E Diel, 1 Nëntor 2026

Ermonela Jaho:Të fshehtat e mia i rrëfej në skenë

Ajo jeton dy jetë. Në njërën është vetëm Ermonela Jaho. Në tjetrën, ajo mund të jetë një ëndërrimtare, një e marrosur pas dashurisë, një egoiste, një ambicioze, lozonjare, një femër e brishtë... Mjafton që perdja të ngrihet. Një herë është Violetë, një herë tjetër Maria Stjuart, Manon, Mireille, Mimi, Xhulietë... I ka takuar, apo ka zgjedhur të bëjë një udhëtim të gjatë në botën femërore. Në misterin e përjetshëm që grish ndjenjat mashkullore. Nën teshat e tyre, sopranoja shqiptare përlotet, përkëdhelet, lodron e vuan. Këndon me zë të lartë atë që pranohet në heshtje. Teksa e lë këtë realitet, kur personazhet shkojnë të flenë në historinë e tyre, duartrokitjet, suksesi dhe përgëzimet janë motivimi për një hap më tej. Opera për të ka qenë si një dashuri me shikim të parë. Ndoqi pasionin që e ngjiti në skenat më të mëdha të botës. "Për herë të parë kam parë në televizor filmin "Madama Butterfly". Mbaj mend që mami im u përlot, por unë isha shumë e vogël e nuk arrija të kuptoja arsyen. Ndonëse më tregoi historinë, ato momente isha shumë larg kuptimit të operës si gjini muzikore, ashtu edhe të ngjarjes. Magjinë e kam kuptuar kur isha 14 vjeçe. Atëherë vendosa të ndiqja këtë rrugë. Në këtë kohë, kam parë për herë të parë në jetën time operën "Traviata" në Teatrin e Operës dhe Baletit. Shkova bashkë me vëllain tim. Nuk e di, si dhe pse, por diçka magjike më pushtoi të gjithën. Në atë moment, vendosa që opera ishte dimensioni i zemrës, shpirtit...jetës sime. Familja ime ka ndikuar jashtë mase, sepse më ka lënë të lirë të ëndërroj dhe e ka respektuar këtë ëndërr, këtë zgjidhje që bëra në moshën 14-vjeçare dhe për këtë gjë i detyrohem", shprehet sopranoja teksa këto kohë ka veshur rrobat e Liu-t në operën "Turandot". Pallati i Pionierëve, edhe për të ka qenë zbuluesi i talentit. Që në moshën 6-vjeçare merrte mësime muzike. Ermonela Jaho kishte vendosur tashmë të bëhej profesioniste. Mbaroi liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë dhe vitin e parë të Akademisë së Arteve të Bukura. Pas një konkursi të fituar në Tiranë, organizuar nga këngëtarja e njohur italiane Katia Riçareli, mori bursën e studimit në Akademinë e Mantovës në Itali, e më pas studio në akademinë "Santa Cecilia" në Romë për kanto e piano. Rruga e saj filloi të përvijohej. Larg skenës, që në moshën 14-vjeçare, e shikonte e mahnitur. Pas studimeve, Ermonela Jaho ishte ende një soprano e sapodiplomuar që kërkonte të kapte çastin. Konkurset e para dhe vlerësimet me çmime do të ishin lakimet e para të emrit. Më tej, njohja me menaxherët, ofertat dhe duartrokitjet e para, punë, këmbëngulje për të ardhur deri në ditët e sotme. "Kam kënduar në të gjithë teatrot më të rëndësishëm të botës, role të para tepër impenjativë". Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, Paris Champs-Elysees, teatri "San Karlo" i Napolit, Opera e Filadelfias, Opera e Marsejës, teatri "Verdi" i Triestes, Teatri i Toluzës, etj., janë disa nga skenat ku ajo ka interpretuar. Të tjera shënohen në kalendarin e saj artistik. Çdo herë që "fshihet" si zë e si trup në personazhet e saj, zbulon diçka nga vetja. Ose nga një Ermonelë që mund të kishte qenë në këtë jetë. Por nuk kërkon t‘i ngjajë asnjërës prej tyre. "Përmes këtyre personazheve, kërkoj të shpreh botën time shpirtërore dhe e jetoj totalisht në skenë, për t‘i dhënë publikut atë sinqeritet dhe vërtetësi të pjesës që interpretoj. Unë jap një emocion të Ermonelës dhe dua të jem vetvetja. Dua të pranoj fatin tim me anët pozitive dhe negative. Nuk dua të kem fatin e askujt tjetër", shprehet sopranoja. Çfarë gjen ajo te të gjitha femrat në të cilat shndërrohet? "Janë të gjitha figura përmes të cilave kompozitorët dhe dramaturgët kanë ngritur në piedestal, kanë vënë në pah ndjenjat humane në periudha dhe klasa të ndryshme shoqërore. Që të gjitha i bashkon ndjenja humane. Duke kënduar këto role, kam gjetur të përbashkët ndjenjën e dashurisë, sakrificës, egoizmit, sensibilitetit, të cilat karakterizojnë çdo femër të çdo lloj periudhe qoftë. Kam kuptuar që të gjitha këto vlera, qofshin negative apo pozitive, kanë për të ekzistuar gjithmonë, sa të ketë jetë në tokë. Nëpërmjet interpretimit të këtyre figurave, kam marrë kurajën e të shprehurit. Pas secilës prej tyre nxjerr edhe anën e Ermonelës, atë anë të mbyllur në vetvete, por që ky profesion ta kërkon ta këndosh dhe me zë të lartë". Mes gjithë këtyre karaktereve femërore, "Traviata", opera që e nxiti të thurte ëndrrën, veçanërisht roli i Violetës, mbetet më i dashuri për të. Një Violetë gjithnjë të ndryshme ajo e ka ngjitur në skenat e "La Scalës", në Berlin, Kovent Garden, Paris, Metropolitan etj. E solli edhe në Tiranë në vitin 2007. Aty ku lindi. "Ka qenë një emocion dhe një ndjenjë katarsi e papërshkruar", tregon Ermonela. Por tej nxitimit për të kapur avionin, tej dhomës së grimit, sallës së provave, emocionit të skenës, Ermonela ka jetën e saj. E ndan me njeriun që ka zgjedhur t‘i qëndrojë në krahë, muzikolog në profesion. Një ditë të kësaj natyre, ajo e konsideron më se normale. "Merrem shumë me aktivitet sportiv, sepse ne jemi gladiatorët e skenës dhe përgatitja fizike është një ndër faktorët e rezistencës së një këngëtari. Studioj shumë operat që kam për të bërë, pasi jam shumë e ngarkuar. Kur jam në shtëpi, gjej kohën të merrem edhe me nevojat që shtëpia dhe familja kërkon. Jam larg çdo lloj jete publike. I dedikohem shtëpisë dhe punës sime totalisht". Bën një jetë të sajën, larg çdo modeli të personazheve femra që këndon. "Dua të jem vetvetja. Dua nga jeta vetëm shëndet, shoqëri të sinqertë dhe sa më shumë harmoni dhe mirëkuptim për njerëzimin, ku të mos ekzistojë dhuna e të mos ketë më varfëri".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›