator për qarkun e Elbasanin deklaroi se Elbasani i dijes ka qenë përherë përkrahës i të resë, i idealeve të larta dhe nuk mund të ishte ndryshe dhe në mbështetjen e padyshuar ndaj alternativës së FRD-së.