Mbrëmja e Farukut

Kjo mbrëmje shënon pesë vjetorin e ndarjes nga jeta të artistit, të pedagogut dhe drejtorit shumëvjeçar të teatrit “Dodona”.
Në mbrëmje do të shfaqen xhirime të rralla nga jeta dhe vepra e tij, si pjesë e një dokumentari të ardhshëm që do të punohet nga aktori shumëvjeçar i teatrit të ‘Dodonës’, Faik Gashi.
“Dëshira e profesorit ka qenë që unë ta realizoj një dokumentar për të. Kjo mbrëmje shënon fillimin e punës sime në këtë drejtim”, ka thënë për telegrafi.com Gashi, i cili me vite të tëra ka përcjellë punën dhe jetën e tij.
Miqtë e Begollit thonë se ai nuk i ka dashur asnjëherë fjalimet, por ndejat, diskutimet dhe atmosferën shoqërore. Prandaj, mbrëmja do të jetë pa protokoll, pa fjalime të gjata dhe me tingujt e muzikës së lehtë qytetare që do të interpretohen nga Nezafete Shala.
Kjo iniciativë është mirëpritur nga kolektivi i këtij teatri, prandaj edhe ftojnë të gjithë miqtë dhe dashamirët e veprës së Faruk Begollit, të jenë të pranishëm në këtë mbrëmje.