Borchardt: “Anëtarësimi i shpejtë në BE varet nga zgjidhja e krizës politike”
Ambasadori gjerman, Bernard Borchardt, është shprehur dje nga qyteti i Korçës se zgjidhja e krizës politike në Shqipëri duhet të bëhet sa më parë për shkak se ndikon në proceset integruese të vendit në BE. Borchardt i ka bërë apel sërish politikës shqiptare që të shikojnë më vëmendje zgjidhjen e krizës politike krahas realizimit të reformave që janë kusht jo vetëm për anëtarësimin, por edhe për procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Këtë deklaratë Borchardt e ka bërë gjatë inaugurimit të fazës së katërt të projektit për kanalizimin e ujërave të zeza të qarkut të Korçës. “Një anëtarësim i shpejtë në Bashkimin Europian do t’i kishte çelësat pikërisht në realizimin sa më të shpejtë të reformave, në mënyrë që të përmbushen kushtet e caktuara. Ne presim dhe shpresojmë në zgjidhjen e problemeve politike në vend pikërisht përmes bashkëpunimit konstruktiv, sikurse është kjo dhe në frymën e BE-së. Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian”, – është shprehur Borchardt nga podiumi i inaugurimit të projektit të vendosur në fshatin Ciklik në periferi të Korçës. Në këtë inaugurim ishin të pranishëm dhe ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi dhe ministri i Financave, Ridvan Bode. Projekti për kanalizimin e ujërave të zeza në të gjithë qarkun e Korçës është investim dhe i qeverisë gjermane. Projekti kushton 63 milionë euro dhe aktualisht ka përfunduar faza e katërt e tij.
25 Mars 2010