E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mbrëmja Gala” për Eliza Dushkun mbledh VIP-at

Ditët e qëndrimit të aktores hollivudiane Eliza Dushku në Shqipëri janë shoqëruar me vëmendjen e medias, fotografëve dhe kuriozitetit të gjithë njerëzve. Gjatë kësaj jave ajo ka vizituar Durrësin, Krujën, Gjirokastrën, Sarandën, Pogradecin, ndërsa sot në mbrëmje Eliza do të jetë në Korçë, ku pranë saj do të bashkohet edhe i dashuri Rick Fox. Korça është vendi i babait të Elizës, kështu që vizita në këtë qytet ishte mëse e rëndësishme, në mos më domethënësja për të. Por para këtij udhëtimi turistik për Elizën është organizuar një mbrëmje tepër e veçantë në restorantin e njohur në Tiranë për ushqimet tradicionale dhe jo vetëm, “Sofra e Ariut”. Në një rreth të kufizuar njerëzish, në darkë ka rënë në sy prania e çiftit Inva Mula e Et’hem Ramadani; princit Leka dhe të fejuarës së tij Elia; personaliteteve të ndryshme nga arti, mes të cilëve aktoret Rajmonda Bulku e Yllka Mujo, apo edhe këngëtares Elvana Gjata, e cila është shfaqur krah aktorit simpatik Blerim Destani. Me Elizën ka qenë vëllai i saj Nick, dhe fotografi i mirënjohur Fadil Berisha, i cili ishte edhe ideuesi i këtij dokumentari që përshkruan Shqipërinë përmes aktores hollivudiane. Mbrëmja Gala ka zgjatur disa orë, ndërsa Elizës dhe stafit të saj amerikan i ka bërë përshtypje ushqimi shqiptar i “Sofrës së Ariut”, për të cilin jo vetëm kanë bërë shumë pyetje, por edhe mjaft vlerësime. Gjatë darkës një grup valltaresh të reja kanë interpretuar disa valle shqiptare, ndërsa muzikantët e orkestrës kanë interpretuar këngë dhe melodi të njohura shqiptare. Ajo që ra në sy mes personazheve që sjellim edhe sot përmes këtyre fotove ekskluzive për gazetën “Mapo”, realizuar nga fotografi i njohur Albert Myftaraj, ishin fustanet e zonjushave e zonjave. Si në një kod të pashkruar, femrat e mbrëmjes ishin veshur me ngjyrën e zezë. Eliza kishte veshur një fustan të zi mjaft klasik, Inva një palë pantallona dhe një këmishë të tyltë ngjyrë të zezë, Elia si gjithmonë një fustan të thjeshtë, e më tej Elvana po kështu me një fustan të zi të, dekolteja e të cilit ishte prej tyli. Elizës i është bërë edhe një dhuratë gjatë darkës, një jelek i punuar me dorë që datonte fillimshekullin e kaluar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›