Mbrapsht është bukur
Maurizio Mastrini, pianisti dhe kompozitori i njohur në gjithë botën, këtyre ditëve po qëndron në Prishtinë. Ai është ftuar të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Muzicientëve të Rinj - DAM 2011.
E hëna në Sallën e Kuqe ishte natë e Mastrinit. Ai ekzekutoi vepra të njohura, megjithëse nata filloi në mënyrë paksa më veçantë, me veprën e sapokrijuar të tij, “Pranvera në Prishtinë”.
Maurizio këtë vepër e kompozoi gjatë këtyre dy-tri ditëve që qëndroi në Prishtinë, duke qenë i motivuar nga gjendja e pasluftës në vend. Ai tregon se kjo vepër do të jetë njëlloj himni për rilindjen e Kosovës.
Ndryshe, kompozimet e tij, të cilat tashmë kanë depërtuar në gjithë botën, janë njëlloj lidhjeje ndërmjet standardeve tradicionale të muzikës dhe tendencave të reja të muzikës klasike bashkëkohore.
Gazeta Express ka bashkëbiseduar me Maurizio Mastrini, pak para performancës së tij në Sallën e Kuqe të Qendrës së Rinisë, në Prishtinë, në kuadër të Festivalit Dam. Ndryshe, performimi i Mastrinit filloi në orën 20, dhe zgjati afro 90 minuta. E, intervista e plotë e Express me të, natyrisht se nuk zgjat aq, por, gjithsesi se është e këndshme.
Express: Si ndiheni në Kosovë, dhe pse jeni këtu?
Mastrini:
Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Kisha kënaqësinë që të më ftonin në këtë festival, dhe shpresoj se me muzikën time do të lë një kujtim të mirë pas vetes. Sigurisht që do të marrë diçka me vete edhe nga njerëzit e këtushëm, të cilët i takova këtyre ditëve. Derisa po qëndroja në Prishtinë, pra gjatë këtyre dy-tri ditëve, arrita të kompozoj një vepër të re, e cila do të luhet sonte, e të cilën e pagëzova “Pranvera në Prishtinë”. Ajo do të jetë njëlloj himni për rilindjen e vendit tuaj pas luftës. E veçanta e kompozimit është se atë do ta luaj në një piano që, po ashtu, e mbijetuar luftën, sepse ka qenë këtu edhe gjatë luftës. Pianoja tani nuk është në gjendje aq të mirë, kështu që në të do ta ekzekutoj vetëm këtë vepër. Besoj se ajo që kam përjetuar gjatë këtyre ditëve sa ishe në Prishtinë do përshtatet me performimin tim nëpërmjet instrumentit.
Express: Ju ekzekutoni në një formë krejtësisht të veçantë, nga fundi në fillim. Si ju erdhi kjo ide?
Mastrini:
E gjitha ka lindur nga një ëndërr. Në ëndërr më është parafytyruar Johan Sebastian Bach’u, i cili më udhëzonte që të provoja dhe kompozimet e tij t’i luaja jo vetëm mbarë, por edhe së prapthi, pra nga nota e fundit drejt të parës. Më vonë, vazhdova që në këtë mënyrë t’i luaja edhe veprat e kompozitorëve tjerë, si të Bethovenit, Mozartit, etj.
Express: A është kjo mënyra e vetme sesi interpretoni, apo ndoshta interpretoni edhe për së mbari?
Mastrini:
Faktikisht, vepra në fillim luhet mbarë, ashtu që audienca ta dijë se për cilën vepër bëhet fjalë, e pastaj ajo luhet mbrapsht. Edhe sonte do të keni mundësinë të dëgjoni veprat e njohura të Bethovenit, Mozartit,etj, që njëherë do të luhen mbarë, e pastaj edhe versionin nga prapa. Megjithëse, pjesa dërmuese e koncertit do përbëhet nga vepra të mia.
Express: Si e bëni zakonisht përzgjedhjen e veprave të autorëve të njohur?
Mastrini:
Tash për tash jam i koncentruar në veprat e mia, pra, që po i kompozoj vetë, pasi që së shenjti do të dalë albumi im i ri - diku në muajin maj. Megjithëse, nuk kam ndonjë kompozitor specifik të cilin e marrë, dhe veprën e të cilit e luaj nga prapa. Pra, përgjithësisht, janë të gjithë kompozitorët klasikë.
Express: Si ju duket festivali, por edhe gjithçka tjetër që shihni këtu?
Mastrini:
Është një festival i organizuar mjaftë mirë. Nuk kam mundur të gjej ndonjë detaj që nuk shkoi mirë, edhe pse për këtë e falënderoj Dardanin, i cili është një drejtor shumë i mirë. Dardani ishte ai që e bëri të mundur që unë këtu të flas edhe në gjuhen time, që ta kem përkthyesen, dhe që të ndihem shumë afër shtëpisë.
Express: Cilat janë planet pas festivalit në Kosovë?
Mastrini:
Jam i angazhuar për bërjen e albumit tim, të cilin do ta incizoj në Londër, ndërkaq në Maroko do ta xhiroj një klip, i cili do të bëhet në kuadër të albumit. Pastaj, në maj do të filloj me turneun, i cili do të zgjas deri në tetor.
Express: Çka do të interpretoni sonte për audiencën prishtinase?
Marstini: Do të filloj me veprën “Pranvera në Prishtinë”, e pastaj do të vazhdoj me disa vepra mjaftë të njohura, të cilat janë luajtur edhe në vende tjera të botës. Janë këto pjesë klasike të kompozitorëve të njohur, të ndara në dy pjesë. Pastaj vjen një suitë, “Bota ime Koftra”, e cila është e ndarë në dy vëllime, ku unë do luaj me publikun, sepse fillimisht veprën do ta luaj nga fundi në fillim, e pastaj do të shoh se kush do t’ia qëllojë se cila ishte kjo vepër. E, në fund do ta luaj atë nga fillimi.
Express: A t’ju presim përsëri në Kosovë?
Mastrini:
Nëse do t’u pëlqej muzika ime, dhe, natyrisht, nëse më ftojnë, pa dyshim se do të vijë prapë këtu.