E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e të dhënave, PD kundër publikimit të pasurisë



BLEDAR HOTI

Maxhoranca del kun-dër publikimit të pasurive të deputetëve nga mediat. Qëndrimi i përfaqësuesve të maxhorancës erdhi gjatë raportimit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KMDP), Flora çabej në komisionin parlamentar të Ligjeve. Ka qenë pikërisht deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, i cili ka kërkuar që komisioneri të ndërhynte në lidhje me mos publikimin e të dhënave të politikanëve apo dhe të zyrtarëve të tjerë. "Nuk e di zonja çabej, a keni ndonjë plan konkret që ky deklarim i joni i pasurive të mos tundet në media apo të mos dalë nëpër duar dhe të mos përdoret politikisht. Dhe kjo them që është një nga detyrat imediate, unë në punën tuaj. Mendoj se ka kohë për listën e notave dhe hyrjet e daljet në bankë, por realisht kjo mua më shqetëson", iu drejtua demokrati Hoxha. Komisionerja tha se "duhet të keni parasysh se ka qenë një shqetësim dhe nga kolegë të tjerë dhe kjo na ka shtyrë që kemi bërë një marrëveshje me ILDKP-në në këtë fushë. Por duhet të keni parasysh një gjë, personat publikë e kanë privatësinë e limituar. Duhet të dini se Suedia nxjerr online të dhënat pasurore për të gjithë qytetarët e saj mbi 18 vjeç dhe kjo është me një dekret të Mbretit që në 1903". Sipas saj, duhet të merret në konsideratë dhe fakti tjetër që ka një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk e pengon publikimin e të dhënave, por me kushtin e ruajtjes së drejtës së privatësisë, duke mos publikuar të gjitha të dhënat e plota. Komisionerja çabej ka bërë të ditur se disa prej qytetarëve kanë paraqitur ankesa në lidhje me faqen e shumë klikuar Facebook, ku ka pasur abuzime. "Ankesa të tjera që kanë qenë pak më të rralla, por që duhet të intensifikohen është ankesa për jetën sociale. Për jetën sociale Facebook. Kemi pasur ankesa në këtë fushë, fakti është që duke qenë se operatori Facebook nuk është në kontinentin tonë evropian, është në Amerikë, është shumë e vështirë për ne, jo vetëm për ne, por edhe për vende të zhvilluara siç është Suedia", theksoi çabej. Deputetët e maxhorancës si Viktor Gumi, Paulina Hoti ka kërkuar që pse Komisioni nuk ndërhyn në mos publikimin e të dhënave nga gazetat në lidhje me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, apo të përfituesve të procesit të legalizimeve, si dhe të ish-pronarëve gjatë procesit të kompensimit financiar. Ndërsa komisionerja çabej ka qenë kundër edhe publikimit të notave të studentëve. "Një eksperiencë e tillë nuk ekziston në shtetet evropiane. Ka studentë që nuk e dinë se çfarë note ka marrë shoku i bankës", deklaroi çabej. Por një gjë e tillë u kontestua nga ana e deputetëve të maxhorancës. çabej hodhi idenë e përcaktimit të një kodi etike për median, në mënyrë që të mos abuzohet për shkelje parimi i ruajtjes së privatësisë, duke përcaktuar dhe vendosjen e sanksioneve me anë të gjobës. "Ne nuk kemi pasur rast konkret për vendosjen e gjobave", u shpreh çabej. Ndërsa në lidhje me nxjerrjen e të dhënave nga AKKP-së për ish-pronarët, komisionerja u shpreh se drejtuesit e këtij institucioni kanë dhënë garancinë se nuk ka qenë ata që e kanë publikuar. Ndërsa kryekomisioneri i Ligjeve, Rusmali u shpreh se "këtu nuk ka të bëjë roli i medias, pasi duhet të veprojnë institucionet në rast se nuk kryen rol, është kot që ekziston. AKKP-ja duhet të ketë sistemet e veta personale të sigurta, të mos lejojë nxjerrjen e të dhënave që mbrohen, se ndryshe jemi kot këtu ne. Kujdesi është i vetë pronarit të sistemit, AKKP-së, por kontrollin e keni ju. Juve nuk mund të thoni se gazeta që e ka publikuar ka shkelur Kodin e Etikës. Jo, institucioni që ka dhënë aksesin për një dhënë kundër vullnetit të personave ka cenuar ligjin që ju administroni. Dhe jeni përpara një problemi që është i rëndë, shembuj mund të gjenden në çdo fushë".

