E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrëmje gala në ndihmë të pacientëve me tumore

Një mbrëmje gala, e ideuar nga konsulli i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Grant Pritchard, do të kujtohet për veçantinë e saj. Njerëz të rëndësishëm, të veshur hollë, me kostume tradicionale, kanë qenë pjesë e një feste luksoze, ku të gjitha shpenzimet e grumbulluara nga kjo pritje do të shkojnë në ndihmë të pacientëve të cilët vuajnë nga sëmundje të vështira, që trajtojnë tumoret në qendrën shëndetësore "Sue ryder Care Albania". Në këtë qendër jepet shërbim falas në shtëpitë e pacientëve, ose dhe në qendër, asistencë mjekësore psikologjie dhe social-ekonomike. Mbrëmja bamirëse pranverore angleze zhvilloi dhe një ankand, me qëllim mbledhjen e sa më shumë fondeve në adresë të pacientëve me probleme tumorale. Në ankand u shitën shërbime të ndryshme, kryesisht oferta turistike. Mbrëmja ishte sponsorizuar nga një listë e gjatë biznesesh të njohura në të gjithë vendin. Para se të shtrohej tryeza, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fraser Wilson, në krye të fjalës së tij ka uruar shqiptarët dhe Shqipërinë për hyrjen e saj në NATO. Ambasadori Wilson theksoi në fillim të fjalimit të tij, se dita e bashkimit të Shqipërisë në një aleancë si NATO, është një ditë e veçantë dhe e rëndësishme. Pasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi iniciatorin e kësaj balloje, konsullin Grant Pritchard, i ftoi të gjithë të pranishmit të mos kurseheshin dhe të ishin bujarë në ofertat e ankandit. "Paratë e këtij evenimenti do të shkojnë për bamirësi, për një qendër ku trajtohen pacientë të cilët unë i kam vizituar", tha Wilson.

Një eveniment i tillë bamirësie do të jetë frymëzim për aktivitete të tjera pasuese, jo vetëm për gjetjen e hollë të organizimit, por edhe për bujarinë e madhe që tregoi Britania, për pacientët shqiptarë në gjendje të vështirë shëndetësore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›