Ronaldo Vs Alkantra dueli për Superkupën e Spanjës
Ylli i Real Madridit, Kristiano Ronaldo, është i etur për sukses në prag të sezonit 2011/12, dhe e ka bërë të qartë se dëshiron më shumë trofe sesa rekorde individuale. Portugezi shënoi plot 40 gola në sezonin e kaluar, por nuk arriti të fitojë ligën ose Ligën e Kampionëve, pasi Barcelona ishte dukshëm më e mirë. “Sigurisht, do të bëj maksimumin për të shijuar një sezon të shkëlqyeshëm. Sidoqoftë, nuk mendoj për të thyer rekordet e mia nga viti i kaluar. Dua të fitoj trofe me klubin dhe do të bëj gjithçka për ta arritur këtë. Kjo është ajo për të cilën të gjithë ne punojmë”, ka thënë Ronaldo për Marca. Reali pret Barcelonën të dielën në ndeshjen e parë të sezonit, Superkupën e Spanjës. Ndeshja e dytë dhe vendimtare për fituesin e kësaj gare do të zhvillohet të mërkurën në Camp Nou. Ndërkohë që një tjetër yll por tashmë i Barcelonës, Thiago Alkantara, është optimist se ekipi i tij do të mposhtë Real Madridin dhe do të fitojë Superkupën e Spanjës. Dy rivalët e përbetuar spanjollë ndeshen mes vete si kampion i ligës (Barcelona) dhe fitues i Copa del Rey (Reali). Thiago nuk sheh arsye pse ekipi i tij të mos e fitojë titullin e parë të sezonit. “Është shumë e thjeshtë. Mendoj se Barcelona do të fitojë dhe do ta marrë trofeun. Kur jeni mjeshtër në mbrojtje dhe sulm, mbani shumicën e posedimit, ju jeni në pozitë shumë të mirë për të fituar”, tha ai.