perplasja ne komisionin e ligjeve

Mesila Doda: Shumë herë vërejmë shkelje të kufirit të shkeljes së privatësisë të personave, shkelje të kufirit të mbrojtjes së të dhënave personale. Mendoj se komisioneri mund të hyjë edhe pa pasur ndonjë ankesë, mjafton të konstatojë. Duhet më tepër realizimi i një udhëzuesi se sa më tepër një kodi etike. Nuk duhet të dërgohet disa shkresa, por duhet të vendosen masa administrative sepse ligjet për atë punë janë. Të paktën të kishte katër masa ndëshkuese.
Ilir Rusmali: Cili është qëndrimi juaj zonja komisionere me këtë çështje sensitive?
Flora çabej: Duhet të mblidhen përfaqësuesit e medias për të diskutuar dhe hartuar një kod etike në fushën e gazetarisë. Kjo është edhe arsye që kam shtyrë takimin me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, pasi ka pasur ankesa në mënyrë indirekte për shkelje të privatësisë nga sektori i policisë. Për sa i përket gjobave nuk mund të vihen pa u ndërgjegjësuar më parë kontrolluesit dhe institucionet publike.
Ilir Rusmali: Zonja çabej, kontrolluesi i imazhit nuk është kameramani, por brodacasteri. Pse nuk ka masa konkrete me brodcasterat? Ju i keni kontrollonin. Pse nuk ka mundësi, një set rregullash, për disiplinimin e rregullave? Që të ndodhë ajo që ndodhë në çdo vend, dhe në vendet fqinje, ku personi që shfaqet në kamera të mos dalë pa leje. A do të kemi ne kamera televizive pamje të mbuluara, apo makina ku i fshihet targa e makinës?
Flora çabej: Besoj se do të vendosim Rregullore dhe kush nuk e zbaton do të marrë sanksione që parashikon ligji.
Viktor Gumi: Sot doli në faqet të gjitha gazetave lista me fituesit e personave që legalizohen shtëpitë. Cili do të jetë reagimi i komisionarit? Dalin disa lista që x person ka marrë një notë? A duhet të mbrohet ky individ nga ana e institucionit. Hoteli në qendër të Tiranës i mban pasaportën, ia fotokopjen dhe pyetjes së komisionerit evropian se sa do ma mbani? Ata thonë tërë jetën. Kemi banka që kanë kamera dhe nuk e dimë se s'jemi lajmëruar, si dhe nuk e dimë se sa ruhen?
Fatos Hoxha: Bashkohem me shqetësimin e kolegëve të mi, mendoj se për kohën për të cilën ju keni vepruar, shumë nga këto shqetësime që ju keni ngritur i notave, apo i fotokopjes së pasaportave janë probleme shumë të vogla në krahasim me gjërat më të mëdha nga ato që kërkohen. Ajo që desha të ve theksin unë, ne drejtuesit e administratës bëjmë deklarimin e pasurive, ashtu si ne dhe juve bëjmë deklarimin. Me miliona dikush, me miliarda dikush, dikush hiç fare. Dhe duke qenë se jemi në prag të kësaj pune, në fund të muajit përsëri ky deklarim është evident. Nuk e di a keni ndonjë plan konkret që ky deklarim i joni i pasurive të mos tundet në media apo të mos dalë nëpër duar dhe të mos përdoret politikisht. Dhe kjo them që është një nga detyrat imediate, unë në punën tuaj. Mendoj se ka kohë për listën e notave dhe hyrjet e daljet në bankë, por realisht kjo mua më shqetëson.
Flora çabej: Zoti hoxha duhet të keni parasysh se ka qenë një shqetësim dhe nga kolegë të tjerë dhe kjo na ka shtyrë që kemi bërë një marrëveshje me ILDKP-në në këtë fushë. Por duhet të keni parasysh një gjë personat publik e kanë privatësinë e limituar. Duhet të dini se Suedia nxjerr online të dhënat pasurore për të gjithë qytetarët e saj mbi 18 vjeç dhe kjo është me një dekret të mbretit që në 1903.
Fatos Hoxha: Jemi Republikë parlamentare.

Rusmali: Komisionieri të denoncojë dhe të ndëshkojë
Ndërsa në projektrezolutën e miratuar nga Komisioni i kërkohet institucionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që të jetë më aktiv në punën e tij. Për të bërë më të fortë p/rezolutën, Rusmali ka propozuar që të shtohet paragrafi në tekst. "Për rekomandimet e vitit 2010, do të kërkoja që Kuvendi i Shqipërisë nxit komisionerin për një angazhim më intensiv dhe më të efektshëm të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë. I kërkon komisionerit marrjen e masave urgjente për vendosjen e rregullave të gjithanshme dhe për kontrollin e rreptë për zbatimin e tyre". Gjithashtu në draft u sanksionua se "Kuvendi nxit komisionarin për një fushatë intensive të denoncimit publik të të gjitha tipologjive të kundraligjshme dhe të informimit konkret rreth masave që do të ndërmerren nga komisioneri për dhënien fund ndaj tyre".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›