E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e të drejtat e njeriut, Wollfarth: Të angazhohet gjyqësori

Tiranë- Ambasadori i OSBE- së në Tiranë, Eugen Ëollfarth, gjatë konferencës Ndërkombëtare e Kërkuesve të Rinj në Fushën e Drejtësisë, mbi të drejtat e njeriut ka deklaruar se cdokush duhet të jetë i lirë nga ndërhyrja e shtetit dhe e personave të tjerë.

Sipas ambasadorit në momentin që i privohen liritë një personi atëherë dinjiteti njerëzor është në rrezik dhe, në fund, një mungesë e tillë lirie rrezikon e madje i jep fund paqes.

Në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së ofron mbështetje për përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së të Shqipërisë dhe, veçanërisht, për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të individit. Mbrojtja e të drejtave të njeriut përfshin ofrimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e zbatimit të parimeve të të drejtave të njeriut. Kushtetuta shqiptare ngriti Zyrën e Avokatit të Popullit për të “mbrojtur të drejtat, liritë dhe interesat legjitimë të individëve”, duke i dhënë asaj kompetenca të gjera hetimi dhe të drejtën për të bërë rekomandime në rastin e konstatimit të cenimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky institucion, i mbështetur nga Prezenca e OSBE-së, ka fituar besimin e gjerë të publikut dhe ka kontribuar në përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore shqiptare- deklaroi ai.

Më tej ai u shpreh se ndihmesa që OSBE i ka dhënë Shqipërisë në këtë aspekt ka qenë e madhe, por ka kërkuar një angazhim të të madhë të gjykatave.

Përmes asistencës së saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka forcuar kështu mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe institucioneve në vend. Megjithatë, në një shtet të udhëhequr nga parimi i shtetit të së drejtës, le të mos harrojmë se u takon në radhë të parë gjykatave të gjejnë zgjidhje për rastet kur mendohet se janë shkelur të drejtat e njeriut. Për këtë arsye, mbështetja e Prezencës për një gjyqësor të pavarur, efiçent dhe transparent është e një rëndësie të veçantë, ashtu siç ju, si juristë të rinj të mbledhur këtu sot, me siguri e dini shumë mirë- vijoi Wollfarth

Gjithashtu ai u ka bërë një apel të rinjve juristë që të japin kontributin e tyre në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Jeni ju, brezi i ri i juristëve, që do t’i japin formë atyre ligjeve në të ardhmen, që do të ndihmoni për t’i mbrojtur edhe më mirë të drejtat themelore të të gjithë qytetarëve. Jeni ju që do të shqyrtoni çështjet dhe do të hartoni vendimet për ato palë para gjykatave tuaja, që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat. Jeni ju, që do të jeni pjesë e administratës publike, që do të garantoni se administrata publike në këtë vend u përmbahet parimeve të ligjshmërisë, transparencës dhe efiçencës, dhe se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë. Integriteti juaj në ushtrimin e profesionit tuaj si juristë do të ndihmojë për garantimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të këtij vendi, këtij rajoni, të Evropës dhe gjithë globit

Konferenca u zhvillua në ambientet e universitetit Bedër, dhe të ftuar ishin studentët e drejtësisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›