E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet sot KLD-ja, pritet të zgjidhet nënkryetari i ri

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të mblidhet sot për të zgjedhur zëvendëskryetarin e ri pas dorëheqjes së Kreshnik Spahiut. Mbledhja e cila do të drejtohet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëherësh kryetar i KLD-së pritet të ngjallë debate pasi do të vlerësohet edhe kandidati i votuar nga Kuvendi si anëtar i ri i KLD-së Elvis Cefa.
 

Kështu, në mbledhjen e sotme pasi të njoftohet vendimi i Kuvendit për përzgjedhjen e Çefës, presidenti Topi në bazë të Kushtetutës do të bëjë propozimin e tij për zëvendëskryetarin e ri.
 

Dy ditë më parë, Presidenti Topi gjatë një vizite në Korçë deklaroi se posti i nënkryetarit të KLD-së, është e drejtë kushtetuese e Kreut të Shtetit, i cili është edhe drejtues i KLD-së por refuzoi të komentonte votimin e Çefës në Parlament vetëm me votat e mazhorancës.
 

"Nuk më takon të komentoj për debatet në parlament. Mbledhja e KLD-së do mbahet të hënën me rend dite të përcaktuar e atje do vlerësohet sipas procedurës edhe kandidati i votuar nga Kuvendi. Ndërsa zgjedhja e nënkryetarit të KLD-së është prerogativë e Presidentit të Republikës", ka theksuar presidenti Topi.
 

Ish-nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu është propozuar nga Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi në vitin 2007 pas përfundimit të mandatit të Ilir Pandës.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›