Mblidhet sot kryesia e PS-së për emrin e kandidatit për President

Pasditen e sotme në orën 17.00, do të mblidhet kryesia e PS-së, ku, sipas agjendës zyrtare të publikuar, pritet të diskutohet si për ecurinë e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, ashtu edhe për vendimarrjen e socialistëve rreth kandidaturës që pritet të dalë nga kjo mbledhje e forumit të lartë socialist. Bazuar tek agjenda, duket se PS, do të nominojë edhe emrin e kandidatit për President, që kjo forcë politike do të mbështesë më vota në Kuvend.
Pas dështimit të 3 raundeve të para për mungesë të kandidaturave për President, duket se në raundin e katërt PS është e vendosur të bëjë zgjedhjen e saj. Siç e përcaktojnë edhe procedurat kushtetuese, në raundin e katërt dhe të pestë (nëse do të ketë një raund të tillë) Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë në Kuvend, pra me 71 vota.
Në mbledhjen e kryesisë së PS-së së ditës së sotme, pritet të dalë një emër si kandidat për President. Kjo për faktin se ditën mësohet se në Kuvend do të mbahet raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Shumica socialiste, nisur edhe nga numërat në Kuvend, i ka votat për të bërë zgjedhjen e Presidentit me një shumicë të thjeshtë votash. Gjithësesi, PS është deklaruar se edhe në raundin e katërt, do të përpiqet me opozitën parlamentare, që presidenti i ri të ketë një mbështetje sa më të gjerë, përtej votave të socialistëve në Kuvend.
Opozita nuk është deklaruar se do të mbështesë një kandidat të shumicës për President. Ajo deklaron se i mbetet parimit që kandidati të jetë konsensual dhe mundësisht të jetë një propozim i opozitës që gëzon mbështetje edhe nga PS. Gjithësesi, opozita në 3 raundet që janë djegur tashmë, nuk paraqiti një emër konkret.
Deri tani, në media, janë artikuluar shumë emra kandidatësh për President. Por qartazi socialistët nuk kanë shprehur mbështetje për ndonjë figurë të caktuar, duke ja lënë mbrëmjes së nesërme, në kryesinë e PS-së, për të zgjidhur enigmën presidenciale.
/rtsh.al/